Teatrot, sallat koncertale, kinematë dhe amfiteatrot po zëvendësohen me xhami e mejtepe, kurse aleancat strategjike me Italinë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe e ka zënë aleanca me Turqinë dhe Serbinë.
Gani MEHMETAJ
Dikur Shqipëria ishte zgjatim(bisht) i komunizmit sovjetiko-jugosllavë më të egrit në Evropë. Sot po bëhet zgjatim (bisht) i myslimanizmit turk më arrogantit dhe më ngatërrestarit në Evropë dhe në botë. Që të dy herët ishin aleanca të shpërfytyruara dhe të panatyrshme. Jugosllavia, që ishte Serbi e zgjeruar dhe Bashkimi Sovjetik, Rusia më e madhe në histori, i kishin armiq historikë, kurse Turqinë kurrë mik nuk e bëmë, sepse mbeti shija e hidhur e gjenocidit të dikurshëm.
Në dhjetëvjetëshin e fundit, kur ofertat perëndimore ishin të pakufishme, diplomacia e çoroditur shqiptare, konfuze dhe e shitur, po e shkëpuste shtetin dhe kombin nga kontinenti i vjetër, duke ia çrregulluar boshtin strategjik, me rrezik që ta përpijë vrima e zezë. Nga mosdija a nga ligësia shteti shqiptar u largua nga Italia, fqinji më i rëndësishëm strategjik përtej deti, qendra më e madhe e trashëgimisë kulturore në botë, me ndikim të fuqishëm në kulturën e qytetërimin tonë, që i mbështeti aq shumë shqiptarët pas rënies së komunizmit.Ata na ndihmuan në çlirimin e Dardanisë.
Aleancën strategjike me Italinë e zëvendësoi me shtetin e pështjelluar turk nga i cili pos xhamive e bakllavave nuk pati asnjë përfitim, ndërsa do të ketë pasoja të pariparueshme.
Tirana zyrtare u largua me vetëdije nga Franca, që është vendimtare për pranimin a mospranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropianë. Franca dikur i dha vulë ngritjes sonë kombëtare e qytetëruese, kishim mundësi ta bënim mik për kokë, sepse Parisi bëri shumë për çlirimin e Dardanisë, madje forca ushtarake franceze ishin vendimarrëse në NATO.
Shtetarët shqiptarë e zhgënjyen edhe aleatin historik Gjermaninë dhe Austrinë, duke u lidhur me Turqinë e Erdoganit që vetëm sa nuk u shpalli luftë Berlinit e Vjenës. Diplomacia shqiptare sikur i bënte paralelizëm Gjermanisë dhe Austrisë, shto edhe Francës, duke u takuar si për inat edhe më shpesh me Erdoganin. Ndërkaq, ndikimi i Austrisë e Gjermanisë e siguroi pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.
Kryeministrit shqiptar ia kanë mbyllur dyert burrështetasit evropianë e të SHBA-ve, e kanë izoluar në Tiranë si dikur Enver Hoxhën. I ka mbet Beogradi e Ankaraja. Për inat të kësaj situate, ai u hodh në prehrin e presidentit turk. Për inat të burrështetasve evropianë që e përbuzën të parin e Turqisë, ai e priti Edi Ramën me parada cirku dhe me ushtarë me uniforma cirkusantësh nga Muzeu i Top Kapisë së Stambollit.
Shpallja e Turqisë aleate strategjike, është zhvendosje e boshtit të orbitës shqiptare, është shpërfytyrim i gjeografisë shqiptare, është shkëputje nga Evropa. Këtë aleancë mund ta bënim me Italinë, me Gjermaninë, Francën, por kurrë me Turqinë. Është i njëjti gabim që e bëri Enver Hoxha me Jugosllavinë dhe me Bashkimin Sovjetik.
Dhe për zhvendosje aleancash nga lindja, i rrënuam teatrot, i lamë pas dore kinematë, sallat koncertale, ndërsa ndërtojmë xhami, qindra e mijëra xhami. Operat italiane po i zëvendësojmë me britma të hoxhallarëve, teatrot me mejtepe. Ishte rasti që të ashtuquajturën Xhami e Plumbtë, që ishte kishë katolike e shqiptarëve, ta kthejmë në kishë si trashëgimi kombëtare , por Turqia këmbënguli ta bëjë prapë xhami.
Zhvendosja e shtetit shqiptar në Lindje është e frikshme me pasoja që të rrëqethin, kur i mendon.


