Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një shkrim në Facebook, ka reaguar pas incidentit që ndodhi gjatë ditës së djeshme, kur lideri i LVV-së, Albin Kurti, ishte në Skenderaj për të zhvilluar fushatën, por ishte i mbrojtur nga njësia speciale e Policisë së Kosovës. Aty qytetarët e pritën me vezë dhe me gurë.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhje nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!?
Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barrikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.
Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje.
Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar!