in

Unë, astronomi

Për të mësuar vërtet astronomi dhe për të pasur edhe ne astronomët amatorë – kushedi se edhe sa kohë duhet të kalojë e çfarë ndryshimesh duhet të ndodhin!

Dush GASHI

“Çfarë shkollimi ke?”, më pyet Armend Xani, një mik i ri nga Facebook-u, i cili ka studiuar astronomi dikund në Evropë. I tregoj: shkencat matematikore-natyrore në gjimnaz, letërsi e gjuhë në fakultet. “Kombinim i çuditshëm”, shtova, që t’ia pres rrugën habisë së tij.“Jo”, thotë, “përkundrazi, mjaft i qëlluar”. Tash u habita unë, por ai më dha udhë menjëherë: “Do të ishe i mirë për ligjërata në një kurs astronomie”.Kurs astronomie?! Kjo vërtet ishte për këtë klithmën “wow” të mësuar nga bota virtuale! Për herë të parë më shfaqej një mundësi që njohuritë e mija, ndonëse modeste, nga astronomia megjjithatë mund të më hynin në punë! Do të më duhej të përgatitesha, që shpjegimet e mija të jenë më të sakta, jo vetëm përshkrime të përafërta, të mbajtura mend pa ndonjë obligim. Pastaj do të duhej të ushtrohesha edhe ta përdor mirë një teleskop, sepse një të vetmin që e kam pasur ka qenë një teleskop refraktor, prodhim kinez, i blerë 50 euro në një qendër tregtare e me të cilin mund të shikohej vetëm Hëna. Meqë ra fjala, po ju tregoj se ia pat vlejtur: fëmijëve të mi, atëherë të vegjël, dhe ca të tjerëve përreth, u dukej e mahnitshme ta shikonin Hënën ashtu që shihej vërtet se atje është një sipërfaqe e ngurtë, shkëmbore, nëpër të cilën mund të ecet! Dhe, tek ideja e ligjëratave më impresionues ishte fakti se ato njohuri do të mund t’i ndaja me dikë, pasi që gjatë kaq vitesh i kam “bartur” koti i vetëm!“Po”, iu përgjigja, duke e menduar me vete një kusht: se nuk do t’u themi vijuesve eventualë të kursit se do t’ju dërgojmë në Hënë, apo se do të punoni në NASA!Astronomia është një prej atyre “gjërave” të cilat besoj se shumëkush i ka e të cilave e ka zor t’ua gjejë vendin e duhur në rangun e vlerave personale apo të shoqërisë në tërësi. Shekulli i njëzet, dhe lufta e ftohtë, kur dy superfuqitë e botës ishin në garë me gjithçka, edhe me atë të hulumtimit të kozmosit, madje edhe në lojën e shahut (atëherë i kemi njohur të gjithë shahistët më të mirë të botës!), mund të jetë se gjërat kanë fituar peshën të cilën s’do të duhej ta kishin për njerëzit e rëndomtë. Sidoqoftë, s’ka se si të mos mbetet përshtypje deri sa jeton në epokën në të cilën njeriu arrin të shkelë për herë të parë në histori në një trup tjetër qiellor! Ende e mbaj mend se si atë muzg korriku të largët, të vitit 1969, ecja nepër livadhin pranë shtëpisë, duke e shikuar Hënën dhe duke e pasur ndërmend se, siç kisha dëgjuar të flitej, tash njerëzit kanë për të shkelur atje, pa pasur asnjë ide as të përafërt qysh e si!Në gjimnaz ndjeheshim krenarë e “modernë” kur kuptuam se, në vitin e dytë, do të kishim edhe lëndën e astronomisë! Ende e mbaj mend një muzg, kur profesori na nxori prapa shkollës dhe na tregoi si ta gjenim yllin polar në qiell! Zbulimi ishte i mahnitshëm: kishte një yll, i cili gjatë tërë kohës rri vetëm në një vend, dhe atë pikërisht në veri! Tash e kisha të qartë se ç’rëndësi kishte ky për lundruesit e lashtë: nëse lundron drejt tij je duke shkuar kah veriu, për të shkuar në lindje duhet ta kesh gjithmonë brinjas, në anën e majtë… Po ashtu, ende e mbaj mend një ditë vere, kur tek gazetashitësi e pata blerë një numër të revistës “Galaksija” (serbisht) për astronomi, dhe i shikoja fotografitë e anijes kozmike Viking 1, e cila kishte zbritur në Mars (tash e shikova në Wikipedia – ka ndodhur kjo më 20 korrik 1976). Revista ka qenë me letër të mirë, me fotografi me ngjyra dhe bukur e shtrenjtë për kohën dhe moshën tonë. Sot habitem – ndoshta pa të drejtë – se si të rinjtë e sotit nuk i lexojnë këto gjëra falas dhe gjerësisht – në Wikipedia, në portalin e NASA-s e gjetiu, me të dhëna të bollshme, me fotografi, video e simulime të paimagjinueshme!Të merremi vesh, nuk do të bëja unë në atë kurs Albert Einsteinin, Stephen Hawkingun tashmë të ndjerë (ndonëse ka kaluar pak kohë qëkur e kam lexuar librin e tij “Një histori e shkurtër e Kohës”!) apo Neil deGrasse Tysonin, po me besueshmëri bukur të madhe do t’i shjegoja shumë dukuri, disa prej të cilave në të vërtetë janë tokësore dhe astronomike njëkohësisht, për aq sa Toka është një trup qiellor. Për shembull, duke filluar mu nga ylli polar, të cilin e përmenda – pse e shohim gjithmonë në veri, pse të gjithë yjet tjerë perëndojnë, e ai jo, bashkë me ca yje e yjësi të cilat