Lidhja e Prizrenit po kundërshtonte me çdo kusht copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Ulqinit Malit të Zi. Sulltan Abdulhamiti, pasiqë nuk arriti t’i bind shqiptarët që të heqin dorë nga kundërshtimi përmes Mehmet Ali Pashës (të cilin e vranë në Gjakovë), kishte dërguar Dervish Pashën me disa batalione ushtarë, që ta luftonte Lidhjen e Prizrenit dhe ta bindte popullin që të lejonin që Ulqini t’i jepej Malit të Zi, sepse sipas tij, Perandoria Osmane kishte arritur në këtë pikë: ose Ulqinin ose Stambollin.
Më 25 mars ushtria e Dervish Pashës mbërrin në Shkup, ndërsa më 7 prill vjen edhe vetë ai. Me të mbërritur në Shkup, ai menjëherë fillon me shpërndarjen e shkresave dhe lajmërimeve të ndryshme, në të cilën ftonte popullsinë që të bindeshin dhe të nënshtroheshin. Në një fjalim që ai e mbajti më 8 prill 1881, ai u kërcënohet atyre që nuk do ta dëgjojnë urdhërin e tij, me fjalët si në vijim:“Popull i Shkupit! Çdo njeri në këtë botë, duhet ta njoh se kush është miku e kush armiku i tij. Prej gojës së mikut dalin fjalë miqësie, por duhet dalluar ato që dalin prej zemrës së një miku të vërtetë…
Armiqtë tjerë (e ka fjalën për Lidhjen e Prizrenit) po duan ta shkëpusin Shqipërinë prej shtetit tonë dhe ta coptojnë dhe për t’ia arritur qëllimit, bëjnë intriga e thonë se në Shqipëri do të ngrihen në këmbë 300.000 luftëtarë, të cilët do të bashkohen e do të japin besën të mos i nënshtrohen asnjë fuqie, cilado qoftë kjo, dhe se ju jeni të zotë që t’i bashkoni të gjitha vendet tuaja në një shtet. Ata që u’a thonë këtë, nuk u’a duan të mirën; përkundrazi, ata duan t’u bëjnë dëm, se sikurse në këtë botë s’ka kope pa bari, e s’ka fëmijë pa babë, ashtu nuk ka popull pa qeveri. Ka katër gjëra, me anë të së cilës njerëzit bëhen njerëz: e para është fuqia e gjykimit, e dyta është besa e feja, e treta besimi te Zoti dhe e katërta bindja ndaj sulltanit dhe përfaqësuesit të tij.
Për ata që u nënshtrohen urdhërave të Padishahut, ligjit e rregullave, do të jem i mëshirshëm dhe i mirë. Atyre që nuk dëgjojnë, qofshin myslimanë apo të krishterë, do t’ua djeg katundet dhe do t’ua bëj shtëpiat rrafsh me tokën. Si marshall kam nën urdhër 300 batalione dhe në dispozicion një numër të madh topash. Nëqoftëse do të kem nevojë t’i përdor, do të më vijnë edhe 150 batalione të tjera. Atëherë do t’u zhduk të gjithë dhe gratë dhe fëmijët tuaj do t’i lë në mjerim.Hiqni dorë prej kësaj ideje (e ka fjalën për luftën e Lidhjes për Ulqinin). Dëgjoni përpara Perëndinë e pastaj sulltanin, faluni për të dhe u vini mend këtyre këshillave e vërejtjeve dhe i mbani kurdoherë në zemër. U tregoni edhe atyre, që nuk ndodhen këtu për t’i dëgjuar fjalët e mia që t’i dijnë dhe t’i respektojnë dhe dërgoni ndonjë njeri në Prizren dhe u thoni të mos kundërshtojnë, se shok e babë më i mirë për ne është vetëm sulltani.
Për ata që do ta njohin sulltanin, do të jem i mëshirshëm dhe i butë. Por për ata që nuk e njohin e nuk dëgjojnë do të marr masa të rrepta, pa pasur pikë mëshire e pikë dhembshurie, duke zbatuar fjalën që i kam dhënë sulltanit, për t’i dënuar e për t’i zhdukur.”
¹¹ Belegu, Xhafer. 1939. Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë, 1878–1881. f. 179-180-181.