Hysen Shehu
Është 17 Shkurti dita që para 17 viteve, neve sonte na ka bërë bashkë. Është pothuaj po aq e rëndësishme sikurse dita e 28 Nëntorit të 1912-tës. Pavarësia e shqiptarëve e shpallur më 1912 tani me Pavarësinë e Kosovës ka kuptim më të plotë, është më domethënëse dhe më përmbajtësore. Këto dy ditë janë ditët më të rëndësishme dhe më domethënëse në krejt historinë e shqiptarëve. Unë shpresoj që liria kombëtare që e kemi arritur, tani në procesin e shtetndërtimit dhe në konsolidimin e kombit, të na bëjë çdo herë e më shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e lirisë kolektive, ashtu siç Ismail Qemajli në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë i lutej Zotit që t’i bëjë shqiptarët të denjë të kësaj lirie.
Të jesh i denjë për lirinë kombëtare do të thotë ta meritosh atë, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm dhe të marrësh përgjegjësi. Ne shqiptarët nuk jemi treguar të ndërgjegjshëm dhe nuk kemi marrë as përgjegjësi sepse këtë përgjegjësi e kemi deleguar te të tjerët, e kemi deleguar te klasa politike së cilës në masë të madhe i mungon edhe ndërgjgjja edhe përgjegjësia. Prandaj deri më sot në vend të zhvillimit të mirëfilltë ne kemi më shumë përpëlitje e konflikte, sepse si popull lirinë dhe përgjegjësinë e kemi keqkuptuar. Përgjegjësinë nuk mund ta delegosh, ose ke ose nuk ke përgjegjësi, atë nuk mund ta bartësh te tjetri.
Kjo është arsyeja se pse deri më sot në rrugëtimin tonë si komb e si shtet kemi më shumë konflikt se sa zhvillim të njëmendtë. Për t’u çliruar nga ky ngërç dhe nga kjo e keqe kolektive, përfundimisht tani duhet të marrim përgjegjësi nëse duam të zhvillohemi, nëse duam të jetojmë në paqe e harmoni!
Le të shërbejë 17 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës, përveç ngritjes së dollisë, edhe si një rast i cili do të na shërbejë për ndërgjegjësim dhe vetëreflektim. Gëzuar përjetësisht!
(Fjalim i shkurtër me rastin e shënimit të 17 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga Shoqata “Kaçaniku” në Lausanne të Zvicrës)