vetëm sillen rreth tij; si mund ta përcaktosh se në cilën paralele, përkatësisht gjerësi gjeografike je nga pozita e yllit polar në qiell (më lart apo më poshtë horizontit); pse ndërrohen stinët e vitit, pse ato regjistrohen edhe me sekonda kur arrijnë, çka ndodh vërtet në atë sekondë, ç’është ekuinoksi pranveror e vjeshtor e çka solstiku veror e dimëror; pse Dielli në qershor ndodhet gati mbi kokën tonë dhe harku që e kalon nga lindja në perëndim është shumë i gjatë e bashkë me të edhe dita, ndërsa në dimër ndodh e kundërta – është shumë më ulët në horizont, përshkon një hark të vogël dhe dita është shumë e shkurtër; pse Hëna ndërron formë, cilat janë dhe si shkaktohen fazat e saj; ç’është e si shkaktohet eklipsi i Diellit e i Hënës… Sigurisht, mund të shpjegoja bukur shumë gjëra për Sistemin diellor dhe planetët e tij dhe – kjo më shkakton po ashtu huti ndoshta pa të drejtë – se njerëzit nuk e dinë se ka bukur shumë planete të cilat shihen me sy të lirë, shfaqen në qiell para yjeve dhe pothuajse kuptohet se janë shumë më afër – Afërdita, në mëngjes e në mbrëmje, Merkurin mund ta shohim kah projektohet si një pikë e vogël e errët nëpër diskun e Diellit në perëndim, sepse është më së afërmi Diellit; Marsi, i cili është aktualisht ende në qiell, Jupiterin – më të madhin e po ashtu edhe Saturnin, i cili po ashtu kësaj vere ka qenë në qiell… Nuk janë këto njohuri të shekullit njëzet, po shumicën e tyre i kanë ditur madje edhe popujt e lashtë, mijëra vjet më parë, ndërsa për babilonasit, të cilët njihen si themelues të astronomisë, me mahi thuhet se e kanë shikuar qiellin si ne sot që i shikojmë serialet televizive. Disa nga këto njohuri nga lashtësia kam vërejtur se i kanë ditur edhe pleqtë tanë të pashkollë, të mbajtura mend si ka qenë traditë e lashtësisë, duke i shndërruar në vargje apo në forma të krahasueshme për këdo, p.sh., mos gabofsha, për në Vit të Ri apo për një datë pak më tutje, thuhej se “zgjatet dita sa kërcen gjeli tra e m’tra”! Sigurisht, me pak përgatitje do të mund ta jepja edhe një pasqyrë të historisë së hulumtimit të kozmosit gjatë shekullit XX dhe tash këtyre viteve të shekullit XXI, kur Elon Musku ambicioz tashmë ka kohë që i ka filluar përgatitjet për dërgimin e njeriut në Mars!Por, me keqardhje duhet të them se i tërë ky entuziazëm imi ra tërësisht shpejt në ujë. Një ditë, duke u kthyer me autobus në shtëpi (dhe ky udhëtim të gjithë e dini sa zgjat nëse e keni përjetuar tollovinë pas orës katër në rrugët e Prishtinës), qëllova i ulur në ulëset e fundit në mesin e do nxënësve të viteve të para të shkollës së mesme, pesë a gjashtë sish, djem e vajza. I pyeta, jo pa e pasur një qëllim: A di të më tregojë dikush çfarë është një kënd i drejtë e sa shkallë i ka?Vetëm njëri, pasi u thellua sikur kur duam të nxjerrim gjëra të kahershme nga kujtesa, tha po, e di, i ka 90 shkallë. Mirë, po kur e pyeta të ma përshkruaj pak, çka do të thotë kjo dhe ku e gjejmë këndin e drejttë në praktikë, ai vetëm tundi kokën. Shifrën që e tha vetëm e kishtë mbajtur mend përmendësh. Asnjë tjetër nuk dinte asgjë për këndin e drejtë!U dëshpërova, sepse është vështirë të shpjegosh astronomi dikujt që nuk ka pak njohuri gjeometrike për rrethin, këndin e shkallët këndore. Kaq, asgjë më shumë! Në fakt, figura më e duhur është elipsa, sepse planetet kanë formë eliptike, ato sillen rreth yllit të tyre po ashtu në formë eliptike, por për mësim amatorësh është thjeshtim i pranuar dhe i dobishëm të folurit sikur për rrathë. Por, është e pamundur që dikujt, i cili nuk e di se muri në shtëpinë tënde përbën kënd të drejtë me dyshemenë, se fletoret e librat janë me kënde të drejta, tavolinat, bankat e tabelat, se dreqi e marrtë nuk ke kah shkon pa e parë këndin e drejtë! Mos më thuani asgjë për nivelin e shkollimit, deri sa fëmijët nuk e dinë çka është këndi i drejtë, atyre jo që nuk mund t’ua mbash një kurs të thjeshtë astronomie, po në fakt nuk di as çka dreqi tjetër mund t’u shpjegosh! Dhe, kur të shihni fëmijë pranë teleskopësh, që tash kanë nisur të ekspozohen shpesh kohët e fundit në sheshin kryesor të Prishtinës, të dhuruar nga asociacione të ndryshme ndërkombëtare, kuptojeni se tash për tash vetëm bëjnë poza! Për të mësuar vërtet astronomi dhe për të pasur edhe ne astronomët amatorë – kushedi se edhe sa kohë duhet të kalojë e çfarë ndryshimesh duhet të ndodhin!(Tetor, 2018)

Lini një Përgjigje

Rama turin e tij ballkanik, e përfundoi te Vuçiqi!

Mungesa e ciceronëve të licencuar