Katër të rinjtë që u arrestuar nga policia e Korçës, janë mbyllur në burg, pasi dyshohen si autorë të vjedhjes së bimëve medicinale në një magazinë në qytetin e Korçës.
Kristaq Dodi, djali i biznesmenit Petraq Dodi, është lënë në burg, së bashku me tre personat e tjerë të arrestuar, si Dorjan Kaso, Xhuljan Kaso dhe Gentjan Ejupi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Arben Lera, i cili i cilësoi të ligjshme arrestimet e policisë, duke vendosur caktimin e masës arrest në burg për katër personat.
Sipas dosjes hetimore, katër të rinjtë rezulton se kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin plot 37 thasë me lule mullage si dhe 30 thasë me lule shtogu.
Depoja e farmacisë me bimë medicinale,i përket biznesmenit Gjergji Çibuku, i cili ka kallëzuar në polici rastin e vjedhjes së biznesit, por njëkohësisht ka kryer verifikime vetë, me qëllim zbardhjen e emrave të autorëve.
Biznesmeni ka telefonuar një mikun e tij në Elbasan, Dritan Kolldashin, i cili ka një pikë grumbullimi të bimëve medicinale, duke e porositur se nëse e telefononte, dikush për të shitur thasët me lulet e mullagës dhe lulet e shtogut, duhet të pranonte blerjen.
Kjo do të ishte skema që do sillte dhe zbulimin e katër personave që kishin kryer vjedhjen.
Pas disa ditësh, Kolldashi ka telefonuar biznesmenin në Korçë, duke i pohuar se e kishte kontaktuar një person që quhej Hermes Metolli, dhe ishte nga fshati Dobranj i Devollit, duke i kërkuar që ti shiste lulen e shtogut.
Dritani ka pranuar ta bleri, por në Elbasan nuk ka shkuar Hermes Metolli, por një person tjetër që quhet Kristi Dodi.
Pasi ka shkarkuar mallin, kanë rënë dakord që shumën financiare prej 2 milion e 400 milion lekë të vjetra, t’ia jepte në kohën kur Dritani të shkonte në Korçë.
Pikërisht në 31 janar 2021, Dritani ka shkuar në Korçë dhe ka telefonuar, Hermesin, por në takim ka dalë sërish Kristi Dodi, për të marrë lekët prej 2.4 milion.
Në këtë takim ka mbëritur dhe biznesmeni i grabitur Gjergji Çibuku, i cili e ka pyetur Kristin se ku i kishin gjetur thasët me lule, por ai i ka treguar se i merrnin në Kostur në Greqi.
Në momentin kur biznesmeni ka plotësuar faturën dhe ka nxjerrë dhe lekët për t’ia dhënë, ai i ka kërkuar Kristi Dodit, që të firmoste mandate pagesën.
Por Kristi Dodi nuk ka pranuar të firmosi. Pikërisht në këtë kohë ka ndërhyrë policia e Korçës, e cila ka kryer arrestimin e të riut dhe më pas tre bashkëpunëtorëve të tij. Të katër këta persona, ka dyshime të forta se kanë vjedhur magazinën me bimë medicinale në dalje të Korçës dhe më pas thasët i shisnin në pika të tjera grumbullimi në Elbasan dhe Pogradec. /Ora News