Një shqiponjë është qëlluar në Berat, dhe dyshohet se është bërë qëllimisht për t’u kapur dhe përdorur si mjet tregtie. Sipas Erald Xekës, nga shoqata e ornitologjisë e Shqipërisë është e qartë që ky veprim është i qëllimshëm.
“Rasti është raportuar nga administrata e zonave të mbrojtura të Beratit. U dërgua në qendrën e rehabilitimit të parkut Divjakë-Karavasta“. Ai tregon se nga grafia duken 13-14 saçme në trup që tregon se është qëlluar me armë gjahu.
Për sa i përket gjendjes shëndetësore të shqiponjës dhe sa mundësi ka të shërohet thotë: “Është shpend i madh por varet si do të reagojë, duhet të rrijë në qetësi. Është e vështirë me shpendët, kur kanë fraktura të kockës“. Xeka akuzon bizneset private se i vrasin për t’i balsamosur. “I shesin 100 mijë lekë të vjetra, është e turpshme“. KJ