Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se mes të ndaluarve janë katër oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, thuhet në deklaratën e ministrit Sveçla.
Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, është ndaluar në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet kanë gjetur fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, këta persona janë ndaluar për 48 orë.
Grupi i dytë prej 12 personash është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup janë identifikuar dy oficerë aktivë të shërbimeve serbe të sigurisë.
Hetimet paraprake kanë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta të një zyrtari policor serb me gradë togeri me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, i njohur me nofkën “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Zyrtari tjetër ushtarak, që mban gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i përfshirë në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.
“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”, thuhet më tej në deklaratë.
Sveçla ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se publiku do të informohet për zhvillimet e mëtejshme. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e sigurisë.