-Unë e zotëroja fshehtësinë e leximit të buzëve, i kuptoja edhe shprehjet e syve. Për aftësitë e mia askush nuk e dinte. Çdo shprehje e syve, apo e buzëve, nëse më drejtohej mua, apo ndonjë tjetri në praninë time, dallohej me gjuhën e rrjedhshme e të kuptueshme si të fliste me zë të lartë, – nisi rrëfimin e tij Zefi. Plaku u mbush frymë dhe vazhdoi të tregonte pjesën tjetër të historisë që ia premtoi arkeologut.
– Fati a fatkeqësia më solli dëshmitar të çasteve të fundit të atë Gjergjit. Në qytet flitej se e ndiqnin të gjithë. E kërkonin italianët, u shpëtoi gjermanëve, flitej sikur partizanët do ta merrnin në pyetje. E kërkonin për një varr a për një monument varri, askush nuk e dinte me saktësi. Më habiti kur e pashë të lidhur në pranga e të mbërthyer në një karrige, në burgun e Shkodrës.
Me fytyrë të ënjtur mezi shihte me njërin sy. Dy inspektorët partizanë e pyesnin, ai herë fliste më zë të ulët, herë nuk fliste fare. E dëgjoja dëshminë e tij dhe e shënoja me një makinë shkrimi të kohës së mbretërisë shqiptare. Isha ndër daktilografistët e paktë të qytetit dhe të ish – mbretërisë shqiptare. Pata punuar në zyrën e Bashkisë, prandaj më morën dy partizanë të armatosur pa më treguar se ku më çonin. Më erdhi shpirti në vend, kur e pashë se nuk po më arrestonin, por do të më angazhonin në punën time të paraluftës. Ashtu më thanë, por më tmerroi kur me urdhëruan të shkoja pas tyre në dhomën e hetuesisë, ku do të mbaja shënime.
Nuk ishte vështirë të mbaja shënime në këtë proces, sepse ai fliste aq pak dhe aq shpesh i përsëriste të njëjtat përgjigje. Të njëjtat pyetje i bënte edhe hetuesi, e folmja e të cilit nuk merrej vesh, i ngatërronte trajtat. Shkodran as lezhjan nuk ishte. Ndonjëherë më bëhej se nuk ishte fare shqiptar, shqipen e bleu, sikurse i themi ne, kur nuk e flet në familje, por e ka mësuar në shkollë a në rrugë.
Ndërkaq, françeskani herë i përgjigjej në të folmen e Dukagjinit, herë në të folmen e Rugovës me diftongun -ua, që i çorodiste hetuesit, të cilët seancat e hetimeve i bënin të dhunshme. Frati i drobitur, i gjymtuar, mezi merrte frymë. Gjaku i mpiksur ia bëri fytyrën hartë gjeografike. Pak më tutje e shikonin dy inspektorët e policisë, secili në mënyrën e vet. Kur mërziteshin duke e shikuar, që më shumë ishte luftë psikologjike, atëherë nisnin sërish pyetjet e hetuesit shqiptar:
-Kur e ke takuar për herë të parë majorin gjerman? Çfarë detyre të dha?
-Asnjëherë nuk e takova, nuk më dha asnjë detyrë,- përgjigjej ai me zë të shuar, që mezi dëgjohej.
Hetuesit e shihnin me cinizëm prej së lartit, u dukej si mizë që mund ta shtypnin kur të donin. Njëri nga hetuesit, i ardhur para disa ditësh nga Jugosllavia, mbante xhaketë lëkure të puthitur për trup, ishte shtatmesatar paksa i majmur, me flokë të zinj e lëkurë ezmere. Fliste një shqipe të shqepët ashtu si e flasin sllavët, me theks të rëndë. Inspektori vendës ishte shtatshkurtër e rrondokop, me kokë të madhe e sy pa qerpik. Binte në sy me bluzën ushtarake, ku shquhej naganti në brez.
Tërë natën të dy inspektorët qëndruan mbi të, por asnjëri nuk nxori fjalë nga prifti.
