Adriana Matoshi, Lumnije Mikullovci, Kaltrina Morina janë në mesin e kandidatëve për deputetë.
Të gjithë e njohin me emrin Sasa.
Aktorja, Adriana Matoshi, që u bë e njohur me këtë rol tek një serial vendor, ka mundësi që shikuesit ta shohin shumë më serioze në paraqitjet e saj.Aktorja që është edhe fituese e disa çmimeve nderkombëtare, i ka hyrë politikës, duke ju bashkuar listës së Vetëvendosjes për deputete.
Në këtë listë, Matoshi kërkon votën e qytetarëve, duke e bartur numrin 60.
Fushën e aktrimit, pritet ta lë edhe një personazh tjetër. 24 numra më poshtë në listën e VV-së, gjendet ajo që shkroi skenaret e disa prej serialeve të pasluftës. Lumnije Mikullovci, do të tentojë ta vazhdojë rrugën e bashkëshortit, Ademit, duke kërkuar votën për deputete.
Mikullovci më parë kishte punuar edhe si regjisore në Radio Televizionin e Kosovës.
Sigurimi i Kuvendit të Kosovës, mund të ketë punë edhe me një aktore tjetër. Aktorja e moderatorja, Kaltrina Morina, që ka të postuara disa fotografi me armë gjatë xhirimeve të një filmi i është bashkuar listës se AAK-së, për deputete.
Morina është radhitur si e 52-ta në këtë listë.


