Tregim nga Bajram Sefaj
Në tregtoren e modës së lartë, Ndreu i qaset peliçes më të shtrenjtë. Cilësinë dhe ekskluzivitetin e saj, më së miri, e dëshmonte çmimi.
Marramendës, sa i lartë ishte!
– Ma prit këtë copë, këtu! – i tha shitësit, duke zënë me pëllëmbë, peliçën për mënge!
– Je në vete, ore! Je normal!?! Të pritet një copë nga një peliçe! Ku ke parë ti!
– Në shitore të mishit!
– Shko bli mish!
– As atje nuk do ta blej një ka të tërin, pos një copë edhe më të vogël se kjo! – ia ktheu Ndreu e iku!
Përnjëmend, bëri ashtu siç bën blerësi, kur, nga një shitore e madhe e konforamës, del me një grusht gozhdësh mbështjellë në letër. Të mjaftueshme për ndreqjen e një elementi të imët në hajat të shtëpisë!
Jo me një grusht gozhdë, por me dhjetë-pesëmbëdhjetë rreshta, Ndreu, doli nga thesari i «merkatos» së librit, të një biografie të madhe!
Kaq i duheshin për sajimin e një tregimi të shkurtër. Për diçka më shumë, sigurisht se do t’i nevojiteshin më shumë!
*
Anonimisht, siç ishte zakon, shaminë e qëndisur, e mori kur ishte në moshën nëntëvjeçare. Pak pas kryerjes së vitit të parë të shkollës fillore!
Gjyshja mentë plasi gazi, kur, nipi shëndetlig, e pyeti se ç’do të thoshte ajo shami!
– «S’mund të them…Ti s’ishe caktuar të bëheshe çun. Jot ëmë, pas lindjes së birit të parë, Dhimitrit, donte të lindte një çupë. U bë si u bë… ajo u pendua dhe, në çastin e mbramë, lindi një çun, i cili, sipas të gjitha qëllimeve praktike, duhej të ishte çupë».
– «Unë jam kryekreje çun!».
– «Tregoje, pra. Unë u them djem vetëm atyre që mund të përdorin koburen…!».
Çuni shëndetbrishtë, rrëmbeu një kobure nga këndi… doli me vrap… ia tërhoqi këmbëzën… Bam!
– «Tani e di se je mashkull!» – i tha gjyshja me fytyrë të ngrysur, si të aktronte hijerëndësi!
Vallë, cila ishte çupa që ia kishte dërguar shaminë?
Ish dhjetëvjeçarja Shasha, ajo që njohu shaminë në dorën e plakës, të gjyshes së çunit, kur i printe valles në sheshin e fshatit, ku… »Gjëja e vetme që mungonte ishin vashat!».
Shasha s’donte të merrte një «jo» si përgjigje.
Një epidemi e tifos e zgjodhi nyjën gordiane.
Shashën e mposhti vdekja.
Çuni shpëtoi dhe u shërua.
*
Kurrë në jetë nuk ishte martuar!
Kishte ruajtur kujtimin eternel për Shashën. Kur ajo vetë e kishte zgjedhur, duke qenë e gatshme t’i bëhej kujdestare! Pa kërkuar prej tij, as të qesë me kobure, as të pijë përnjëherë kovën e madhe plot me ujë sa s’mund të pinte një ka!, as kurrgjë tjetër, me ç’gjëra, tradicionalisht, matej burrëria mashkullore në »…fshatin e ngritur në një varg kodrinash valë-valë… që i ndante një përroskë e vogël, që gjarpëronte midis tyre…».
(Gaillard, prill 2001)