in

Vrasja e Marie Shllakut dhe katër priftërinjve shkodranë

Fragment nga romani “Muri i heshtjes” 

 -Kopilat e kjoftëlargut,- u thoshte Zoja e Lleshit, kur ndonjë turmë e të rinjve serbo-malazezë parakalonte rrugicës me pankarta ndër duar duke brohoritur serbisht: -Tito është yni, ne jemi të Titos! 

   Burrin e Zojës, Lleshin, ia kishin vrarë partizanët e Titos. Lleshi nuk u dorëzua, ra vet i shtati në Bjeshkët e Thata. Varri nuk i dihej. Ajo e kujtonte ditën kur ra, i ndizte qira në shtëpi e në kishë. Te varri nuk shkonte, sepse nuk e dinte ku e ka. 

   Gjyshja me Zojën e Lleshit gjithnjë kishin biseda interesante. E fillonin për rejat-nuset e djemve, që nuk janë si ato dikur, e vazhdonin me djemtë e tyre që kur u martuan e humben burrninë, ndërsa e përfundonin me ofshame e pikëllim për ditët që nuk ktheheshin më. 

   Ditën tjetër flisnin për gjëra të tjera. 

   -Sonte asht Nata e Shënkollit,-  tregonte Zoja e Lleshit. Ndërsa kur niste ta kujtonte Natën e Shënkollit, niste e rrëfente për një vrasje që dikur e kishte tronditur qytetin.  

     Dy plakat flisnin dhe e plotësonin njëra-tjetrën për katër priftërinjtë shqiptarë dhe Marie Shllakun që pushteti popullor i pushkatoi pas luftës, Natën e Shënkollit. 

   Rrëfimi për Marie Shllakun ishte ndër rrëfimet më tronditëse. Maria e re erdhi nga Shkodra të organizonte rezistencën kundër ushtrisë jugosllave që e pushtoi vendin. Por e zunë me dredhi dhe e futën në burg. E torturuan çnjerëzisht, e gjymtuan, por nuk i nxorën asnjë fjalë, nuk e tregoi asnjërin nga bashkëpunëtorët e rezistencës. Një natë u fut njësia speciale në burg me qeleshe të bardha e shqiponjë në qeleshe. Njësiti e liroi Marie Shllakun dhe u zhduk në terrin e natës. Në krye të grupit komando ishte një UDB-ash shqiptar i qytetit, ndërsa paraqitej kinse është nga grupi i rezistencës nacionaliste. Pas disa javësh vajza e rezistencës, e fshehur dhe e plagosur, nisi ta besonte spiunin, e dërgoi në famullinë e qytetit që të vinte kontakte me priftërinjtë. Atë Bernard Llupi, famullitari i qytetit dyshonte në vajtje-ardhjet e spiunit që shtihej si i Ballit Kombëtar, por kur ai solli zinxhirin e artë të vajzës së re me porosinë e fshehtë, ai e besoi. Dhe ra në grackë.  

   -E vranë Marinë shtalb të re, e zunë me pabesi. I vranë edhe priftat, he Zoti i vraftë, -tregonte e mallkonte Zoja e Lleshit.

  Gjini bëhej sy e vesh. Do të donte të rrinte me orë në bisedat e tyre. Ishin biseda margaritarë, që kurrë nuk i kishte dëgjuar më parë. Dinin aq shumë për njerëzit dhe kohën, flisnin me aq afsh për atë që ishte dikur.

   Zoja ishte shoqja e vetme e gjyshes, me te pajtoheshin për çdo gjë. E përtypnin politikën në mënyrën e tyre.    

   Djaloshit i dukeshin interesante këto biseda, sepse në shkollë nuk u thoshin asnjë fjalë për Marie Shllakun, nuk flisnin as për priftërinjtë e pushkatuar. 

 Këto biseda aty nisnin dhe aty mbylleshin, nuk duhej të kalonin muret. Mësuesi i historisë nuk ua shpjegonte këto ngjarje, madje nuk i përmendte fare. Por edhe Gjini e dinte se s’duhej t’i hapte temat e tilla para mësuesit apo para nxënësve.

(Nazmi Kursani, gjakovar, spiun i OZN-s, (UDB-s), e vuri në kurthë Marie Shllakun dhe e dërgoi në pushkatim me katër burra shkodranë).

    

Lini një Përgjigje

Para 18 vjetësh kaloi në amshim i përndritshmi Mark Sopi

Fatos Kongoli propozohet për çmimin ”Nobel”