Që nga Revolucioni Islamik më 1979, Irani ka shfrytëzuar organizatat fetare për të zgjeruar ndikimin e tij jashtë vendit. Universiteti Ndërkombëtar Al-Mustafa, është ndër kryesorët, me një rrjet seminaresh fetare me qendër në qytetin e shenjtë Shiit të Qomit që ka degë në rreth 50 vende.
Universiteti pretendon se ofron mësime teologjike myslimane shiite, shkencë islamike dhe gjuhën kombëtare të Iranit, persisht, për dhjetëra mijëra studentë të huaj në të gjithë Azinë, Evropën, Afrikën dhe Amerikën e Jugut.
Por, kundërshtarët e Teheranit thonë se universiteti ka qenë i përfshirë në spiunazh dhe ka rekrutuar luftëtarë të huaj për Iranin në luftën e Sirisë.
Për vite, ekspertët kanë ofruar fakte për rekrutimin, trajnimin dhe vendosjen e mijëra luftëtarëve shiitë në Siri për të mbrojtur presidentin e vendit, Bashar al-Assad, aleatin kryesor të Teheranit në luftën civile shkatërruese që shpërtheu më 2011.
‘Platforma e rekrutimit’
Më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione për rrjetin masiv të universitetit. SHBA-ja pretendon se rrjeti ishte i përfshirë në rekrutimin e studentëve afganë dhe pakistanezë për të luftuar në konfliktin sirian.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha se forca elite e Iranit – Kuds, e cila është krahu i operacioneve jashtë shtetit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), përdori degët e huaja të universitetit si një “platformë rekrutimi” për “mbledhjen dhe operacionet e inteligjencës”, duke përfshirë rekrutimin për milicitë pro-iraniane.
Departamenti i Thesarit në SHBA pretendon se Forcat Kuds përdorën Universitetin Ndërkombëtar Al-Mustafa si një “mbulesë” për të rekrutuar afganë për formacionin që është në listë të zezë – Brigadën Fatemiyoun, një milici pro-iraniane që luftoi në Siri.
Thesari tha se Forcat Kuds gjithashtu përdorën kampusin e Universitetit Al-Mustafa në Qom “si një terren rekrutimi” për studentët pakistanezë në mënyrë që ata t’i bashkohen Brigadës Zeynabiyoun, një milici e cila përbëhej nga shiitët pakistanezë, e cila po ashtu është në listë të zezë.
SHBA-ja thotë se “shumë student të këtij universiteti janë vrarë duke luftuar në Siri”.
Përmes një deklarate më 9 dhjetor, universiteti tha se promovon “paqen, miqësinë dhe vëllazërinë midis kombeve” dhe kritikoi vendimin e SHBA-së, duke e quajtur atë si “hegjemonist”.
‘Individë me Vlera të Larta’
Bashkëpunëtori i lartë në Institutin për vendet arabe të Gjirit, me seli në Uashington, Ali Alfoneh, i cili ka monitoruar nga afër aktivitetin e IRGC në Siri, tha se, sipas bazës së të dhënave të tij nga janari i vitit 2012 deri në dhjetor 2020, në luftimet në Siri janë vrarë 3.059 luftëtarë iranianë dhe aleatë të tyre të huaj.
Alfoneh thotë se, vetëm tre ishin studentë ose të diplomuar në Universitetin Ndërkombëtar Al-Mustafa – i njohur si Universiteti Jamiat al-Mostafa në Iran.
“Kjo tregon se Jamiat al-Mostafa kurrë nuk ka shërbyer si terren kryesor i rekrutimit për përpjekjet luftarale të IRGC në Siri”, thotë ai.
IRGC rekrutoi mijëra migrantë dhe refugjatë afganë brenda kufijve të tij dhe në mënyrë të përgatiti qindra shiitë brenda Afganistanit. E njëjta strategji u përdor për të rekrutuar pakistanezë.
Alfoneh thotë se “tre individët e identifikuar duket se kanë qenë në pozita komanduese, të inteligjencës ose indoktrinimi politiko-ideologjik”.
Sipas tij, kjo do të thotë se IRGC i perceptoi të diplomuarit ose studentët e Universitetit Ndërkombëtar Al-Mustafa si “individë me vlera të larta”.
Luftëtarët e rregullt në forcat e stërvitura dobët të brigadave Fatemiyoun dhe Zeynabiyoun u përdorën shpesh si vija e parë e sulmit.
Alfoneh thotë se IRGC i sakrifikoi luftëtarët afganë, duke marrë parasysh investimin e dobët të ndërmarrur për t’i stërvitur dhe ekspozimin me të cilin u përballen ata në fushën e betejës.
Numri i përgjithshëm i anëtarëve të Fatemiyoun që luftuan në Siri është i paqartë. Ekspertët vlerësojnë se ai ishte midis 5.000 deri në 20.000, megjithëse Alfoneh thotë se shifra ka të ngjarë të jetë rreth 5.000.
Autoritetet iraniane thanë se luftëtarët udhëtuan vullnetarisht në Siri për të mbrojtur vendet e shenjta shiite. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se migrantëve dhe refugjatëve afganë në Iran iu ofruan shpërblime financiare dhe leje qëndrimi iraniane për t’iu bashkuar luftës në Siri.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vlerëson se mund të ketë rreth 3.5 milionë refugjatë dhe migrantë afganë të dokumentuar dhe të padokumentuar që jetojnë në Iran.
Në anën tjetër, Teherani ka dëbuar shumë afganë dhe në mënyrë sistematike kërcënon me dëbim masiv ata që qëndrojnë në vend.
Komandant afgan
Midis tre studentëve ose të diplomuarve të Al-Mustafës të vrarë në Siri ishte edhe, Seyyed Hashmat-Ali Shah, një shtetas pakistanez dhe i diplomuar në Al-Mustafa. Ai ishte një anëtar i Brigadës Zeynabiyoun dhe u vra në luftime në Siri në shtator të vitit 2016.
Një tjetër shtetas pakistanez ishte Mohammad-Hussein Momeni, i njohur gjithashtu si Mohammad Hosseini, një student në Al-Mustafa i cili u vra në Siri në prill të vitit 2017.