Shkruan: Dr. Albanë Mehmetaj
Romani “Oh” i Anton Pashkut është bërë një objekt i paragjykuar i analizës së formës, meqë vetë autori ka punuar shumë me format, ndërsa modeli letrar i kësaj vepre, në kërkimet që i janë bërë deri më sot, i ka mbizotëruar interpretimet e ideve. Nga studimet e deritashme vërejmë se analiza e formës së kësaj vepre bën të mundur që të hapen shkallët e strukturimit të saj, tipat e diskursit, kodi tematik, stilistik etj. Mendojmë se kur këto rrafshe të tekstit analizohen së bashku, arrijmë te modeli letrar i veprës së Pashkut.
Në analizën e formës së një vepre si “Oh”, çështja e parë që duhet të diskutohet është ajo e zhanrit sepse, duke e trajtuar zhanrin, e vëmë “Oh”-in përballë veprave të traditës së po këtij zhanri dhe i veçojmë karakteristikat përdalluese të tij. Kjo fiton peshë edhe më shumë, meqë zhanri është një kategori e kontestuar nga moderniteti, ndërsa Pashku është një nga autorët më të rëndësishëm të modernitetit letrar shqiptar. Rrafshet e tjera formale të veprës nënkuptohen nga modeli zhanror dhe përshkruhen brenda tij ose të ndërlidhura ngushtë me të.
Është shumë e rëndësishme të theksojmë se edhe tema e kësaj vepre është një element përcaktues dhe përfaqësues i zhanrit, një fakt që “Oh”-in e bën një vepër strukturalisht tematike. Duke i parë studimet për këtë vepër, vërejmë se tema si element strukturor është bërë çelës edhe për interpretimin e veprës, sidomos te studiues si Mensur Raifi, Sabri Hamiti, Kujtim Rrahmani, Kujtim M. Shala, Nysret Krasniqi etj. Vetë organizimi tematik i veprës e bën thelbësore temën, sepse teksti është organizuar si një lidhje tematike e varianteve të një teme (K. M. Shala).
Këto elemente të veprës së Pashkut e përbëjnë formën e saj, e cila është jo vetëm konstrukti në të cilën thuhen idetë apo barten mesazhet, por edhe një thelb i veprës letrare.
Është pohuar tashmë se romani “Oh” ka strukturë tregimtare, edhe pse si shtrirje narrative rrok një kohë afër dy mijëvjeçare. Pra, organizimi i tërësishëm narrativ i veprës bëhet duke u bashkuar një numër tregimesh, të cilat i lidh tema letrare (K. M. Shala).
Tregimet mbështeten në logjikën e të rrëfyerit të një lënde, të një teme, dhe japin mesazhe të njëjta në disa variante të ndryshme. Strukturimi kalon nëpër disa faza dhe jep domethënien e njëjtë të fenomenit nëpër kohë të ndryshme. Duke u nisur nga e sotmja, problematizohet një jetë në të shkuarën, jepet një projektim i saj utopik në të ardhmen, për t’u kthyer prapë në gjendjen aktuale të së sotmes, që është pasqyrë aktuale e dy të parave (S. Hamiti).
Tregimet arrijnë të realizohen përmes strukturimit të kohës reale dhe imagjinative dhe strukturimit të personazheve të figurshëm, të cilët ndryshojnë në situatat, po ashtu të figurshme në funksion të mesazhit ideor. Kështu, pra, teksti strukturohet nga disa nivele narrative, të cilat mund të qëndrojnë edhe si tregime në vete, por edhe e shënjojnë fabulën e lidhur të romanit.
Duke e analizuar strukturën e tillë të romanit të përftuar nëpërmjet shtresimeve tregimtare, të strukturimit të personazheve, të strukturimit të kohëve, të gjitha në funksion të idesë dhe të gjitha të realizuara përmes figurshmërisë artistike, shohim se kjo thurje krijon formën e romanit modern të Pashkut. Tri pjesët më të mëdha të romanit kanë një objekt – tradhtinë, prandaj edhe titulli del karakteristik dhe përfaqësues për atë që ndodh. Pra, del si një klithje, “Oh”, për një të keqe të madhe që përfshin rrëfimin në të gjitha anët.
Sa i përket planit të strukturimit, në këtë vepër arrihet mundësia e përthyerjes së zhanreve dhe formave, gjithnjë duke u bazuar në një “Libër”, të cilin njeriu që bëhet pre e mendimit, e shkruan në zonat më të thella, thuajse të humbura, të trurit të tij, në asociacionet e po këtij “Libri”, i cili, më në fund, si “dhembje” e hedh në dritë një copë të vetën si narracion (libër), si një pjellë imanente e natyrshme (N. Krasniqi). Por, zhanri i kësaj vepre lidhet edhe me lojën e madhe intertekstuale të Pashkut, e cila është studiuar si një përftesë e rëndësishme e kësaj vepre (K. Rrahmani).
Mendojmë se “Oh”-i, kah ta kapësh, i ka elementet e romanit modern. Shenjat e para i jep fabula e shprishur. Më saktësisht, Pashku e ndërton fabulën në më shumë se një kohë dhe nuk e ka një shtrirje klasike shkak-pasojë të ngjarjes.
Stili te romani i Pashkut e mban vlerën e tekstit dhe identitetin letrar të autorit, pasi e gjithë vepra e tij del si gjuhë e figurës, si gjuhë tejet e veçantë dhe, për më shumë, unike në letërsinë tonë. Ndërsa veçantinë domethënëse të stilit në rastin e Pashkut e bën gjuha që ndryshon ashtu siç ndryshojnë rrafshet tregimtare. Diskursi i figurshëm i Pashkut e ka model oralitetin shqiptar, kulturën biblike (si intertekst i diskursit oral), mitike, historike dhe stilin e autorëve modernë në përgjithësi.
Veçantitë e stilit dalin nga ndërlidhja e më shumë stileve dhe diskurseve. Kështu, përveç botës imagjinare që ndërton Pashku dhe stilit vetjak, kemi edhe kushtëzimin e stilit nga ndërlidhja intertekstuale që ka me kulturat e përmendura. Pra, llojllojshmëria e teksteve ka prodhuar edhe larushinë e stileve, duke u realizuar si përkryeshmëri poetike, sidomos atëherë kur dialogu shkrihet në monolog, dhe proza në poezi.
Është e domosdoshme që në kontekstin e analizës së formave të romanit “Oh” ta analizojmë edhe temën si një element përcaktues të formës letrare dhe si element që e motivon krijimin dhe strukturën e veprës dhe kjo bëhet më së miri duke i interpretuar idetë.
Bartës të ideve dhe përfaqësues të veprimit dhe të temës janë personazhet: Ai, Ajo, Plaku, Batot, Babai, Djali, Genti, Platori etj., ndërsa rrëfimtari i zbulon kohët dhe personazhet, që dalin në pah tri kohët por, si në të gjithë romanet moderne, dominon koha subjektive, ajo e tashmja. Kjo realizohet përmes personazheve të emërtuara me përemrat Ai dhe Ajo, të cilët dialogojnë dhe ballafaqojnë dy pikëpamje të kundërta: mashkulli pasiv e indiferent, dhe femra aktive, e cila do të ndërtojë jetë. Edhe dialogu mes tyre ndërtohet si dialog i ideve, me ndërhyrje të ideve autoriale. Ai dhe Ajo kanë pikëpamje të ndryshme për jetën dhe veprimin, prandaj rrugët e tyre ndahen.
Rrëfimi hyrës mund të shihet edhe si tregim në vete, por pas kësaj ndërthuret tregimi i dytë, i cili ndërtohet nëpërmjet rrëfimit mbi të shkuarën në një vijë imagjinare, që arrihet nëpërmjet bisedës me plakun e urtë. Tash mbizotëron rrëfimi që ka në qendër shpalimin e të kaluarës historike dhe të mungesave të saj. Plaku është personazhi simbol i të kaluarës popullore e mitike dhe e rrëfen historinë e rënies së Ilirisë si pasojë e tradhtisë. “Shpesh e kemi humbë kryet për pasqyra me dy faqe dhe për seli ma të madhe”. Ai dhe Ajo pushojnë, ndërsa Plaku e shpalos idenë e autorit, të dëshmuar në të kaluarën historike, nëpër një vijë të jetës kombëtare.
Shtresa e tretë tregimtare, po ashtu, e tematizon tradhtinë, ndërsa rrëfimtari del në pozicion të dëshmitarit për ta radhitur një numër të madh të tradhtive që janë shkak i shkatërrimit të vlerave kulturore e njerëzore, shkurt shkatërrimin e identiteteve dhe zhdukjen e popujve. E gjithë pjesa jepet nëpërmjet ironisë së autorit për një kohë të ardhme dhe utopike, e cila i ka shenjat e rrëfimit për tragjedinë shqiptare.
Analiza e formës së veprës së Anton Pashkut në përgjithësi dhe e romanit “Oh” në veçanti e hap konstruktin strukturor apo modelin letrar pashkian, i cili është krejt ndryshe në letërsinë e re shqipe. Pashku, sa mund të nxirret përfundimi prej leximeve dhe shkrimeve të të tjerëve bërë për veprën e tij, është keqkuptuar pikërisht për shkak të formës së veprës, e cila edhe mesazhet më të hapura i ka bërë art poetik.
E dimë se në një rreth në të cilin kërkoheshin mësime ideologjike, vepra e Pashkut jepte udhëzime poetike. Insistimi për analiza të formës përligjet edhe nga kjo rrethanë, por më së shumti nga vetë modeli letrar, i cili është thelbësor dhe veti përcaktuese e veprës së Pashkut.