in

Trashëgimia arkeologjike dhe arkitekturore e Pejës

Shkruan Haxhi MEHMETAJ, arkeolog

Komuna e Pejës, njëra ndër komunat më të mëdha të Kosovës shtrihet në veriperëndim të Kosovës. Përbëhet nga Alpet Shqiptare në verilindje, të pasura me kullosa verore të përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë dhe të turizmit, rrafshit fushorë në juglindje, të pasur me tokë pjellore për zhvillimin e bujqësisë. Në lindje kjo komunë kufizohet me komunën e Klinës, në verilindje me komunën e Istogut, në juglindje më komunën e Gjakovës,në jug më komunën e Deçanit, Shqipërinë në jugperëndim, Malin e Zi në veriperëndim.

Paleoliti

Gjurmët e gjetura të fosileve të florës (Quercus, Cornus, Fracsimus, Fagus) në fshatin Brestovik ndërsa të faunës ( Ursus Spelaulus) në shpellën e Radacit nga periudha e pleistocenit, janë dëshmi bukur të sigurta të krijimit të kushteve biologjike dhe ekonomike të shfaqjes së njeriut që në periudhën e paleolitit. Gjurmë potenciale të epokës së paleolitit dhe të mezolitit, periudha këto ende të pa zbuluara deri më tani në Kosovë, duhet kërkuar në të ardhmen në Shpellën e Demës, Shpellën e Zezë( Shpella e Karamakazit), Shpellën e Kallabës, Shpellën e Kërshit të Kuq të rrethinës se qytetit të Pejës, sikurse në një varg shpellash në trevën e Rugovës dhe në dy shpella të fshatit Lipë. Neoliti dhe eneolitiku (7000 – 2600 p.Kr) Sikurse Kosova në përgjithësi edhe komuna e Pejës në veçanti, afirmohet në periudhën e neolitit të hershëm dhe neolitit të mesëm duke u rreshtuar karshi qytetërimeve më të njohura të neolitit të Evropës Juglindore. Vend zbulimi përfaqësues i kësaj kulture  sendentare në trevën e Pejës është evidentuar në fshatin Sigë. Gjurmimet arkeologjike kanë dëshmuar që në komunën e Pejës gërshetohen kulturat kontinentale më kulturat e bregdetit Adriatik shqiptar, të cilat arrijnë në  terë Rrafshin e Dukagjinit në përgjithësi dhe në  komunën e Pejës në veçanti  nëpërmjet luginës së Drinit të Bardhë. Siç duket Rrafshi i Dukagjinit dhe e tërë komuna e Pejës edhe gjatë periudhës së neolitit të vonë dhe eneolitikut të hershëm ka qenë në ndikimin e kulturave bregdetare të Shqipërisë dhe të Dalmacisë. Mbi  substratin e kulturës bregdetare dhe kulturave kontinentale të epokave të neolitit dhe eneolitikut, në epokën e bronzit do të formohet njëri ndër fiset më të mëdha ilire, Dardanët. Gjurmë të eneolitikut në fazën e kërkimeve të tashme janë evidencuar në vendbanimin shumështresor të Kodrës së Vranocit,në fshatin Vranoc.

 Epoka e bronzit

Epoka e bronzit (2600 – 1000 vjet para Krishtit) njihet si epokë kur nis formimi i ilirëve, proces ky që ka përfunduar në periudhën e bronzit të vonë. Lidhur me periudhën e bronzit në komunën e Pejës si pasojë e mungesës së gjurmimeve arkeologjike ende nuk ka dëshmi të qarta të vendbanimeve a varrezave, përveç gjetjeve sipërfaqësore të fragmenteve të enëve qeramikës të gjetura në Shpellën e Radacit dhe në Shpellën e Zezë.  Që kjo periudhë e argumentuar mjaftë mirë në Fushën e Kosovës më shfaqjen e kulturës dardane të Bërnicës së Poshtme do të këtë përfshirë Rrafshin e Dukagjinit, vjen e dëshmohet nga gjurmimet arkeologjike në varrezën e dystë të Gllarevës dhe në kodërvarret e Përqevës dhe Volljakës të komunës së Klinës. Këtë periudhë më tutje duhet kërkuar nën shtresat e kështjellave të antikitetit, në vendbanime kodrinore, sikurse edhe në vendbanime fushore, pranë lumenjve e përrenjve. 

