in

Pinjollët e familjes Kryeziu në rrethanat e ndryshme historike

(Nga sesioni shkencor “Lëvizja Kryeziu” në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore, të mbajtur në Prishtinë me 23.09.2006 në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë nën patronatin e dy kryeministrave prof.dr.Sali Berisha dhe gjeneral Agim Çeku.)

Historiku i familjes Kryeziu është me interes për historinë kombëtare shqiptare. Ndriçimi objektiv i së kaluarës së kësaj familjeje është larje borxhi dhe me interes shkencor dhe shoqëror.

Prof. dr. Izber Hoti

Të dhënat e para, dhe fatkeqësisht të vetmet deri më tash, për familjen (oxhakun) Kryeziu gjenden në Historinë e popullit shqiptar në të gjitha botimet e deritashme. Në këtë histori në një pasues të vetëm të saj familja Kryeziu llogaritet si njëra ndër familjet e shquara shqiptare, përkatësisht oxhak, siç është e njohur në traditën historike. Mirëpo,me kaq përfundon historia e kësaj familjeje, siç ndodh edhe me shumicën e familjeve të tjera shqiptare. Natyrisht, kjo është një mangësi e madhe e historiografisë sonë, e cila me kohë duhet të plotësohet, sepse ndryshe as që mund të paramendohet shkrimi i plotë i historisë së shqiptarëve.

Të dhënat se familja Kryeziu ishte njëra ndër oxhaqet e njohura me 7.500 hektarë tokë, ani pse janë domethënëse, nuk mjaftojnë për ndriçimin e plotë të historisë. Megjithatë, nga autorët e Historisë së popullit shqiptar është hetuar mirë rëndësia e këtyre të dhënave dhe mendoj se kushdo që do të përpiqet ta shkruajë historinë e kësaj familjeje duhet t’i ketë mbështetje kryesore këto fakte.

Pra, pasuria dhe pozita e kësaj familjeje në shoqëri janë të pakapërcyeshme për ndriçimin e së kaluarës dhe qëndrimin dhe veprimtarinë e familjes Kryeziu në rrjedhat dhe rrethanat e ndryshme historike. Kështu, edhe pse nuk janë bërë hulumtime të mjaftueshme mendoj se është i qëndrueshëm vlerësimi i autorëve të Historisë së popullit shqiptar se pinjollët e familjes Kryeziu që nga shekulli XVIII bënin pjesë në nacionalistë e moderuar (sintagma nacionalistë të moderuar mendoj se duhet ndryshuar në nacionalistë të matur apo nacionalistë të politikës realiste). Menjëherë duhet shtuar se shumë nga familjet e njohura shqiptare të kësaj kohe, si dhe ato që patën rol të madh në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë i përkisnin kësaj rryme dhe lagjeje politikanësh. Në këtë frymë është i pakapërcyeshëm roli i Riza bej Kryeziut në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ndërsa vlerësimet që veprimtaria e tij kombëtare është e moderuar nuk ulë fare vlerën e saj kombëtare, por përkundrazi për historinë si shkencë është shumë e rëndësishme, sepse dëshmon ekzistencën e rrugëve të ndryshme të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. Kështu do të duhej të merrej edhe qëndrimi i këtij pinjolli të familjes Kryeziu (Riza bej Kryeziut) në kohën e formimit të Lidhjes së Pejës, si dhe qëndrimi i tij karshi rrjedhave politike dhe luftarake në Kosovë (Shqipëri) dhe në Stamboll.

Pinjollët e familjes Kryeziu nuk braktisën Lëvizjen Kombëtare Shqiptare as në prag dhe në kohën e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa në kohën e luftërave ballkanike dhe të dy luftërave botërore, si dhe pas këtyre ngjarjeve të rëndësishme shumica e të shquarve të kësaj familje vazhduar luftën kombëtare, duke ruajtur edhe interesat e tyre ekonomike dhe shoqërore.

Falë pozitës së tyre shoqërore pinjollët e familjes Kryeziu do të angazhohen edhe kundër Revolucionit të Qershorit në Shqipëri të vitit 1924 me bindje se ishte pjellë e bolshevizmit rus.

Përkundër rrjedhave me kthesa të mëdha që kishte goditur familjen Kryeziu, pinjollët e kësaj familje mbajtën gjatë gjithë kohës ndërmjet dy luftërave botërore

orientim pro perendimor. Kuptohet, historia e kësaj familjeje në këtë periudhë kohore ishte shumë interesante, mirëpo ajo nuk mund të ndriçohet e vlerësohet objektivisht me qasje të njëanshme dhe të pa thelluara. Mendoj se me këtë rast shumë më afër realitetit është kujtesa dhe tradita historike se sa kontributet e shkruara, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim bëhen këto qasje.

