Seanca e sotme ndërpreu punimet, për të vazhduar nesër në orën 11:00, me pikat e mbetura.
Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës filloi me dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Pasi reshti koha për pyetjet parlamentare, kryesuesja e seancës vijoi me interpelancën e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila, si parashtruese e kësaj kërkese, paraqiti një rezyme rreth situatës për dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k , HC “Deçani” dhe HC “Belaja”, si dhe problemeve të mëdha që kanë ndodhur në këtë zonë.
Ajo tha se si rezultat i punimeve për ndërtimin e këtyre HEC-ve kanë humbur gjashtë burime me ujë të pijshëm për qytetarët, me prurje rreth 8 litra në sekondë, duke shkaktuar dëme të mëdha të ndotjes së ambientit si dhe degradimin e lumit në Deçan etj. Ajo theksoi ndër të tjera se e drejta për shfrytëzim nga 5 vjet sipas ligjit, kjo kompani ka siguruar leje të jashtëligjshme 40-vjeçare.
Më pas ministri Kuçi në fjalën e tij theksoi se situata është shumë e vështirë sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Lidhur me licencat, ai tha se përderisa ishte duke u hetuar ky proces, nuk është dashur të lëshohen licencat për “Kelkos” dhe se dhënia e lejes mjedisore nuk është dhënë nga ai.
“Normalisht nuk i iki përgjegjësisë, unë jam ministër, edhe pse nuk e kam nënshkruar një dokument të tillë. Është përgjegjësi e zyrtarëve dhe sekretarit. Në bazë të shpjegimeve që ata m’i kanë bërë mua, në bazë të argumenteve që më kanë ofruar, disi jam bindur që për dy objektet që i kanë lëshuar kanë pasur të drejtë. Për objektin tjetër që është bërë debat edhe sot do të bëhet debat ne nuk kemi lëshuar asnjë leje. As leje ujore e as lejen e përdorimit, edhe pse procesi ka shumë kohë që është kryer. Objektet janë ndërtuar, por lejet nuk i kanë marrë”, tha ai.
Interpelanca vijoi me diskutime të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit. Iniciuesja e interpelancës, Mimoza Kusari-Lila paraqiti rezolutën, për votimin e të cilës nuk u arrit numri i votave të nevojshme.
Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për letërnjoftimet, të cilin para Kuvendit e paraqiti dhe arsyetoi ministri ministri i Brendshëm, Agim Veliu.
Pas shterjes së diskutimeve, as për këtë pikë të rendit të ditës nuk kishte kuorum për vendimmarrje, përkundër prezencës së mjaftueshme të deputetëve në sallë.
Sidoqoftë, Kuvendi miratoi statutet e katër universiteteve publike: Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Statutet i paraqiti ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ndërsa raportin e komisionit funksional për Arsim, deputetja Valentina Bunjaku Rexhepi.