Epoka e hekurit

Epoka dardane e hekurit ka kaluar nëpër dy faza kryesore të zhvillimit, në epokën e hekurit të hershëm (1000 – 400 para Krishti) dhe epokën e Mbretërisë Dardane ( shek. IV – I para Krishtit). As për fazën e parë të hekurit në komunën e Pejës gjithnjë në mungesë të gjurmimeve arkeologjike nuk ka dëshmi të qarta, përveç gjetjeve rastësore të ndonjë fragmenti të enëve të poçarisë. Periudha e Mbretërisë Dardane është evidencuar në fshatrat Vranoc dhe Qallapek. Në Vranoc kjo periudhë njihet nga vendbanimi apo qyteti i fortifikuar dhe i rrethuar me mure, i cili ndodhet në Kodrën e Vranocit, ndërsa në Qallapek është gjetur thesari i monedhave të argjendit të prera në qytetin e Apolonisë në shek. I para Krishtit. Kjo njëherazi fletë për jetën urbane të dardanëve në ketë komunë të Kosovës para rënies nën sundimin romak, sikurse marrëdhënieve tregtare që mbaheshin në mes dardaneve dhe fiseve tjera ilire  të bregdetit Adriatik. Në komunën fqinjë të Pejës, në komunën e Istogut, në Banjën e Pejës janë zbuluar kodërvarre të princave ilir të pasura me stoli argjendi dhe armë të shek. VI – V para Krishtit. Këto gjetje dëshmojnë për formimin e një aristokracie princore dardane qysh në shek. VI para Krishtit, e cila qeverisjen e tyre e kishte shtri në terë Rrafshin e Dukagjinit.

 Antikiteti

Periudha antike ( shek. I – VI pas Krishtit) lidhet më rënien e dardanëve nën sundimin romak, ku megjithatë, mbizotëron etnia dardane gjatë terë antikitetit. Kjo periudhë është evidentuar nga gjetjet rastësore dhe nga gjurmimet arkeologjike në një varg qendrash të komunës së Pejës. Veçohet qyteti i Fushës së Pejës i cili shtrihet në të dyja anët e lumit Lumbardhë ( ish Bistrica) me qendër në ish Fabrikën e Baterive Industriale dhe logori ushtarak (castrumi). Qyteti i antikitetit përfshinë sipërfaqe prej afro 100 hektarësh. Përfaqësohet nga gjetjet e stelave dhe cipusëve dardan ne trajtë të boçave të pishës, banesave etj. Me gjasë emri i qytetit do identifikuar me qytetin Siparunt i cili përmendët në shek. II pas Kr. në Gjeografinë e Ptolomeut. Periudhës së antikitetit i takojnë vendbanimet fushore në Raushiq,  Baran të Poshtëm, Gorazhdec, Leshan, Loxhë  etj, vendbanimi shpellor i Radacit dhe gërmadhat e kështjellave impozante në fshatrat Lipë, Radac, dhe Jabllanicë të Madhe, të ngritura mbi kodra me pozitë mirë strategjike.

Mesjeta

Mbi traditat ilire të antikitetit të vonë të shekujve IV – VI, në mesjetën e hershme, formohet kultura mesjetare shqiptare apo kultura arbërore e shekujve VII – XI. Kulturën mesjetare shqiptare më së qarti e shquajnë varrezat dhe gjurmët e kishave në 11 fshatra të trevës së Rugovës, 6 kisha në fshatin Levoshë, nga 1 apo disa gjurmë të kishave në fshatrat Lipë, Jabllanicë e Madhe, Qallapek, Llozhan Ozdrim, Zahaq, Qyshk, Gorazhdec, Ruhot e gjetiu.

Gjetje te qeramikës mesjetare të hershme janë dëshmuar edhe në Shpellën e Zezë te Pejës,  në Shpellën e Radacit etj. Nga periudha e vonë mesjetare shquhet Patrikana e Pejës e ngritur mbi gjurmët e një kishe paleokristiane të shek. VI pas Krishtit. Për nga monumentaliteti veçohen po ashtu varret mesjetare të Dubovë të Madhe, Varret e Krushqve në Ruhot, varrezat në Jabllanicë të Madhe, Qyshk, Pavlan, Qallapek, Nepole, Turjakë etj. Mbi recipientin e një rrase varri monumental në Dubovë të Madhe gjatë ditëve të caktuara festive ndizen qirinjtë dhe kryhen rite kulti. Trashëgimia arkitekturoreKomuna e Pejës ka trashëguar edhe objekte me vlera arkitekturore dhe historike të cilat shtrihen në kohë që nga shek. XIV deri në gjysmën e dytë të shek. XX. Prinë Çarshia e Pejës me objekte kulti, shtëpi të arkitekturës qytetare, shtëpi tradicionale shqiptare, siç janë kullat etj. Në fshatra të komunës së Pejës përkundër shkatërrimeve të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike gjatë luftës së fundit, ende ruhen kullat shqiptare, mullinjtë, hambarë etj. që meritojnë hulumtime, mbrojte dhe prezantim.

Lini një Përgjigje

Simptoma të heshtura të kancerit që shfaqen në thonj

Rama me strategji, për t´i fituar sërish zgjedhjet!