E pyesnin për një varr të gërmuar nga austriakët para tridhjetë vjetësh. Prifti ua përsëriste të njëjtën frazë: “Nuk di gja”. Ndërkaq, atyre nuk u mjaftonte përgjigjja, vazhdonin seancën më me tërbim. Njeriu me bluzë ushtarake e godiste, kurse tjetri ia afronte veshin që të dëgjonte fjalinë shpëtimtare për të dhe për ta, sikurse i thoshte me pëshpërimë. Dikur filluan prapë ta pyesnin për oficerin gjerman, major Hansin. Ai rrudhte supet. Përpiqej t’u tregonte se nuk takoi asnjë njeri me emrin Hans. I kujtohej toger Hansi para shumë vjetësh, kur gërmonte në Lezhë. Ata e shihnin me dyshim.
-Major Hansi e thotë të kundërtën, – i pëshpëriste në vesh hetuesi rrondokop.
Prifti nuk fliste, s’kishte ç’të shtonte, ua përsëriste të njëjtat përgjigje si refren, sa herë i drejtoheshin.
Rrondokopi vazhdonte: – E takove në Kuvendin e Françeskanëve. E ndihmove në zhvarrimin e eshtrave. Ke pirë verë të ftohtë në famullinë tënde.
Prifti përpiqej të fliste diçka, por ende pa e hapur gojën mirë, e priste goditja e zdapit shqiptar, i cili përpiqej t’ia bënte qejfin hetuesit jugosllav. Ezmeri gjithnjë e më shumë tregonte shenja mosdurimi. Qendra e tij priste t’u raportonte, ia tha më se një herë inspektorit tonë, kurse ky rrudhte supet, i pafuqishëm para prifti kryeneç. Pastaj përpiqeshin ta vinin në kurth:
-Pse na mundon kur këto gjëra na i tregoi majori gjerman.
Atyre u interesonte pse majori e kërkoi nëpër tërë Shqipërinë.
– Ai e di, pse më kërkoi? Unë nuk desha ta mësoja pse-në , – i përgjigjej prifti i dërmuar me një zë të grykor, gjuhë të trashur e sy të perënduar.
-Gënjen, maskara, gënjen!, -shkumëzonte hetuesi shqiptar. Prifti nuk fliste më. Me kokën e anuar sikur flinte. Nga letargjia e zgjonte grushti i rrondokopit me bluzë ushtarake.
Gjysma e qytetit e dinin se oficeri gjerman, a austriak, nuk merrej vesh, e kërkoi disa herë në Kuvendin e Françeskanëve fratin që dergjej në karrigen e torturave në një birucë të Shkodrës. Dhe ata ia përsërisnin raportin sesi trupat e motorizuar gjermane u futën në Shkodër nga Mali i Zi. I thanë që e dinin kur një oficer me dy ushtarë me trerrotëshin gjerman u ndalën para dyerve të rrethojës së Kuvendit.
-Çfarë kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve? – Prifti rrudhte supet.
– Majori e kërkoi edhe të nesërmen, por ai u zhduk.
Hetuesi e dinte se tri herë e kërkoi majori gjerman, tri herë mori përgjigje të njëjtë: padër Gjergji nuk ishte kthyer, me t’u kthyer do t’ia jepnin porosinë. Heshtja ishte torturuese.
“Takimi i dytë, do të qe fatal”, thoshin nëpër qytet, pa e kuptuar arsyen e kësaj që e thoshin, ashtu sikurse nuk e kuptonin pse e kërkonte majori me aq këmbëngulje.
Prifti s’dinte ç’të shtonte për majorin që nuk e takoi. S’dinte në fakt as ç’kërkonin hetuesit nga ai. Një herë ia përmendnin gërmimet e një varri në Lezhë, pastaj flisnin për një përbetim të priftërinjve. Ata qeshnin me cinizëm, kur ai e mohonte takimin me majorin. Gjymtyrët i dridheshin. Me buzët e çara e zërin që nuk i vinte deri në grykë, e pati të vështirë të fliste edhe sikur të donte.
