Të paktën 14 pelegrinë jordanezë dhe pesë iranianë vdiqën në Arabinë Saudite gjatë pelegrinazhit të madh vjetor, haxhit, i cili zhvillohet në vapë të padurueshme, njoftuan sot të dielën autoritetet e vendeve të tyre pa specifikuar shkaqet e vdekjeve.
Pelegrinazhi vjetor i haxhit, një nga pesë shtyllat e Islamit, filloi të premten në Mekë, në Arabinë Saudite perëndimore, me më shumë se 1.8 milionë adhurues, shumica e të cilëve kanë ardhur nga jashtë.
Këtë vit ai po zhvillohet në verë, në një nga rajonet më të nxehta të botës ku termometri arriti 46 gradë Celsius dje, të shtunën.
Autoritetet saudite nuk e kanë publikuar numrin e rasteve të hipertermisë tek pelegrinët, por vitin e kaluar sipas tyre ka pasur më shumë se 10 mijë raste, 10% e të cilave kanë qenë rastet e goditjes nga nxehtësia, që është më e rënda.