in

Universiteti i Prishtinës feston 51-vjetorin e themelimit

Me ceremoni solemne, sot Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina” shënoi 51-vjetorin e themelimit të tij. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin menaxhmenti i UP-së, anëtarët e Këshillit Drejtues, si dhe dekanët e njësive akademike.

Ceremonia u hap me performancën virtuale të Paganini Etide Nr. 6, nga studentja Melisa Ibrahimi, së fundi fituese e çmimit të parë në garën ndërkombëtare “International Music Competition Moscow”.

Të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti rektori, prof. dr. Naser Sahiti, i cili uroi përvjetorin e 51-të të UP-së, i cili siç tha ai, po ndodh në rrethana jo të zakonshme.“Sot, në rrethana jo të zakonshme, po e shënojmë 51-vjetorin e themelimit të universitetit tonë. Tradicionalisht, kjo ditë bashkon në kampusin e UP-së studentët, stafin dhe partnerët tanë, por në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, këtë vit po e shënojmë këtë ditë në një formë tërësisht jo të zakonshme,” tha rektori. Ai shtoi që kufizimet e pandemisë e kanë penguar, por nuk e kanë ndalur UP-në që të punojë në përgatitjen profesionale të studentëve.“Tradicionalisht, universiteti ynë ka përfaqësuar dhe promovuar vlerat më të larta të qytetërimit perëndimor, të cilat janë pjesë e natyrshmërisë historike të kombit tonë. Në këtë kontekst, UP-ja vazhdon të ketë rol prijës në lëvizjet shoqërore për demokratizim, zhvillim dhe qëndrueshmëri,” theksoi rektori.Rektori Sahiti, për nder të Ditës së Universitetit, si dhe për të vlerësuar suksesin e studentëve, ka organizuar ceremoni pritëse për studentët e dalluar të të gjitha njësive akademike të UP-së, të cilët i ka shpërblyer me mirënjohje.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Lini një Përgjigje

Loja me Amerikën është e rrezikshme

ATK-ja mban takimin fillestar me FMN-në