Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Joe Biden me rastin e inaugurimit të sotshëm si president i ShBA-së.
Ajo nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë se Amerika është sinonim i demokracisë dhe i promovimit të vlerave dhe se raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-të, janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale.
Postimi i plotë i Vjosës:
Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden.
Në cilësinë e u.d. Presidentes, i uroj mbarësi në postin e presidentit të SHBA-ve, me besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se demokracia e këtij shteti do të vazhdojë të jetë referencë për gjithë globin.
Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-të, janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale.
Zoti e bekoftë miqësinë e perhershme me Amerikën!