in

Pse jemi të varfër?

Dush Gashi

Jemi të varfër. Këtë e tregojnë të gjitha statistikat. Dhe po ikim. Shikojini të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

Pse?

Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, në librin e tyre “Pse dështojnë kombet”, në të cilin shqyrtojnë shkaqet pse disa vende janë të pasura e të tjerat të varfra, kanë një përgjigje të thjeshtë:

Vendet e varfra janë të varfra (duke përfshirë, pra, edhe vendin tonë) për shkak se – u mungon demokracia!

Nëse mendoni se autorët e këtij libri kanë shkruar diçka sensacionale dhe sipërfaqësore, e keni gabim! I pari është profesor në MIT-in e famshëm (Instituti Teknologjik i Masaçusetsit) e tjetri i Universitetit të Çikagos. Dhe, tezën e tyre themelore nuk e kanë nxjerrë shpejt e shpejt, por pas hulumtimeve 15-vjeçare, dhe në librin e tyre prej rreth 500 faqesh përfshihen pak a shumë shtetet e tërë globit, madje edhe qytetet a regjione veçanta të tyre, dhe atë që nga koha e Perandorisë Romake e deri në ditët e sodit. Kërkojeni ndonjë vështrim për librin, dhe do të shihni se prej sa gazetash e revistash të mëdha është shpallur libër i vitit dhe çfarë kanë thënë për të personalitete të shquara të dijes të kësaj kohe! (Meqë ra fjala, habitem se si askush nga ata që ndër ne kanë shkruar për këtë libër, nuk e kanë ndërlidhur me gjendjen tonë, ndërsa prej tij kuptohet sikur të ishte shkruar pikërisht për ne!)

Ajo që është më e habitshme në këtë libër është tek thuhet se dështimet nuk kanë të bëjnë as me pozitën gjeografike, as me resurset, dijen e pamjaftueshme apo kulturën. Vendet e varfra janë të varfra sepse ata që janë në pushtet përcaktohen për vendime të cilat krijojnë varfri. Ata këtë nuk e bëjnë nga padija, po me vetëdije!

Në të kundërtën, vendet si Britania e Madhe e Shtetet e Bashkuara janë bërë të pasura për shkak se qytetarët e tyre i kanë hequr nga pushteti elitat e fuqishme dhe kanë krijuar shoqëri në të cilat të drejta politike kanë numër shumë më i madh njerëzish, në të cilat pushteti ka përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe reagon ndaj nevojave të tyre dhe, sidomos – në shfrytëzimin e rrethanave ekonomike kanë qasje masat e gjera të popullit.

Çfarë ka ndodhur në Kosovë?

Atë që Perëndimi e ka arritur pas përpjekjeve gjatë shekujve, me trazira e revolucione, Kosova e ka fituar të gatshme me Kushtetutën e saj. Por, kthejeni pak “filmin” prapa dhe do të shihni se sa shumë përpjekje janë bërë që rendi i tillë të mos funksionojë: si është bërë privatizimi, si jepeshin tenderët e investimeve të mëdha dhe kush përftonte prej tyre, kush i ka drejtuar dhe si janë qeverisur ndërmarrjet publike, si është bërë caktimi i njerëzve në pozita e deri te punësimi në nivelet më të ulëta. Dhe, se fundi, po më e rëndësishmja – si është kapur sistemi i drejtësisë, në mënyrë që ky sistem i padrejtë të mos mund të ndryshojë!

Nuk i kam rënë në fund ende këtij libri dhe nuk do të shkruaja tash këtë tekst kështu ngutas, sikur, falë rastësisë, të mos hapej kjo temë dje, pas një statistike të publikuar për varfrinë.Por, po ju them ju “analistëve” dhe partiakëve, si dhe mediave të cilat ju transmetojnë, se të mendosh se varfria mund të kapërcehet me këtë apo atë mandat qeverie – është iluzion, të cilin e përhapni sa nga padia, sa për luftë për pushtet.

Për ndryshime të mëdha nevojitet konsensus i gjerë shoqëror, të cilin ne nuk mund ta arrijmë. Po ashtu, pa pavarësimin e sistemit të drejtësise nuk mund të ndryshojë asgjë, ndërsa kjo nuk do të mund të ndodhë pa një shtytje të madhe, gjithëpopullore. E kjo e fundit është e pamundur të ndodhë, sepse partitë politike, me klientelizëm, e kanë paqtuar këtë popull si askush më parë.

E fundit: thashë në fillim se ne po ikim nga varfria. Në fakt, duhet pasur guxim të thuhet e vërteta e plotë: Ne po shuhemi në këtë vend!

Limon me selino, kura natyrale që ul sheqerin në gjak

Pamje të operacionit policor të realizuar dje në veri të Kosovës