in

Administrata e Bidenit pritet të emërojë një emisar special për Ballkanin

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pritet të emërojë një emisar special për Ballkanin, siç kishte paralajmëruar sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, duke iu referuar deklaratës së Blinkenit në seancën dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit.

“Në seancën dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit, Sekretari Blinken ka thënë: ‘nëse konfirmohem, unë do ta shqyrtoj me kujdes çështjen e emërimit të një të dërguari special për rajonin’”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës për gazetën Express.

Një prej çështjeve kryesore më të cilat do të merret emisari special i Administratës së Bidenit do të jetë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë thotë se Uashingtoni e mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve“, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Ai ka thënë se SHBA e mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të shpie në njohjen reciproke midis Kosovës e Serbisë, duke ruajtur integritetin territorial dhe sovranitetin e të dyja shteteve.

“Siç ka thënë Presidenti Biden, ‘Një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje të ndërsjellë, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy shteteve dhe të forcojë institucionet e tyre demokratike është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Kjo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve, do t’i çonte përpara aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës amerikane.

Ai ka theksuar se baza e marrëveshjes duhet të vendoset nga vetë palët dhe ka shtuar se SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’i ndihmojë Prishtinën e Beogradin si edhe Brukselin për gjetjen e një zgjidhjeje për të cilën do të pajtohen të gjitha palët.

“Thelbi i çdo marrëveshjeje duhet të vijë nga vetë palët. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe ndihmojmë në çdo mënyrë për t’i mbështetur të dyja palët dhe BE-në, si një ndihmës, në gjetjen e një zgjidhjeje të rënë dakord reciprokisht”, ka theksuar zëdhënësi i  ambasadës së SHBA-së.

Lini një Përgjigje

Qeveria lehtëson masat për mbrojtjen nga COVID-19

Elvin Hoxha, shkodrani i renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës