Që Shqipëria do të mbesë sërish në klasë, e konfirmoi edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila nuk dha sinjale se do të ketë një vendim pozitiv: “Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt…” tha ajo. Fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tashmë mund të miratohet në mars 2021, por as kjo nuk është e sigurtë.
Që Shqipëria nuk i ka plotësuar 2 kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për caktimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ky është një fakt i gjithëpranuar. Reforma zgjedhore jo vetëm që nuk kaloi me konsensus, por acaroi akoma më shumë klimën politike, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë mbeten ende jofunksionale.
Pak ditë më parë ambasadorët e BE-së ranë dakort të mos e caktojnë datën e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë. Komiteti i Përhershëm Përfaqësuesve, i njohur si Coreper, në draftin e konkluzioneve doli në përfundimin se Shqipëria nuk është gati, pasi ende nuk ka përmbushur kushtet e vendosura në mars. Drafti do të kalojë te ministrat e jashtëm dhe të çështjeve të Europës të Unionit më 8 dhjetor.