Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se ai do të dëshironte një përballje me kandidatët tjerë për kryeministër nga partitë tjera.
“Do të doja t’i kisha përballë edhe kandidatët tjerë dhe t’i krahasojmë programet tona për ekonomi, shëndetësi, politikë të jashtme… Të debatonim për këto programe pa u fyer, por vetëm duke i ballafaquar ato”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se debatet aktuale në Kosovë më shumë po kanë të bëjnë se kush është në lista e kush mbetet jashtë. Kjo nuk i intereson askujt”, ka thënë ai.
Sa i përket mundësisë që lideri i VV-së, Albin Kurti, të mbetet jashtë listës zgjedhore, Hoti ka thënë se ai garën zgjedhore dëshiron ta bëjë me ata që nuk kanë problem me ligjin.
“Duhet ta bëjmë garën zgjedhore me standard demokratike, e jo debate për listat zgjedhore”, ka thënë ai.
“S’jemi parti e Facebookut, dalim fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit”
Lidhur me sondazhet që po bëhen në Kosovë, kandidati për kryeministër nga LDK-ja dhe kryeministër aktual, Avdullah Hoti, ka thënë se sondazhet që po prezantohen janë bërë me metodologji jo adekuate dhe se askush nuk i merr parasysh.
Ai ka folur për matjet e LDK-së në terren.
“Matjet tona në terren tregon se strukturat tona janë plotësisht të angazhuara dhe ne do të jemi fitues”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, për të arritur këtë fitore, në terren janë angazhuar 50 mijë njerëz.
“Ne nuk jemi parti sezonale e as e facebookut, jemi parti 31 vjerçare”, ka thënë Hoti, duke shtuar se ata janë të shtrirë në çdo lagje, fshat e qytet të Kosovës.
“Janë mbi 50 mijë veta që angazhohen për fitoren tonë”, theksoi ai.
“Kosova i kthehet normalitetit në fillim të pranverës”
Sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, Hoti ka thënë se Kosova e ka përmbyllur vitin me pakon ekonomike të rimëkëmbjes më të madhen në rajon, duke shtuar se tashmë është e gatshme edhe një pako tjetër orej 200 milionë eurosh.
“Kjo na ka mundësuar neve që mos të kemi krizë ekonomike siç ka ndodhur me vendet tjera”, tha Hoti.
Sa i përket vaksinës antiCOVID, kryeministri në detyrë tha se vaksinimi në Kosovë fillon në muajin shkurt.
“Vaksinimin e kategorive të rrezikuara do ta përfundojmë në muajt mars dhe prill dhe do ta kthejmë normalitetin në këtë vend në fillim të pranverës. Bizneset të mund të bëjnë planifikime qysh tash për t’iu kthyer normalitetit”, ka thënë Hoti, duke paralajmëruar se gjatë verës mund të mbahen edhe dasmat.
Ai ka përsëritur se normaliteti në Kosovë do të kthehet në muajt e parë të pranverës me vaksinimin e plotë dhe se bizneset mund të bëjnë plan dikur nisur nga tash për të kaluar në gjendje normale. /RTKLive/


