in

Sejdiu tregon për sfidat e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Ishpresidenti i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 është përcjellë më vështirësi pasi që ka pasur hezitime për njohjen nga fqinjët, në këtë rast nga Mali i Zi dhe Maqedonia.

“Ish kryeministri i Maqedonisë, Gruevski nuk ka dashur ta njohë Kosovën, ka punuar pas shpine”, ka thënë ai në “Debat” të RTK-së.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ai tha se nuk është dashur të këtë marrëveshje për Asociacionin.

“Është pjesë e lëshimit që nuk është dashur të ndodhte. Këtë e përmirësoi Gjykata Kushtetuese. Çështja e dialogut është tepër e ndjeshme, por s’ka filluar si duhet. E ka filluar me nguti dhe kemi ardhur në një fazë bllokimi të tillë, pra në formën se si është bllokuar. Qëndrimi im nga viti 2008 dhe këndej ka qenë se duhet të respektohet dy-tri gjëra thelbësore: Pakoja e Ahtisaarit ka qenë alfa dhe omega e gjithë procesit tonë dhe ne kemi bërë gjithë sakrificën si vend. Kemi kërkuar dhe kemi pajtuar që ai projekt, i cili po të dilte në referendum pa sqarime për qytetarët nuk do të pranohej për pika të caktuara”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, është problem të hysh në dialog pa e ditur se cilat probleme do t’i diskutosh.

“Të hysh në dialog pa nivelet e përcaktuara se kur dhe ku. Të hysh në një dialog që e rrezikon çështjen e statusit, sepse Serbia ka pasë atë intencë. Të hysh në një dialog të pafund që ka qenë vullnet i Serbisë ta stërzgjasë. Të hysh në një dialog që s’dihej roli i SHBA-së. Ka qenë e rrezikshme”, ka thënë ai.

“Dorëheqja e Isa Mustafës është me bisht, LDK pësoi nokaut”

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka komentuar edhe humbjen e thellë të LDK-së në zgjedhjet e së dielës.

Duke folur për dorëheqjen e Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të partisë dhe kryesisë së partisë, Sejdiu ka thënë se nuk ka shumë shpjegim për dorëheqjen e Mustafës dhe kryesisë së LDK-së.

“Është një temë që kërkon trajtim të thellë. Çështjet që ua kam adresuar që 11 vjet, kanë qenë të rendësishme e që LDK-ja me këtë lidership nuk i ka kushtuar kujdes. Është e dhimbshme kjo që ka ndodh me LDK-në”, ka thënë Sejdiu.

Ai e ka quajtur me bisht dorëheqjen e Mustafës.

“Është dorëheqje me bisht, sepse i treti, i katërti nuk e çmojnë që të jetë përgjegjësia e të gjithëve. Duhet të jetë barrë e secilit në kryesi për këtë që ka ndodh në LDK. Ka qenë një kohë që personalisht kam kërkuar që njerëzit që kanë pasur humbje, të reflektojnë. Atë nuk e kemi parë të rëndësishme”, ka thënë Sejdiu.

Ai tutje tha se nuk është një reflektim i plotë për atë që ka ndodhur me rezultatin zgjedhor të LDK-së.

“Është diçka që secili që LDK-në e ka konsideruar shtëpi të vet, është një goditje që duhet të shtojë përgjegjësinë. Ka shumë çështje që duhet analizuar thellë. Aktualisht s’mund të paragjykojë se si do të reflektojnë drejtuesit e LDK-së. Është një tip nokdauni (nokaut). Këtë e sheh edhe të qytetarët”, ka thënë ish kryetari i LDK-së.

Sejdiu nuk ka dashur të flas sonte për një rikthim të mundshëm në kryer të LDK-së./RTKLive/

Lini një Përgjigje

Lutfi Haziri i gatshëm të marrë kreun e LDK-së

Flamuri gjigant i Kosovës vendoset në Tiranë