Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, znj. Yuri Kim përshëndeti rezultatet e punës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, duke thënë se po jep rezultate.
Kim iu referua sekuestrimit të pasurive të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ditën e sotme me kërkesë të SPAK bazuar në ligjin për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në shkurt të vitit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non grata Llallën dhe familjen e tij nën arsyetimin e përfshirjes në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.
“SPAK po jep rezultate duke përdorur Ligjin Anti-Mafia për të sekuestruar përfitimin nga korrupsioni. SHBA vazhdon të mbështesë fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç kërkohet nga populli shqiptar dhe për të ruajtur statusin e Shqipërisë si aleat i NATO-s dhe vend aspirant për në BE,” shkroi në Twitter ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Ajo gjithashtu shtoi se ky është lloji i çështjes për të cilin SPAK u krijua.
Pas nxitjeve të vazhdueshme për hetim të korrupsionit të nivelit të lartë, duket se ndërkombëtarët i kanë kthyer sytë nga SPAK dhe po ndjekin me vëmendje të veçantë ecurinë e rasteve të profilit të lartë, të cilat po i monitorojnë si çështje që në kuadër të reformës në drejtësi duhen gjykuar nga kjo strukture dhe jo në nivele të gjykatave të rretheve, shkruan euronews.albania.
BE ka përsëritur gjithashtu thirrjet për hetim, gjykim dhe dënim të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të lartë si një nga kushtet kyçe që do t’i hapte Shqipërisë dritën e gjelbër për në Bashkimi Europian.


