in

Shqipëria regjistron numrin më të lartë të viktimave që nga fillimi i pandemisë

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se 17 pacientë të infektuar me Covid-19 kanë ndërruar jetën, ndërsa janë konfirmuar 795 raste të reja nga 2352 testime të kryera në 24 orët e fundit. Kjo rezulton të jetë shifra më e lartë e pacientëve të prekur me Covid, që kanë humbur jetën në harkun kohor të 24 orëve në Shqipëri.

Ministria thekson se aktualisht në tre spitalet COVID, po trajtohen 439 pacientë, 16 në terapi intensive dhe pesë pacientë janë të intubuar. Pavarësisht numrit të lartë të viktimave, 388 qytetarë e kanë mposhtur virusin duke e çuar numrin e të shëruarve 16.230.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:Tiranë 8463, Fier 1257, Durrës 1222, Korçë 934, Shkodër 885,Elbasan 804, Vlorë 834, Lezhë 689, Berat 527, Gjirokastër 469,Kukës 375, sDibër 151.

Prej konfirmimit të rastit të parë dhe deri sot, kanë humbur jetën 716 qytetarë për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga virusi Covid-19. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen 16 610 raste aktive, shifër kjo, e cila mbetet e lartë në raport me numrin e popullsisë.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi këtë të hënë spitalin Covid4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili siç tha ajo është gati për t’u hapur, por nuk dha një datë konkrete.

“Numrat në rritje të rasteve të infektimeve dhe sigurisht numrat në rritje të rasteve në spitale, tashmë duke qenë se edhe spitali Covid3 është tërësisht me të gjitha kapacitetet i hapur në pritje të trajtimit dhe shërbimit të qytetarëve, edhe spitali Covid4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve COVID”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi më tej se po përgatiten edhe spitalet rajonale, që do vihen në shërbim të përballimit të situatës së pandemisë.

“Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu.

Lini një Përgjigje

35 viktima nga COVID-19 e 387 raste pozitive brenda një dite në Maqedoninë e Veriut

Drejtësi dhe vënien e kriminelëve para gjyqit