in

Kurti sot 14 vjet, një vit para 17 shkurtit 2008: Pavarësia ka me mbetë veç andërr

Albin Kurti po synon të vijë sërish në postin e kryeministrit të Kosovës, duke i lënë në të kaluarën shumë prej qëndrimeve të tij. 14 vjet më parë, më 10 shkurt 2007, në një protestë të përgjakshme ku u vranë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj organizate që tash është parti politike dhe ka gjasa të mëdha t’i fitojë bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit, shprehej i bindur se pavarësia e Kosovës s’do të shpallej vetëm një vit më vonë, më 17 shkurt 2008. Në fakt, Albin Kurti shprehej i bindur se shpallja e pavarësisë do të mbetej “veç ëndërr”, shkruan Gazeta Express.

Pakoja e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Martti Ahtisaari, e cila i vuri kornizat e shtetit të Kosovës, nuk e bindte Kurtin që një vit pas, ajo do ta sillte shpalljen e pavarësisë. Kurti thoshte se kjo pako do të ishte “autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë”.

“Ahtisaari e pruni paketën, por pavarësia në paketë nuk vjen. Pavarësia, liria, janë vullneti i këtij populli që këta po e shkelin. Paketa e Ahtisaarit është autonomi për serbët brenda Kosovës dhe autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë. Politikanët po rrejnë. Po thojnë që kena me pasë flamur e simbole, pra kena me qenë shtet. Flamur e simbole kanë edhe ekipet e futbollit. Flamur, stemë, emblemë e simbole ka edhe Vojvodina që është autonomi në Serbi. Para 18 vjetëve, alamet akademikësh e politikanësh thojshin që s’humbim kurrgjë me ndryshime kushtetuese, sot, qeta politikanë që lypin më shumë kompetenca për me mujtë me vjedhë ma shumë, po thojnë që me pakon e Ahtisaarit, kemi me fitu gjithçka. Nashta kanë me fitu ata gjithçka”, deklaronte Kurti.

Ai thoshte se politikanët e Kosovës ishin të varur, dhe se “me politikanë të varur nuk ka pavarësi”. Tash kandidati për kryeministër, thoshte me bindje se pavarësia e Kosovës do të mbetej vetëm ëndërr.

“Hashim Thaçi sheh andërr qysh me u ba kryeministër. Ramush Haradinaj e sheh andërr Hagën. Agim Çeku e sheh andërr Ramush Haradinajn. Veton Surroi e sheh andërr Titon. E Fatmir Sejdiu e sheh andërr shtafetën e Titos. Me kësi politikanë që kanë kësi andrra, pavarësia ka me mbetë veç andërr”, shprehej Kurti.

Ndërkombëtarëve, që Kurti i quante “burokratë”, besonte se nuk ju konvenonte pavarësia e Kosovës.

“Burokratëve ndërkombëtarë që janë këtu nuk ju konvenon pavarësia. A e dini pse? Se me u ba pavarësia, këta duhet me shku. Politikanëve negociatorë nuk ju konvenon pavarësia. A e dini pse? Se s’un vjedhin, edhe nuk mundet me i mbrojtë UNMIK-u më”, thoshte Kurti.

Një vit para se të mbahej kjo protestë, plani ishte që pakoja e Ahtisaarit të publikohej në fund te vitit 2006 por kjo u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi që u mbajtën më 21 janar 2007. Përfolej se Martti Ahtisaari do të propozonte pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi. Në fillim të shkurtit 2007, Ahtisaari udhëtoi për në Kosovë dhe Serbi ku paraqiti dokumentin para përfaqësuesve të të dy vendeve.

Më 2 shkurt 2007, Ahtisaari ia dorëzoi propozimin Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa një vit pas kësaj, Kosova e shpalli pavarësinë mbi bazën e kësaj pakoje. /Express/

Lini një Përgjigje

PSD-ja me mbishkrim në foton e Kurtit: Babai i madh po ju vëzhgon

Vulini nuk sprapset nga termi fyes e fashist “shqiptari”