in

Çfarë po lë pas Donald Trampi?

Përgatiti Valmir Mehmetaj

Pushtimi i Kongresit dhe fitorja e Demokratëve në Gjeorgji do të ndryshojë rrjedhën e presidencës së Bajdenit.

Katër vjet më parë Donald Trampi po qëndronte para ndërtesës së Kapitolit për t’u betuar në zyrën presidenciale dhe premtoi se do t’i jepte fund valës së krimit e vdekjeve nga droga për të cilën tha se është “masakra amerikane”. Tani mandati i tij është duke përfunduar me një president që i kërkon turmave të marshojnë në Kongres – e pastaj i lavdëron edhe pse kishin përdorur dhunë. Mos dyshoni nëse ishte apo jo z.Trump autori i këtij sulmi vdekjeprurës në zemrën e demokracisë Amerikane. Gënjeshtrat e tij ushqyen pakënaqësitë, e mosrespektimi i tij për kushtetutën i fokusoi ato në Kongres, ndërsa demagogjia e tij ishte gaca ndezëse.

Fotografitë e turmës që sulmonin Kongresin, u transmetuan me gëzim në Moskë dhe në Pekin, derisa në Berlin e në Paris, u përcollën me mjaft trishtim. Janë edhe imazhet trashëguese të presidencës jo-amerikane të z.Tramp.

Dhuna në Kongres pretendonte të ishte një shfaqje e fuqisë. Por në fakt ajo maskoi dy humbje. Ndërsa mbështetësit e z.Trump po hynin duke thyer, Kongresi po vërtetonte rezultatet e humbjes së pakontestueshme të presidentit në nëntor.  Ndërsa turma po shkatërronte dritaret, demokratët po festonin dy fitore të papritura në Gjeorgji që iu dha atyre kontrollin e Senatit.

Pasi fitoi Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti shumicën në Kongres më 2016, humbja në Gjeorgji do të thotë se partia republikane i ka humbur të gjitha vetëm katër vjet më vonë. Hera e fundit që kjo u ndodhi republikanëve ishte në vitin 1892, kur lajmi për poshtërimin e Benjamin Harrisonit udhëtoi me telegraf.

Normalisht, kur një parti politike pëson humbje në një shkallë të tillë, ajo merr disa mësime dhe kthehet më e fortë. Kjo është ajo që bënë republikanët pas humbjes së Barry Goldwater në 1964 dhe demokratët pasi Walter Mondale humbi në 1984. Mirëpo, rikthimi do të jetë më i vështirë kësaj radhe. Edhe pse ka humbur, përkrahja për z.Tramp nga republikanët është rreth 90 për qind, shumë më mirë sesa 65 për qind sa kishte George W.Bush në muajin e fundit të presidencës së tij.  Z.Tramp e ka shfrytëzuar këtë popullaritet për të krijuar mitin se ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale.  Sondazhet e YouGov për The Economist zbulojnë se 64% e votuesve republikanë mendojnë se fitorja e Z. Biden duhet të bllokohet nga Kongresi.

Ndoshta 70% e republikanëve në Dhomë dhe një e katërta në Senat iu bashkuan këtij komploti duke u zotuar se do përpiqeshin ta bllokonin z.Biden, e për turpin e tyre shumë prej tyre nuk hoqën dorë as pas sulmit të Kongresit. Ky marifet anti-demokratik, nuk ka kurrfarë precedenti në epokën moderne (e as shans për sukses). E megjithatë është shenjë e qartë e sundimit malinj të z.Tramp. Pasi panë se si z.Tramp shkatërroi karrierën e besnikëve si Jeff Session dhe pothuajse i vetëm zgjodhi Ron DeSantis guvernatori të Floridës, ata që përballen me zgjedhje nëpër vendet e tyre janë të tmerruar për ta provokuar në çfarëdo mënyre.

