Në Kosovë është ndërtuar një kishë në nder të këtyre martirëve, në Grazhdanik, filialë e Prizrenit, ku çdo vit kremtorisht festohet dita e martirizimit të tyre.·
Don Lush GJERGJI
Sipas burimeve të Kostantinopojës, Flori dhe Lauri janë martirizuar gjatë sundimit të Perandorit Publio Elio Traiano Hadrian (117-138), pra, në pjesën e parë të shekullit të dytë pas Krishtit. “Passio” në Acta Sanctorum flet dhe përmend njëfarë Licini, i cili me siguri nuk është Perandor Romak i shekullit të katër. Flitet për Licinin, përfaqësuesin e Perandorit Hadrian në provincën e Dardanisë, i cili ishte armik dhe kundërshtar i përbetuar i krishterimi, si edhe vetë Perandori.Gati të gjitha burimet greke dhe romake janë të njëzëshme mbi disa fakte të rëndësishme dhe për shumëçka edhe vendimtare:·
Flori dhe Lauri ishin vëllezër binjakë gurgdhendës, sot mund të thuhet skulptorë të njohur, të çmuar dhe të dalluar, shi për këtë edhe shumë të kërkuar.·
Ata, si të krishterë, ishin dënuar me vdekje nga ana e Perandorisë Romake, duke i gjuajtur të gjallë në një gropë apo pus të thellë.·
Arsyeja e dënimit ishte dëshmia e krishterë, rrënimi i truporeve te hyjnive pagane, shembulli i tyre në bamirësi, kthimi i shumë punëtorëve dhe qytetarëve në krishterim, si dhe vendosmëria e tyre për ta dëshmuar mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, pra, fenë e krishterë.·
S’ka kurrfarë dyshimi rreth ekzistencës së tyre si dhe rreth martirizimit në Dardani, saktësisht në Ulpianë.·
Kisha greke më 18 gusht nderon Shën Florin dhe Laurin, ndërsa kalendari romak atë ditë përkujton Shën Helenën, nënën e Kostantinit të Madh. Në Kosovë është ndërtuar një kishë në nder të këtyre martirëve, në Grazhdanik, filialë e Prizrenit, ku çdo vit kremtorisht festohet dita e martirizimit të tyre.·
Trupat apo reliktet e tyre ishin zbuluar gjatë sundimit të Kostantinit të Madh, dhe ishin bartë në Kostantinopojë, tani Stamboll, në kishën e kuvendit të Shëlbuesit të gjithëpushtetshëm Pantokrator. Më vonë qe ndërtuar edhe një kishë në nder të tyre. Sipas të gjitha gjasave reliktet e tyre janë bartë në vitin 1261, kur kishte përfunduar Perandoria Latine e Lindjes.·
Vendi i martirizimit është Ulpiana e Dardanisë, e cila ishte rrënuar nga tërmeti në vitin 518, dhe ishte rindërtuar në kohën e Justinianit si Justiniana Secunda, apo Justiniana e Dytë.·
Gjatë gjurmimeve arkeologjike të viteve 1954-1956 është zbuluar qyteti i Ulpianës me një strukturë shumë interesante.·
Dëshmia për krishterimin e hershëm në Ulpianë, në Dardani, është shumë e qartë, me tri kisha, një në “Nekropol” apo në “Varreza”, një në qendër të qytetit, që mund të jetë në nder të Shën Florit dhe Laurit, ku ndoshta ata ishin rivarrosur, dhe e treta, një bazilikë e madhe me pagëzimore tetëkëndëshe, me mozaikë dhe gjëra ende për hulumtim.·
Ulpiana ishte seli ipeshkvore gjatë shekullit IV pas Krishtit, që dëshmohet edhe me pjesëmarrjen e ipeshkvit nga Ulpiana në Koncilin Nicesë (325), më vonë edhe në atë të Sardit në vitin 342.·
Sipas traditës mbi varrin e tyre ishte ndërtuar një kishë gjatë sundimit të perandorit Dioklecian. Në këto themele, siç duket, ishte ndërtuar një kishë greke në shekullin XIII.· Më vonë kishte filluar edhe ndërtimi i kishës së Shën Florit dhe Laurit në vitin 1939, në Lipjan, por që ishte ndërprerë për shkak të Luftës së Dytë Botërore.·
Reliktet e Shën Florit, eshtrat, “Dora e artë”, tetë eshtra, ruhen dhe nderohen në Catanzaro të Italisë.·
Në të njëjtin vend, në Shën Floro të Catanzaros, janë marrë edhe reliktet e Shën Laurit më 11 gusht 1986 nga “Ex ossibus” në Vatikan, për t’i bashkuar vëllezërit edhe në këtë mënyrë, pasi ata janë së bashku në lumturinë e amshuar.
Prishtinë, 17 gusht 2024