in ,

Homazh në acar-Vdekja e Ibrahim Rugovës

Gani Mehmetaj

Mbi një milion shqiptarë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës. Ishte acar që s’mbahej në mend. Ishte pamje tragjike e madhështore njëkohësisht. Po e nderonin rrugëtimin e fundit të njeriut që e shënoi epokën. Morti i tij u bë një lloj pelegrinazhi si kurrë më parë.

Në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Nënë Tereza e kishte përqafuar presidentin Rugova, dhe pastaj ajo i ishte drejtuar presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, duke i thënë: “Zoti President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!” Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënë Terezës, ndër të tjera i kishte thënë: “Nënë, ndihem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lirë dhe po ndërton demokracinë”.

Dy kolosalët shqiptarë, Nënë Terezën e Ibrahim Rugovën, fati i nxori në një rrugëtim të përbashkët që njëra ta plotësonte tjetrin. Ata bënë punë të madhe.

Ndërkaq, Átë Zef Pllumi, një martir që rrnoi për me dëshmu, për Rugovën shkruante:“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Voitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet.”

Nënë Tereza vdiq e u varros në Kalkutë, disa vjet më parë. Ibrahim Rugova dergjej në shtratin e vdekjes. Botën shqiptare po e braktisin dy personalitetet më të rëndësishme të shekullit XX. Të gjithë prisnin kumtin për vdekjen e presidentit të shtetit të dytë shqiptar, Ibrahim Rugovës.

Kumti mori dheun: Pas një sëmundjeje të shkurtër e të rëndë, vdiq Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës. Kumti i shkurtër e pikëllues, atë ditë të zymtë dimri, e shtoi mërzinë e popullit që e priste një fund të tillë, por ndonjëherë sikur shpresonte ndryshe. Lajmi ishte i pritshëm, sepse që nga shtatori ai vuante nga një lloj i kancerit të rëndë. Javëve të fundit Rugova nuk mori pjesë në aktivitetet e përditshme shtetërore, nuk paraqitej në televizion e në gazeta.

Disa mua më herët Rugova e dha kumtin se mjekët i thanë që vuan nga kanceri. Por në kumtin që ia drejtonte kombit, çuditërisht kishte optimizëm të lehtë, diçka kaluese, sikur shpresonte se do ta tejkalonte këtë krizë shëndetësore, për t’iu kthyer punëve të përditshme, ose u jepte zemër shtetasve. Muaj me radhë ai punoi, ndërsa bënte kimioterapi, dilte në ekran me aktivitetet e shumta, sikur nxitonte t’i kryente disa punë më shpejt, që të mos i linte përgjysmë. Pak ditë para se të dilte publikisht për sëmundjen që e kishte mbërthyer, Rugova vuri themelet e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë. Kur u tha nga goja e tij me lehtësi të pazakonshme, sikur ka ca probleme, të cilat falë Zotit, do t’i tejkalonte, edhe ithtarët e tij nisën të besonin në mrekulli.

  Mbi një milion shqiptarë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës. Ishte acar që s’mbahej në mend. Ishte pamje tragjike e madhështore njëkohësisht. Po e nderonin rrugëtimin e fundit të njeriut që e shënoi epokën. Morti i tij u bë një lloj pelegrinazhi si kurrë më parë. Edhe i vdekur ai e vuri në qendër të vëmendjes sërish Kosovën, duke nxitur shtypin perëndimor t’i riktheheshin problemit të shqiptarëve të Kosovës dhe boshllëkut që po krijohej. Morti i tij i grishi shumë politikanë e burrështetas të vinin e t’i bënin nderimet e fundit personalitetit më të fuqishëm shqiptar. Shumë nga ato personalitete që e njohën: Bill Klinton, Toni Bler, Riçard Hollburk etj. dhanë deklarata fascinuese për personalitetin e tij. Ata nuk e fshihnin se Kosova e rajoni po humbte një njeri të rëndësishëm. 

Rugova i vdekur ua kujtoi edhe një herë shtetarëve të Evropës Perëndimore e të SHBA-së kontributin e madh që dha ai për vendin e tij, ndërkaq sikur i obligoi që këtij vendi të varfër e të sfilitur nga lufta, t’ia gjenin hapësirën në yjësinë e shteteve të Evropës.

