in

Nuk u votua as sot në komision buxheti për vitin 2021

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Hekuran Murati mbajti sot mbledhjen e radhës.

Në fillim të mbledhjes me vota unanime u miratua raporti vjetor i punës së Komisionit për Ndihmë Shtetërore dhe Raporti i Ndihmës Shtetërore për vitin 2019, ndërsa po ashtu anëtarët e Komisionit unanimisht votuan për Projektligjin nr.07/L-029 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-049 për deminim humanitar.

Pas këtyre dy pikave, mbledhja vijoi me shqyrtimin e kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021.

Kërkesën e prezantoi dhe e arsyetoi para deputetëve, drejtori ekzekutiv i FKPK Adrian Zalli, i cili tha se taksa menaxhuese për vitin 2021 do të jetë 0.32 për qind, që sipas tij është 250 mijë euro më e lirë sesa në vitin 2020.

Kjo ulje, sipas kryetarit të Komisionit Hekuran Murati është e mirëpritur dhe është në vijën e kërkesave të Komisionit për Buxhet dhe Transfere për reduktime të shpenzimeve.

Ndërsa, kryesuesi i Bordit të FKPK-së, Ruzhdi Morina tha se nëse ka tepricë të mjeteve, të njëjtat do t’u kthehen kontribuesve të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Pas këtij debati, kërkesa u hodh në votim dhe mori votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Komisioni në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019, të cilin e prezantoi drejtori i këtij institucioni Shaip Havoli.

Ai tha se janë shpenzuar vetëm 75 për qind të buxhetit, pasi që nuk ka pasur aktivitete të prokurimit, sepse nuk ka pasur investime kapitale.

Havolli është përgjigjur në pyetjet e deputetëve, të cilët janë interesuar kryesisht në lidhje me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, e që, sipas tyre nuk po bëhen publike nga AKK.

Por, drejtori Havolli sqaroi se ka raste të mëdha konfliktit të interesit që për shkak të ndjeshmërisë nuk i kanë bërë publike, por i kanë dërguar drejt në Prokurori.

Pas shterimit të debatit, raporti vjetor financiar i AKK-së për vitin 2019, u miratua nga të gjithë anëtarët e Komisionit, dhe i njëjti rekomandohet Kuvendit për miratim.

Komisioni vijoi punën me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019, të cilin e prezantoi kryetari i Bordit të RTK-së Sali Bashota.

Sipas tij, raporti financiar për vitin 2019 është vonuar sepse në periudhën janar-dhjetor 2019, edhe Bordi, por edhe menaxhmenti i RTK-së ka qenë jo i kompletuar.

Duke arsyetuar raportin, Bashota theksoi mungesën e infrastrukturës së duhur në RTK, gjë që, sipas tij, po ndikon edhe në performancën e punës së televizionit publik.

Lidhur me raportin vjetor financiar të RTK-së, deputetët, patën kritika që lidheshin me destinimin e buxhetit dhe shpenzimin e tij.

Në mungesë të kourumit, raporti vjetor financiar u la që të votohet në një mbledhje tjetër, e po ashtu edhe votimi në parim i Projektligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Lini një Përgjigje

Kosovë, 561 raste pozitive dhe 11 raste të vdekjes nga koronavirusi

Vuçiq: Po të nënshkruaja pavarësinë e Kosovës, do të merrja çmimin Nobel për Paqe