Sizmologu Shemsi Mustafa ka thënë se Kosova duhet të përgatitet që në të ardhmen mund të dridhet nga një tërmet deri 6.5 ballë Rihteri dhe se ndërtuesit duhet të kenë parasysh këtë kur ndërtojnë ndërtesat, duke përfillur gjitha parametrat.
Mustafa ka folur pas dridhjeve të fundit të tokës që u regjistruan në Gjilan në fundjavë.
Ai tha se tërmeti në Gjilan të shtunën ishte i intensitetit shumë të ulët dhe se nuk ka pasur arsye për shqetësim të qytetarëve.
“Por, ishte një e dhënë shtesë për ne sizmologët të Institutit Sizmologjik të Kosovës, që të dimë më saktësisht ku i kemi zonat me aktivitet sizmik më të lartë. Bazuar në të kaluarën që kjo zonë është goditur nga tërmete të fuqishme, pra dihet mirë që në vitin 1921 zona Ferizaj, Viti, Gjilan është goditur nga një tërmet i fuqishëm 6.1 ballë Rihteri, më i forti që ka goditur ndonjëherë Kosovën. Pastaj në vitin 2002, Gjilani është goditur nga tërmet 5.7 shkallë Rihteri. Tërmeti i kësaj fundjave na tregon se ajo është zonë sizmike që duhet pasur konsideratë dhe është parametër shumë i rëndësishëm për ndërtuesit në atë zonë”, ka thënë Mustafa në KTV.