Turbullt e mbante në mend togerin e Luftës së Parë që gërmoi disa muaj në Lezhë. Dëgjoi nga të tjerët se në luftën e fundit ish-togeri, i avancuar në major, nuk bëri ekspedita arkeologjike, më shumë bridhte në kërkim të veprave antike, natyrisht kryevarrin nuk e harroi asnjëherë. Pyeste rreth e rrotull. Gërmoi përgjatë bregdetit.
Atë Gjergjit i vinte keq që austriaku nga arkeologu i pasionuar u shndërrua në aventurier vjetërsirash. Këto vlerësime për austriakun me uniformë gjermani i tha në hetuesi që në fillim, por ata nuk u kënaqën, kërkonin diçka tjetër, donin më shumë: takime, letërkëmbime, materiale të bartura në Vatikan, darka të fshehta, kërkonin Juden, ndërsa nuk dinin ta thoshin në këtë mënyrë, megjithëse ashtu e kishin menduar në projektin e tyre të përbetimit.
Ata u fiksuan në komplote. Propaganda partizane vlonte nga komplotet. Dikur nisën t’ia përmendnin kapiten Stipen, kroatin, që ai e kishte njohur në të njëjtën kohë me ushtarakun austriak. E mohoi ta ketë parë më, nuk dinte ku ishte e çfarë kishte bërë gjatë luftës së fundit. E kujtonte me dashamirësi këtë djalosh të qetë e të bëshëm, besimtar të devotshëm, tetar Stipen.
Frati përmendej nga këto imazhe vetëm kur i ndiente goditjet e grushtit. Inspektori i ardhur enkas nga Beogradi sillej vërdallë me hidhërim e i acaruar. Ezmeri i majmur shpresoi se do të mbaronte punë shpejt e do të kthehej në kryeqytetin e tij. Në Shkodër e mbyste vapa. Shikimet bridhnin sa te njëri te tjetri: prifti me sy gati të shuar, ai i paduruar.
Fratit i bëhej se edhe këtë inspektor e pa para disa vjetësh: në Pejë, Gjakovë a Shkodër, nuk e gjente dot. Një përftim i sinjalizoi se e pa në fillim të luftës. I kujtohej nëpër mjegull kur e kapën rugovasit, duke kaluar në Mal të Zi. Një ezmer ishte qenie e rrallë në Rugovë, binte në sy me të parën. Frati ia shpëtoi jetën. I thanë është hafije, por frati nuk e pranonte vetëgjyqësinë as linçin si metodë. Rugovasit e lanë të ikte në Andrijevicë të Malit të Zi. Partizani dikur i fshehur prapa veshjes rugovase ishte plotësuar. Po ajo fytyrë me flokë të yndyrshëm të zinj, po ai zë paksa i çjerrë. Ai e dinte për serb a malazez, inspektori shqiptar i drejtohej me “shoku jugosllav”.
Pastaj vazhdonte seanca e pafundme me pyetjet e njëjta: çka dinte ai për varrin e Skënderbeut? “Çka i tregoi oficerit gjerman? Ku i fshehën austriakët eshtrat e tij? Një kohë të gjatë gërmuan në Lezhë, apo jo?”, pyeste hetuesi rrondokop pa e pritur përgjigjen.
-Gjermanët u panë përgjatë mureve të kështjellës së Krujës, -vazhdonte ai, thuajse prifti duhej të jepte përgjegjësi për ta. Frati përpiqej t’u tregonte se nuk dinte çka gjetën. Ata nuk i tregonin askujt.
Nisnin nga pyetjet tjera. -Çka i lidhte me majorin gjerman?
“Asgjë, pos bisedave për antikën e mesjetën, për gjetjet arkeologjike dhe për historinë e shqiptarëve”.
Por këto nuk ua thoshte, buzët nuk i lëviznin. Kjo njohje i takonte kohës së Luftës së Madhe.
Kur ia vunë përballë majorin gjerman, frati nuk arriti të shprehte habi. I mungonte forca për çfarëdo emocioni. Major Hansit të lodhur e të torturuar s’i kishte mbetur asgjë nga djaloshi i dikurshëm kokorosh. Ishte thinjur në tëmtha, ishte rënduar në lëvizje, kishte mbetur kockë e lëkurë.
vijon