Mitin zgjedhor të cilin e ka sajuar z.Trump, mund ta ketë ndërprerë unazën e nevojshme për reagime brenda partisë që do të sillte ndryshime. Por të heqësh dorë nga një udhëheqës i dështuar dhe strategjisë së degraduar të tij është një gjë,  krejt tjetër gjë është të braktisësh dikë që ju dhe shumica e miqve tuaj mendoni se është presidenti legjitim, dhe të cilit iu mor pushteti përmes një mashtrimi gjigant nga armiqtë politikë.

Nëse mund të dal diçka e mirë nga kryengritja e kësaj jave, atëherë ajo është se kjo mënyrë e të menduari ka humbur mbështetësit e saj. Pamja e një simpatizanti të Trampit që rri në karrigen e Kryesuesit të Kongresit duhet të tmerrojë votuesit republikanë te cilët besojnë se partia e tyre është parti e rendit dhe e kushtetutës. Të dëgjosh z. Tramp duke nxitur trazira në Kapitol Hill mund të bindë pjesë të Amerikës së mesme t’ia kthejnë shpinën përgjithmonë.

Për z. Biden, shumë varet nëse republikanët skeptikë në Senat janë të një mendimi. Kjo sepse, fitoret për Jon Ossoff dhe Raphael Warnock, i pari afrikano-amerikan që u zgjodh si demokrat në Senat nga Jugu, kanë zvogeluar mundësinë që qeveria në Uashington, DC, të ballafaqohet nga pengesat e Republikanëve dhe marifetet Trumpiane.

Një javë më parë, kur pikëpamja konvencionale ishte se Senati do të mbetej nën kontrollin e Republikanëve, dukej sikur ambiciet e administratës së z. Biden do të kufizoheshin vetëm në ato që ai mund të përmbushte përmes urdhrave ekzekutivë dhe emërimeve në agjencitë rregullatore.

Demokratët gjithashtu mund të jenë në gjendje të marrin disa masa përmes Senatit përmes pajtimit, një procedure kjo që lejon faturat e buxhetit të kalojnë me një shumicë prej një ose më shumë votash, në vend të 60 votave sa është e nevojshme që të shmanget procedura obstruktioniste filibuster (procedurë politike ku një ose më shumë anëtarë të parlamentit ose kongresit debatojnë mbi një pjesë të propozuar të legjislacionit përtej asaj që është e nevojshme, dhe e zgjasin pambarimisht në mënyrë që të vonojnë ose të parandalojë plotësisht marrjen e një vendimi). Procedura filibuster duket se do të mbetet, sado që krahu i majtë i partisë dëshironte ta hiqte atë.

Aty ku hyjnë në lojë republikanët është në hapësirën ku duhen votat ndërpartiake. Sa më shumë që ata të ndiejnë se Amerika e Mesme është e tmerruar nga trazirat, aq më shumë ka të ngjarë që disa prej tyre të refuzojnë nihilizmin e bllokimit të gjithçkaje për hir të bllokimit të kundërshtarëve.

Për republikanët, kostoja e marrëveshjes së mallkuar që partia e tyre bëri me z.Tramp nuk ka qenë kurrë më e qartë. Rezultatet e zgjedhjeve në nëntor dhanë shenja se një parti e reformuar republikane mund të fitoj përsëri zgjedhjet kombëtare. Votuesit amerikanë janë mjaft syçelë e dyshues ndaj qeverisë së madhe, prandaj nuk kanë zgjedhur një parti për më shumë se dy mandate radhazi në Shtëpinë e Bardhë që nga viti 1992. Por që të bëhen të suksesshëm dhe, më e rëndësishmja, që të forcojnë demokracinë e Amerikës edhe një herë në vend që ta kërcënojnë atë, ata kanë nevojë që ta largojnë z.Trump. Sepse, përveç që është një humbës i përmasave historike, ai dëshmoi se ka vullnet të nxisë trazira edhe në Kongres. The Economist

Lini një Përgjigje

A do të nisin hetimet për rolin e Donald Trumpit në trazira

Autoritetet në kërkim të sulmuesve të Kongresit