Mjafton me u hedhë një sy fotove të meshtarëve tanë shëlbyes, dhe menjëhere të bie në sy se ata pothuajse te gjithë janë me musteqe.
Pse?
Sepse burrat, kudo, ashtu e kishin traditë, dhe nuk mund të pranonin e të nderonin një frat pa musteqe.
Fretnit ishin pjesë e popullit dhe do zbatonin e nderonin traditën e tij.
Mikja e shqiptarëve, Mis Edith Durham, tregon se si i vlerësonin shqiptarët musteqet.
Mark Shantoja, mikëpritësi dhe dalëzotësi i Krajlicës, mbante musteqe te bukura. Kur kish qënë i ri, Ai, fare lehte mund t’i lidhte ato pas kreje. Në atë moshe, Marku, ishte kafaz,(roja), i ambasadorit turk në Vienë. Krenar, siç kanë qënë shqiptarët, ai mbante kostumin karakteristik shqiptar te qendisur me ar, duke fituar simpatine e gjithësejcilit që e shihte.
Pamja e tij sqimitare bëri aq figurë sa fitoj edhe simpatine e njërit prej Rothçildëve. Ky i entusiazmuar nga pamja e tij mbresëlenëse i kërkoi Markut, të linte shërbimin në Ambasaden Turke e të bëhej portier i pallatit të Rothçildëve. Paga që i ofruan ishte përtej çdo parashikimi. Por Rothçildi, kishte rregull që punonjësit e shërbimit duhej të ishin të rruar, dhe Markut do i duhej ti hiqte musteqet.Punë që s’bëhej.
– Unë nuk i pres musteqet edhe për tanë arin e Rothçildëve, – i tha Marku milionerit hebre, – duke e lënë të mahnitur pasunarin që nuk mund t’i kuptonte shqiptarët.
“Kaq i madh është nderimi për musteqet, sa Kisha katolike ua fal meshtarëve shqiptarë këtë gjë, duke filluar nga abatët, fretnit e deri peshkopët, që mbanin të gjithë musteqe të bukura”, – nënvizon Mis Durham.
Tregojnë se një herë në malësi ishte caktuar një frat i huaj. Ishte i rruar si një pellumb. Pasi u paraqit në Shkodër i tha Provincialit dhe fretënve të tjerë, ti gjenin një udhërrëfues që të nesermen të nisej për në Malësi.
– Ku do me shkue kështu ? – i thana ata.
– Na katundin ku jam caktue të shërbej, – u përgjigj ai i çuditur nga pyetja.
– Jo mor djalë, pa musteqe nuk të pranojnë, as nuk ta var kush, – i thanë prerë.
E mbajtën një muaj në Kuvendin e françeskanëve derisa ju rritën musteqet e pastaj u nis.
Burrave shqiptarë u kishin hije musteqet edhe në kangët që u këndoheshin.
Cili asht Rexha nuk p’e di.
Ç’aj si a pshtetun për xhami,
Kallushan musteqezi….
thuhet në një kangë popullore.
Kur kujtojme shqiptarët e dikurshëm, e mes tyre meshtarët atdhetarë të kulluar, përmallimi eshtë i madh, siç është e pashpjegueshme metamorfoza e klerikëve të sotëm.