Piktura e Vlashnjes.(Foto dhe dizajn: Dukagjin Mehmetaj)
Nga Haxhi MEHMETAJ, ARKEOLOG
Spiralet janë simbole të diellit. Andaj shkëmbi i Kobajës është tempull kushtuar kultit të diellit. Piktura mund të vendoset në një interval kohor nga epoka e neolitit deri në epokën ilire të hekurit, nga mijëvjeçari VI deri në mijëvjeçaren I para Krishtit.Rreth 6 km në perëndim të Prizrenit dhe 3 km perëndim të qendrës së fshatit Vlashnje, pranë vendit ku bashkohen lumenjtë Lumëbardhi (Bistrica) e Prizrenit dhe Drini i Bardhë gjendet piktura shkëmbore e epokës parahistorike.
Grykëderdhja e Lumëbardhit në formë kanjoni, masivet e shtresuara shkëmbore krijojnë visore të bukura të mrekullisë së natyrës, të cilat kanë frymëzuar njeriun e epokës parahistorike për krijimin e kësaj vepre unikale të artit shkëmbor. Vend për pikturim është zgjedhur streha e shkëmbit të parë të treshes së masiveve shkëmbore, në anën e djathtë të Lumëbardhit e njohur më emrin Mrizi i Kobajës. Ndërsa rreth 2km në verilindje ndodhet vendbanimi shumë shtresor i Vlashnjës i banuar në vijimësi nga neolitiku i hershem deri në mesjetën e vonë.
Streha ku është realizuar piktura ka formë harkore, tavan në formë pllakash horizontale, mure në formë brezash vertikal, gjatësi 25 m, dhe gjerësi 2 – 3 m. Piktura është vizatuar më ngjyrë të kuqe të ndezur, në dy tavane dhe dy mure të hijerores, në planin horizontal dhe planin vertikal. Bota mistiko – religjioze e në shkëmbin e Kobajës është paraqitur më 17 spirale, 1 figure të drerit dhe 1 figure të gjarprit. Kompozicionit të pikturës i prinë dreri, i dhënë në një pozicion të qetë qëndrimi, më kokë nga perëndimi. Në degën kryesore të bririt të djathtë të drerit është dhënë spiralja me një rrotullim nga nga lindja në perëndim duke ndjekur drejtimin e drerit.
Thuajse të gjitha figurat e drerëve, motive këto të trashëguara nga epoka parahistorike ilire, në steçkat mesjetare të Bosnjës e gjetiu janë të kthyer në drejtim të perëndimit.Siç shihet temë bosht e pikturës së Vlashnjës është spiralja. Madje ajo është paraqitur edhe në bririn e drerit. Shumica e spiraleve janë njëshe. Vrojtohen vetëm 2 spirale dyshe. Motivet e spiraleve njëshe dhe dyshe në territorin e Kosovës, po edhe në treva fqinje të Evropës juglindore shfaqen që nga epoka e neolitit të vonë në vazhdimësi deri në epokën ilire të hekurit. Spiralet simbolizojnë diellin. Andaj shkëmbi i Kobajës është tempull kushtuar kultit të diellit.
Piktura mund të vendoset në një interval kohor nga epoka e neolitit deri në epokën ilire të hekurit, nga mijëvjeçari VI deri në mijëvjeçaren I para Krishtit.