Se është kështu mjafton të dëgjohen dhe analizohen këngët folklorike dhe të krahasohen ato me atë që është shkruar deri më tash.

Qëndrimi dhe veprimtaria e pjesëtarëve të shquar të familjes Kryeziu do të ndryshojë shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht kur qëndrimet lidhen me forcat fqinje dhe diplomacinë në përgjithësi. Në të vërtet të zhgënjyer dhe të irituar nga qëndrimet dhe veprimet e fqinjëve sllavë që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore vëllezërit Kryeziu do të përpiqen të lidhen dhe t’i bënin aleatë forcat perëndimore, para të gjithave forcat angleze. Siç ishte edhe në natyrën e familjeve të pasura shqiptare, veprimtaria e familjes Kryeziu do të shquhet me luftën e saj kundër depërtimit dhe veprimit të komunizmit, mirëpo bartësit e politikës dhe të luftës së familjes Kryeziu në këtë kohë nuk do të ngurrojnë të luftonin kundër nazifashizmit edhe me kusht të bashkëpunimit me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës, përkatësisht të Jugosllavisë, të cilën përherë e kundërshtuan këto dy lëvizje.

Një kundërshtim të tillë nuk e bën misionarët anglezë dhe të huaj të tjerë antifashistë dhe për ta vëllezërit Kryeziu ishin dhe mbetën faktorë me rëndësi të rrjedhave politike dhe luftarake të Luftës së Dytë Botërore. Ky qëndrim i aleatëve pengonte së tepërmi Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës, natyrisht me përjashtim të disa pjesëtarëve, madje të shquar të këtyre lëvizjeve (Fadil Hoxha p.sh., ani pse edhe ky pas insistimit të nacionalçlirimtarëve të tjerë me orientime pro Jugosllave u detyrua të heq dorë). Si pasojë vëllezërit Kryeziu (Hasani, Ganiu dhe Saidi), që nga gushti i vitit 1944 nga këto lëvizje u shpallën nacionalistë, që sipas këtyre lëvizjeve në të vërtetë ishin reaksionarë e tradhtarë kombëtarë. S’kishte rëndësi fare se kështu si këta nuk mendonin aleatët.

Falë fitores së Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, ndarjes së sferave të interesit pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe më herët, si dhe falë rrjedhave politike ndërkombëtare si nga pushteti i vendosur në Shqipëri, ashtu edhe ai i vendosur në Kosovë, përkatësisht në Jugosllavi, vëllezërit Kryeziu dhe pasuesit e tyre u ndoqën, persekutuan dhe likuiduan pamëshirshëm.

Mirëpo, edhe po që se nuk do të ndodhte kështu vëllezërit Kryeziu zor se do të pajtoheshin me këto ndryshime të mëdha historike dhe me vendosjen e pushteteve komuniste, prandaj u detyruan të vazhdonin luftën e tyre politike, kuptohet në rrethana dhe vende të reja.

Pas Luftës së Dytë Botërore vëllezërit Kryeziu nga vende të ndryshme në botë nëpërmjet organizmit të tyre (të kujtojmë se Said Kryeziu ishte kryetar Partisë Katundare) do të angazhohen kundër komunizmit dhe totalitarizmit në viset shqiptare.Por as pushtetet komuniste jugosllave dhe shqiptare nuk qëndruan duarkryq. Ata me qëllim të hakmarrjes ndaj Said Kryeziut për aktivitetin e tij nacionalist-antikomunist në kuadër të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” i cili vepronte në perëndim, në qershor të vitit 1951, në atentatin e organizuar në Pejë vranë pinjollin e fundit të kësaj familje Dervish Kryeziun,sekretar i gjimnazit Bedri Pejani në Pejë.Për familjen Kryeziu dhe pinjollët e saj u fol dhe shkrua në mënyrën më të keqe të mundshme,ndërsa historia e tyre u injorua dhe kur nuk kishte mundësi për një gjë të tillë u falsifikua, sa ishte vështirë ta kishe edhe mbiemrin Kryeziu. Për këtë arsye, organizmi i sesioneve të tilla shkencore, veç tjerash, jo vetëm që është një larje borxhi, por edhe i domosdoshëm për shkrimin e historisë së popullit shqiptar në mënyrë të tërësishme dhe objektive.

Lini një Përgjigje

Terrori i firmes turke vazhdon: KEDS-i paralajmëron përsëri ndërprerje të rrymës

‘Mosbesim i madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve’