Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka reaguar përmes Facebook-ut, pas shumë komenteve që janë bërë ditëve të fundit në rrjete sociale lidhur me ardhjen e diasporës për pushimet e dimrit në Kosovë, veçmas pas denigrimeve që u bëhet mërgimtarëve tanë.
“Ne shqiptarët vërtet jemi të çuditshëm, kur nuk kemi armiq i krijojmë ata nga vetvetja. Athua vallë pse?! Ne vërtet kemi gabime, huqe e vese, por nuk duhet të harrojmë se çdo fitore e kemi arrit vetëm kur jemi unifikuar, kur kemi bashkëndje dhimbjen e njëri tjetrit, kur i kemi zgjatë dorën njëri tjetrit, kur kemi lidh besën për të vdek për njëri tjetrin, andaj si guxojmë t’i injorojmë virtytet tona, nuk kemi nevojë ta mohojmë njëri tjetrin sepse nuk jemi komb i lig”, ka thënë deputetja e LDK-së, përmes një shkrimi në Facebook.
‘Nuk pajtohem qe diasporën tonë ta fyejmë, ta poshtërojmë e ta linçojmë sepse nuk e meritojnë, vëllezërit e motrat tona të shpërndarë nëpër botë, gjithmonë ishin dhe janë me ne e pran nesh, ishim dhe jemi një. Poashtu nuk pajtohem, as kur pretendojmë t’i glorifikojmë, këdo qoftë, por ne nuk mund dhe nuk duhet të ndahemi në: ne e diaspora, mysliman e katolik, popull e politikanë, mjekë e pacient e kështu me radhë…sepse vlerësimi e as përgjegjësia nuk është kolektive, por asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë se ne jemi komb i vogël dhe nuk e kemi luksin ta luftojmë e ta linçojmë njëri tjetrin. Të bashkuar jemi më të mirë e të pa mposhtur”, ka thënë ajo.