Lëvizja Vetëvendosje e ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit në Prishtinë. Para një numri simpatizantësh kanë folur Albin Kurti e Vjosa Osmani. Madje Kurti ka rikujtuar sheshin ku si aktivistë gjatë shumë protestave janë keqtrajtuar. Mirëpo, siç u shpreh ai, dtë t’i vijë fundi padrejtësisë dhe kapjes së shtetit.
“Pas 10 ditë fushatë të jashtëzakonshme në këtë situatë të pazakontë, pas mijëra kilometrave dhe qindra takimeve, me ju, në çdo cep të republikës, ndryshimi që kemi kërkuar kurrë nuk ka qenë më afër.
Ka qenë kjo një fushatë e paparë deri më sot. Qindra mijëra prej jush jeni mbledhur shesheve, na keni pritur me lot dhe me buzëqeshje, me duar që zgjaten përpara, për të marshuar bashkë, na keni përcjellur me buzëqeshje dhe me lot, me duar që na përshëndesin nga prapa, për të vazhduar punën, na keni hapur dyert e shtëpive tuaja, sepse njëherë na i keni hapur zemrat, për atë që e duam e na duhet, bashkë, dhe krejt, dhe drejt”, shkruhet në njoftimin e LVV-së.