Homazhe në acar 

Rreshtat e gjatë me kilometra, në acarin e dimrit, njërin ndër dimrat më të ftohtë  prej se mbahej në mend, ishin formuar para Kuvendit të Kosovës. Durimi i pritjes për t’ia bërë nderimet e fundit presidentit të vdekur, dëshmonte se ata e vlerësonin punën e tij njëzetvjeçare. Pikëllimi e mbërtheu qytetin, e pushtoi Kosovën, pesha e humbjes rëndonte mbi tërë hapësirën shqiptare. Atmosfera e përzishme si rrallë ndonjëherë gjatë historisë e pushtoi shtetin e ri në themelim e sipër. S’kishte nevojë për ndonjë kujdestar që do të mbikëqyrte rendin, as që do të mbante qetësi. Të gjithë ishin të heshtur e të pikëlluar, të gjithë shihnin në zbrazëti, prisnin nga mëngjesi deri në mbrëmje që t’ia jepnin përshëndetjen e fundit presidentit të tyre, që i ruajti dhe i kurseu nga aventurat, që i udhëhoqi drejt ëndrrës së madhe, ndërsa pati presione, mbase pati edhe tundime që t’ia kthente ndryshe, mirëpo i dinte pasojat.  

Për t’ia bërë nderimet e fundit kryetarit Rugova, erdhën shqiptarët nga territoret etnike (Maqedoni, nga Kosova Lindore, e Mali i Zi), por mijëra të tjerë erdhën nga Perëndimi e Shqipëria. Ishte një ndjenjë e papërjetuar, e paparë. Niste me kolonën e heshtur nga hoteli “Grand” e më poshtë, për të përfunduar te dyert e Kuvendit të Kosovës, në brendësinë e të cilit qe vendosur trupi i presidentit. Kjo të krijonte një atmosferë si në filma. Heshtje, muzika e përmotshme, lëvizjet e ngadalshme, njerëzit që kalonin përskaj kolonës, duke pëshpëritur, fërkim duarsh nga acari që të thante.  Të dukej një atmosferë surreale, e pazakonshme dhe e çuditshme. Askund nuk ishte parë një gjë e tillë: qytetarë që presin me durim të jashtëzakonshëm, sigurisht këmbët nuk i ndienin më nga të ftohtit, duart u mpiheshin, fytyra u digjte nga acari, ndërsa ata nuk donin t’ia dinin. Askush nuk përpiqej të futej pa rend, askush nuk kërkonte privilegje. Për herë të pare të gjithë ndiheshin të barabartë, të njëjtë në pikëllim. Humbja ishte e përbashkët. Një ndjenjë të cilën e ke vështirë ta përshkruash, sepse vetëm mund ta ndjesh e ta mbash për vete.

Me ekipin e redaksisë së gazetës “Bota sot” pritëm me durim, ngrinim, veshët nuk i ndienim për pjesë të trupit tonë, këmbët na ishin mpirë. Një ekip që merrej me organizmin e ceremonisë na futi brenda, na orientoi para vendit ku e kishin vënë arkëmortin me trupin e presidentit. Secili e përshëndeti në mënyrën e vet, duke ikur me një boshllëk në shpirt.

Ishin të paktë ata që nuk e ndien deri në palcë humbjen e njërit ndër personalitetet më të mëdha që patëm, ishin të paktë ata që nuk u emocionuan për vdekjen e tij, ashtu sikurse nuk qenë të paktë ata që pa dashje shtonin pyetjet: Po tash? Kush do të udhëhiqte shtetin? Me kë do të bënim institucionet? Edhe më të pikëlluar ishin ata të cilët mendonin se kur të na e pranonin pavarësinë zyrtarisht bashkësia ndërkombëtare, njeriu më meritor për këtë pavarësi nuk do të ishte ai që do ta shpallte dhe do ta gëzonte së bashku me qytetarët e tjerë.

Ceremonia e varrimit ishte ndër më madhështorët që është mbajtur në Gadishullin Ilirik dhe më gjerë. Një kortezh i gjatë, i gjatë, gati i pafund, ndërsa prapa shkonin disa nga personalitetet e njohura ndërkombëtare.

 Ajo që i turpëroi jo ceremoninë, por vogëlinë e tyre, ishte refuzimi i kreut të TMK-së që t’i bënin nderimet e fundit. U bë mirë që kjo trupë, shumë prej të cilëve qysh atëherë dyshohej se janë të kriminalizuar, nuk i bënë nderimet njërit ndër personalitetet më të mëdha të shekullit XX, sepse do ta turpëronin me praninë e tyre.

Lini një Përgjigje

21 janar 2006,15 VJETORI“

A do të shpërthejnë trazira të përgjakshme pasi iu ndalua Albin Kurtit të kandidojë?