Nest Zefi
Para disa ditësh kam shkrue nji status të shkurt në lidhje me debatin mbi “shaminë” dhe ligjin ad hoc të propozuem prej Albin Kurtit në Kosovë për lejimin e saj, tue shpreh disa konsiderata sintetike rreth instrumentalizimit të panevojshëm të saj, me dam të madh për stabilitetin e perspektiven europiane të Kosovës. Në fakt, jam surprizue per reagimet e shumta që me kanë ardhë dhe dashamirsinë që me kanë përcjellë edhe persona që shpesh herë nuk ndajnë horizontin tem të leximit e analizës të fakteve kontingjente dhe historike. Në atë status, kam tematizue togfjalëshin “islam politikë” si frymëzues i nji qasje funksionale për me testue futjen dhe jetëzimin gradual në shoqninë kosovare apo shqiptare të normave të sheriatit nëpërmjet induktimit të debateve të tilla, falë rrjetit të politikanëve e njerëzëve të vet.Bash dje në gazetën “Dita” kishte ardhë reagimi i parë i nji farë Shaban Murati, shkrimi i të cilit ishte komentue e sponsorizue në rrjetet sociale si vërtet i “shkëlqyer”.
Shabani si përfaqësues, jo edhe aq i kamufluem i galaksisë intelektuale islamike në trojet shqiptare, më duket se e kishte lexue dhe “përpi” postimin tem, prej të cilit ishte frymëzue dhe përpjekë me dhanë nji përgjigje të dejë si pasues imagjinar i Sulltan Muratit të dikurshëm, tue harrue se ajo kohë ka mbarue nji herë e përgjithmonë. Me nji repertor të dalun bojet, shabllon e intelektualisht të mjerueshëm, “kërcënon” me kode otomane, tue mohue në rradhë të parë ekzistencën e nji “islami politikë” dhe mandej tue përmend raportet statistikore në favor të islamit si themeli e merita eskluzive e harmonisë fetare ndër shqiptar..Kto pohime skandaloze trathtojnë, përveçse nji injorancë historike dhe mungese të nji analize elementare sociologjike të realitetit shqiptar, edhe nji reminishencë otomane ku elementin shqiptar jo mysliman shihet si pakicë që duhet, në rastin ma të mirë, rrespktue në nenshtrim…pra, me të njejtat kritere të Portës të Naltë.
Otomanët politikë në trojet shqiptare, të randuem prej peshës të diskretitimit historikë të sundimit gjakatar të Perandorisë Osmane, mundohen me hedhë tymçe depistuese të rrezikut grek, serb apo të ortodoksisë për mos mos me u përballë me të vërtetat e historisë dhe mbrojtjes autentike të identitetit shqiptar, ku merita eskluzive i takon komunitetit katolik, të cilët nuk u përkulën për 5 shekuj ndaj parardhësve shpirtnor të shokut Shaban, tue e pague atë qëndresë me martirizim të pashembullt. Ndaj ktij komuniteti msheht mllefi e kompleksi i otomanëve të pandreqshëm që gëlojnë në nahijen tonë shqiptare.Tentativa e dështueme me prishë harmoninë nuk asht e atyne personave që debatojnë me liri e përgjegjesi për me ruejt ekuilibrin e brishtë mbi të cilën asht ndërtue Shoqnia dhe shteti shqiptar mbas ramjes të Perandorisë Osmane, por e modelit të shokut Shaban, të cilët mbijetojnë në nahijen tonë thjesht falë nji inercie vrstare 5 shekullore, fundi i të cilës asht i afërt.
Simbas Shaban Muratit, ata që “prishin” harmoninë janë edhe idhtar të Fishtës dhe ktu ai e vërteton qartë se kush asht epiqendra e sulmit të vet për të cilin fola ma sipër. Diversioni që ka perdorë, tue përmend e keqpërdorë Patër Gjergjin si përbashkues kombtar, tashma tipike e nji tendence të konsolidueme sinkretiste në vitet e postmonizmit, viktimë e të cilës janë edhe shume katolikë, mendoj se meriton nji thellim të domosdoshëm për me u kuptue në krejt përmasën e vet helmuese. Islami politik nuk asht shpikje e jona tendencioze, por realitet historik që vazhdon edhe sot me mimetizimet e tij ciklike dhe në kuadrin e demokracive nikiliste europiane in primis dhe asaj shqiptare me taban të kompromentuem, tashma po kërkon të institucionalizohet me forma soft per me shkue mandej te ato hard.
Edhe mbas shpalljes formale të pavarsisë, në mungesë të dorëzanisë të Perandorisë Austro-Hungareze, si garante e elementit katolike, otomanët e thyen paktin e qeverisjes të përbashkët dhe vazhduen të patrazuem me imponue xhihadin e tyne shekullor, kulmi i të cilit u realizue gjatë rregjimit të Enver Hoxhës. Martirët katolike dhe komuniteti i tyne nen diktaturën hoxhiste, u persekutuen për motive te pastra fetare dhe asht vërtet e trupshme mos e me pranue paqësisht kët realitet të trishtë dhe me vazhdue me sllogane hipokrite shqiptarie të mbrujtun me otomanizëm ende sot e ksaj dite. Me implodimin e sistemit komunist, përjashtimi i katolikëve vijoi me kenë dogma e panegociueshme e elitës të sherbetisun otomane, tue ruejt me gjelozi vijat gjeografike të pushtetit të vjetër. Gjithsesi, katoliket janë tharmi i kombit e modeli i pushtetit të tyne asht i nji rangu tjetër, pra moral dhe në Europë nuk asht e mundun me shkue pa praninë e kontributin e tyne. Prandej, dinamizmi i kohës nuk mund te ndalet dhe shpejt gjanat po shkojnë në vendin e vet. Shqipnia asht realitet plural me destinacion Europën e sistemin e vlerave te saj autentike historike, ku nuk ka vend për modelin e islamit politik.