in

Putini është hajn!

Turma ka thirrur kështu në qytetet në gjithë Rusinë më 23 janar, nisur nga Vladivostoku në Lindje të Largët, deri në Kaliningrad në Detin Baltik, duke u përballur me forca policore, ndërkohë që përballja e Aleksei Navalnyt me Kremlinin, ka hyrë në fazë të re.

Herën e fundit kur Rusia ka shënuar marshe të tilla, ka qenë marsi i vitit 2017, pasi Navalny ka publikuar një video, përmes së cilës ka akuzuar për korrupsion ish-kryeministrin, Dmitry Medvedev.

Protestat kombëtare janë iniciuar nga kritiku më i zëshëm i Kremlinit, i cili aktualisht është i burgosur. Mirëpo analistët besojnë se hetimi i ashtuquajtur “Pallati i Putinit” është përzier me burgosjen e Navalnyt, në një mënyrë që mund të ndryshojë bilancin politik në Rusi.

“Ekzistojnë dy motive për protestuesit, mirëpo ato janë duke u përzier”, ka thënë analisti politik Abbas Gallyamov për Radion Evropa e Lirë.

“Navalny është duke u bërë sinonim për luftën kundër korrupsionit”.

Navalny është kthyer në Rusi më 17 janar, pas pesë muajsh shërimi në Gjermani nga helmimi me agjent nervor Noviçok, sulm mbrapa të cilit beson se qëndron presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tani duket se ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për t’i ikur ndonjë dënimi të gjatë me burgim, siç janë kërcënuar autoritetet – duke sfiduar më fuqishëm pushtetin e Putinit.

Një ditë më vonë, ai është burgosur për një muaj dhe tani pret vendimin e gjykatës për një shkelje që mund të rezultojë me dënim me burgim për 3 vjet e gjysmë.

Para se të dërgohej në burg, ai u ka bërë thirrje rusëve që të dalin në rrugë, si shenjë solidariteti.

Në një video-raport të publikuar një ditë më vonë – që deri më tani është parë më shumë se 70 milionë herë në YouTube – ai u ka thënë shikuesve se Putin dhe mbështetësit e tij “do të vazhdojnë të vjedhin edhe më shumë, derisa të bankrotojnë gjithë shtetin”.

Teksa ka bërë publik hulumtimin që tregon për një pallat 1.36 miliard dollarësh në Detin e Zi, kinse në pronësi të Putinit, Navalny ka thënë: Rusia shet sasi të madhe të naftës, gazit, metaleve dhe plehut – mirëpo të ardhurat e njerëzve vazhdojnë të bien, sepse Putin ka pallatin e vet”.

Rusët janë përgjigjur me protesta ndaj këtyre deklaratave, duke marshuar në të paktën 60 qytete, në disa prej të cilave temperaturat kanë arritur deri në -52 gradë Celsius. REL

Lini një Përgjigje

Ankesat e partive politike nuk e shtyjnë datën e zgjedhjeve

SHBA, masa më të rrepta kundër COVID-19