Kosova e Shqipëria e kanë për obligim të angazhohen, lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, që ta ngrejnë këtë çështje Bruksel e në Washington D.C., në OSBE, dhe në të gjitha organizatat tjera që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, priti deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, ish-kryetarin e komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberin, të shoqëruar nga ish-kryetarja e Preshevës, tani kandidatja për këtë komunë, znj. Ardita Sinani. Së bashku me Kurtin në takim ishte edhe kandidati për deputet, Liburn Aliu.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Luginë e në Kosovë. Për projektin e fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat civilë në Medvegjë, dhe për angazhimin që mund ta bëjmë për t’iu kundërvënë një spastrimi të tillë. Me bindjen se fshirja e shqiptarëve nga regjistrat civil është e papranueshme e duhet të ndalet, nënvizuam se Kosova e Shqipëria e kanë për obligim, e qeverisja e këtyre dy shteteve të angazhohet, që ta ngrejë këtë çështje Bruksel e në Washington D.C., në OSBE, dhe në të gjitha organizatat tjera që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.
“Me z. Kamberi dhe znj. Sinani u bisedua edhe për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, për padrejtësitë e pengesat që po na vihen në ditën e referendumit, dhe për përgatitjet që jemi duke i bërë për të qeverisur si shumicë pas 14 shkurtit. Ata na uruan sukses në këto zgjedhje, e ne ndamë bindjen që si qeveri e ardhshme do të angazhohemi për ta ndihmuar Luginën, edhe me projekte konkrete, por edhe duke e ngritur zërin kundër shkeljeve që po u bënë shteti serb shqiptarëve atje”, thuhet në komunikatën LVV-së.


