in

Gjykata Supreme: Albin Kurti nuk mund të kandidojë për deputet

 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, nuk do të mund të kandidojë për deputet në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Kjo është bërë e ditur nga vendimi i publikuar nga Gjykata Supreme, sipas të cilit edhe i ka dhënë të drejtë Panelit për Ankesa dhe Parashtresa dhe Komisionit Qendror të zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur të mos lejonin kandidatët për deputetë që kanë pasur dënime të plotfuqishme për vepra penale në tre vjetët e fundit.

Ndërkaq, Supremja i ka dhënë të drejtë ankesës së Vetëvendosjes me rastin e Liburn Aliut dhe Labinotë Demi-Mutrezit, për të cilët nuk ka pengesa të kandidojnë për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Po ashtu, Supremja, ka kërkuar të rikthehet në listën për deputet edhe kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Ndërkaq, ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme

Njoftimi i plotë i Gjykatës Supreme:

Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.

Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.

Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.15/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.240-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.

Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e AAK-së, duke vërtetuar pjesën tjetër të vendimit të PZAP-së.

Edhe në rastin e pranimit të pjesshëm të ankesës së AAK-së, bëhet fjalë për vlerësimin e gabuar të afatit 3 vjeçar, ndërkohë që duhet referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç, e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021.

Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), është refuzuar si e pathemeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.

Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), është refuzuar në tërësi e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.

Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.

Lini një Përgjigje

Hebrenjtë krijues të shtetit të Dardanisë

Hungaria lejon vaksinën kineze – Orban dëshiron të vaksinohet me të