in

Ç’mendim ka Hoti për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, njëherësh edhe kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në emisionin “Debat” të RTK-së, ka komentuar pikëpamjet politike të  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja. 

“Ai ka qenë në anën e gabuar historikisht, çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend ai ka qenë kundër dhe nuk duhet të merret shumë seriozisht. Ka qenë kundër Planit të Ahtisaarit me të cilin e kemi shpallur pavarësinë, ka qenë kundër marrëveshjes së Uashingtonit dhe dilte në foltore të Kuvendit dhe e quante Shtëpinë e Bardhe herë të kuqe e herë të verdhë”, ka thënë Hoti për Kurtin.

Sipas tij, sa ai ishte zëvendës i Kurtit kur ai ishte kryeministër e ka lutur atë që të shkojë në SHBA.

“Unë e kam lutur Kurtin të shkojë në SHBA dhe i kam kërkuar vazhdimisht që të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare dhe të marrë përgjegjësi si kryeministër i vendit dhe të vendosë komunikimin me Shtëpinë e Bardhë dhe të shkojë atje. Pra, Kurti kishte qëndrime të kundërta me LDK-në sa i përket qëndrimit ndaj SHBA-ve”, ka thënë ai.

Tutje Hoti tha se LDK-ja dhe ai asnjëherë nuk i kanë bërë hile Kurtit sa ishte kryeministër.

“Asnjëherë nuk i kemi bërë hile, sepse këto janë qëndrime të LDK-së që nuk lejojnë të cenohet miqësia me Amerikën. Bashkëpunimit tonë me cilëndo parti politike i ka paraprirë një marrëveshje e koalicionit të cilën e kemi negociuar dhe nuk kemi bërë kompromis në asnjë pikë të marrëveshje dhe parim të LDK-së. Edhe në të ardhmen do të jetë e njëjta formulë në një marrëveshje të qartë duke respektuar parimet që i ka LDK-ja.

Po ashtu kryeministri Hoti ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja.

“Edhe një anëtar i thjeshtë të largohet është shumë, e lërë me njëra nga figurat kryesore të partisë. Mirëpo, ajo e ka zgjedhur rrugën e vet dhe ne e vazhdojmë rrugën tonë”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, të gjithë ata që janë larguar nga LDK-ja e kanë pasur fatin e njëjtë pa përjashtim dhe disa edhe janë kthyer në LDK.

Ai ka thënë se ruan raport institucional me Vjosa Osmanin si ushtruese e detyrës së presidentit të vendit.

“Para së të hyja në studion tuaj fola në telefon me zonjën Osmani për datën e zgjedhjeve dhe ende nuk ka datë dhe kjo duhet të diskutohet dhe të vendoset më pas. Kemi komunikim ndërinstitucional, edhe pse ajo e ka zgjedhur rrugën e vet politike, tjetër rrugë nga ne”, ka thënë ai.

Ai tha se me vendimin e Osmanit që të garojë jashtë LDK-së e arsyeton vendimin për shkarkimin e saj nga funksionet brenda LDK-së.

“Jam i bindur që ajo jashtë LDK së nuk ka të ardhme politike. E kanë provuar të tjerët, figura të rëndësishme dhe janë kthyer dhe pres që ajo do të kthehet”, tha Hoti

Vendim historik për FSK-në dhe Kosovën

Kryeministri Hoti e ka komentuar edhe vendimin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës që e miratoi vendimin që trupat ushtarake të Kosovës të dërgohen në misione paqeruajtëse në kuadër të Ushtrisë amerikane.

“Është vendim historik, e vendos Kosovën në pjesën e vendeve demokratike. Një ëndërr e bërë realitet, prej viteve 90-ta për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e SHBA-ve i jep kuptim shpreshjes për miqësi të përjetshme”, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e mekanizmave ndërkombëtare, e kjo sipas tij arrihet përmes dialogut me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë është i rëndësishëm për ta përfunduar këtë proces. Dhe e dimë se në fillim të këtij viti, me një qeveri tjetër, ka pasur qëndrime për tërheqjen e trupave amerikane, pastaj ngrirja e fondeve të MCC-së. Dërgimi i forcave tona është mesazh i qartë i mbështetjes amerikane dhe kësaj qeverie dhe qasjes që kemi pasur dhe vizionit se kah duhet të shkojë Kosova”, ka thënë Hoti

A ka rezistencë në hartimin e listës së kandidatëve të LDK-së

Ndërkaq në pyetjen se a ka pasur rezistencë dhe kundërshtim brenda LDK-së për nominimin e tij si kandidat për kryeministër brenda partisë, z. Hoti mohoi një gjë të tillë.

“Unë kam kërkuar që të diskutohet brenda partisë që ta marrim vendimin më të mirë dhe cila është zgjidhja më e mirë në rrethanat që jemi. Jam shumë i kënaqur me diskutimin që kemi bërë brenda LDK-së dhe vendimeve që kemi marrë. Unë jam duke u marrë intensivisht se kush duhet të jetë në listën zgjedhore të LDK-së. E kemi një vendim të Këshillit të Përgjithshëm që janë vendosur disa kritere për kandidatura. Nga 110 kandidatë që do t’i kemi në listë, pjesa më e madhe e kandidatëve vijnë nga degët e LDK-së”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nuk ka presion nga kandidatët që të futen në listë, pasi që ekziston një rend shtëpiak në LDK.

“Vijnë propozime nga degët dhe ato shkojnë përmes kritereve. Pastaj është lista tjetër që është në diskrecionin e kandidatit për emrat tjerë. Jam i interesuar që të kemi kandidat nga diaspora, emra të rëndësishëm nga diaspora, njerëz të biznesit. Njerëz që kanë qenë zë i arsyeshëm edhe në shoqërinë civile”, tha ai.

Sipas tij, brenda pak ditësh do të finalizohet lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë.

“Unë i prij listës dhe unë e kam diskrecionin e plotë për ta kompozuar listën e plotë të LDK-së. Problem e kemi për të reduktuar numrin e kandidatëve në 110, sepse ka shumë interesim”, ka thënë Hoti. /RTKLive/

 

Lini një Përgjigje

Trump prononcohet pas thirrjes nga Biden

Smakaj lavdëron punën që ka bërë AKI-ja