Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të arrijnë në Kosovë vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, edhe pse ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar se ardhja e tyre mund të pritet në shkurt.
Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, thotë se Kosova është vonuar jashtëzakonisht shumë në sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit. Sipas tij, autoritetet shëndetësore janë përqendruar vetëm te vaksina nga programi COVAX, që është donacion, pa bërë përpjekje serioze për sigurimin e vaksinave nga kompani tjera farmaceutike.
Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të kësaj vaksine.
Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqëse të programit ndërkombëtar COVAX, ka njoftuar se planifikon të nisë dërgesën e parë në muajin mars. Por, disa dërgesa do të bëhen edhe në fund të muajit shkurt, tek ato shtete që i kanë plotësuar kriteret.
Një nga kriteret është që pjesëmarrësit duhet të kenë dhënë autorizimin për vaksinën në fjalë, thuhet në një njoftim të këtij koalicioni.
or, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë informacion për këtë çështje.
Në një përgjigje të kësaj ministrie, thuhet se dozat e para nga COVAX-i në Kosovë do të dorëzohen përmes UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë).
“Kjo organizatë ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX-i do të marrin informata nga kjo kompani në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
As për vaksinën e Pfizer-it, autoritetet shëndetësore në Kosovë “nuk kanë ndonjë konfirmim nga kompania për datën kur mund të alokojnë vaksinën në Kosovë”.
Ministria e Shëndetësisë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Kompania amerikane, Pfizer, nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.REL