Ai është një plak luftarak i bardhë, flet për homoseksualët dhe pedofilët në të njëjtën frymë si Tramp, hedh poshtë debatet gjinore si humbje kohe dhe që s’duron dot kancelaren Angela Merkel. Edhe pse duket sikurse është një shumë mbrapa frymës së kohëve tona, sondazhet thonë se është më i pëlqyeri në garën për pasues të Merkelit. Këtë janar do të mbahen zgjedhjet, dhe sipas njohësve të situatës politike atje, ai që bëhet udhëheqës i Demokratëve Kristianë, do të bëhet edhe kancelar i Gjermanisë.
Friedrich Merz, është tradicionalist, konzervator i vijës më të ashpër, dhe përkundër kritikave që i adresohen, ai nuk ka ndërmend që të ndalet nga synimi i tij që të bëhet i pari në parti dhe i pari në vend.
Dikur Merz ishte një yll në rritje mbrenda partisë Demokristiane, por ambiciet e tij politike më 2002-tën u ndeshën me një mur të quajtur Angela Merkel, që e mënjanoi atë për të marrë kontrollin e grupit parlamentar CDU.
Merz, 65 vjeçar, është avokat korporatash për nga profesioni. Shumicën e 20 viteve pasuese i ka kaluar duke u zier brenda vetes dhe gjithashtu duke qenë pjesë e borde të shumë ndërmarrjeve, që në fund iu shpagua sepse ka vënë mënjanë një pasuri të vogël.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ai vazhdimisht ishte i preferuari i krahut të djathtë të CDU-së, që kurrë nuk u ngrohën me Merkel-in. Shumë konservatorë e akuzojnë atë për shkeljen e parimeve thelbësore të partisë duke e çuar atë shumë larg në të majtë për çështje të tilla si migrimi dhe politikat sociale. Ata argumentojnë se politikat e Merkel-it bënë që e djathta e CDU-së të shpërbëhej duke lejuar ngritjen e ekstremit të djathtë me Alternativën për Gjermaninë, që është bërë partia më e madhe opozitare e vendit.Pasi Merkel dha dorëheqjen si udhëheqëse e partisë më 2018, Merz – të cilin gjermanët e moshuar e kujtojnë si një ‘fajkua fiskal’ (Uljen e shpenzimeve dhe eliminimin e deficitit) si dhe mbrojtës të vlerave tradicionale – u shfaq nga askundi për të garuar për krye të partisë. Ai mohoi fjalët se shkaku i garimit të tij ishte mëritë e së kaluarës, dhe këmbënguli që motivi i vetëm ishte shërbimi publik.
Në atë kohë, Gjermania ishte ende duke luftuar me pasojat e krizës së refugjatëve, CDU sapo kishte pësuar një varg stagnimesh në rezultatet elektorale dhe popullariteti i Merkel-it po binte dukshëm. Merz arriti të shfrytëzoj këtë rast, dhe pothuajse arriti ta mposhtë Annegret Kramp-Karrenbauer, të cilën e kishte zgjedhur vetë Angela Merkel për ta trashëguar në postin e udhëheqëses.
Megjithëse fitorja dukej se do të binte në kaçepin e Merz, një fjalim shumë pasionant nga Kramp-Karrenbauer ua ndryshoi mendjen delegatëve dhe ajo fitoi mbështetjen e kongresit të partisë.
Dy vjet më vonë, Kramp-Karrenbauer befasoi të gjithë kur kumtoi se do të largohej nga roli i udhëheqëses si dhe nga aspiratat për ta pasuar Angela Merkelin në postin e kancelares. Kësaj radhe Mertz, apo Trampit të Gjermanisë do t’i duhet të ballafaqohet sërish me një të përzgjedhur të Merkelit, Armin Laschet, Kryeministrin e Nordrhein-Westfalen dhe Norbert Röttgen, kryetarin e komitetit të marrëdhënieve të jashtme të Bundestagut.
Zgjedhjet do të mbahen në janar. Supozohet se nëse CDU dhe simotra e saj bavareze mbajnë pozicionin e tyre të mirë në Gjermani, fituesi i këtyre zgjedhjeve partiake do të bëhet edhe kancelar i vendit.
Mirëpo siç duket nga problemet e kohëve të fundit me të cilat është ballafaquar CDU, Merz duke kanalizuar ‘Trampin e brendshëm’, thotë se udhëheqësia e partisë është duke komplotuar kundër tij.
“Nuk do të funksionoj”, u tha ai armiqve të tij të supozuar në një intervistë televizive muajin e kaluar, gjersa fliste në veten e tretë. “Ju nuk do ta tërhiqni Merzin poshtë ose ta lodhni atë. Ai do të qëndroj i palëkundur në këmbë”.
Merz kundërshtoi planin e udhëheqjes së CDU për të vonuar konventën, hap që partia tha se është e detyruar të ndërmarrë shkaku i pandemisë. Kramp-Karrenbauer, e cila është ende udhëheqëse e CDU-së, dhe zyrtarë të tjerë të partisë mohuan që vonesa të kishte të bënte me Merz-in.Këmbëngulja bëri të veten, dhe partia ra dakord që zgjedhjet të mbahen këtë janar. Kjo i konven atij sepse është duke kryesuar në sondazhe, shumë para dy rivalëve të tij. Sipas një sondazhi të publikuar nga Der Spiegel këtë muaj, Merz kryeson me 26 përqind, ndjekur nga Röttgen dhe Laschet me 10.6 përqind dhe 8.1 përqind respektivisht. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn, i cili zyrtarisht nuk është në garë, u vendos i dyti me 23 përqind, ndërsa 20 përqind të të anketuarve të tjerë preferojnë kandidat tjetër. Pavarësisht nga numri i sondazhit, opinioni publik nuk ka shumë ndikim sepse fituesi vendoset nga 1001 delegatët e konventës që janë funksionarë partie nga 16 Bundeslandët (shtete pjesërisht sovrane përbërëse të Republikës Federale të Gjermanisë) e Gjermanisë. Kontigjenti më i madh vjen nga Bundeslandi Nordrhein-Westfalia, shtet që udhëhiqet nga Laschet, gjë që i jep atij përparësi të dukshme në zgjedhjet partiake. Duke qenë se do të ketë edhe balotazh në zgjedhje, dhe votimi tek të cilat poashtu është sekret, e bënë pothuajse e pamundur parashikimin e fituesit. Megjithëse Merz është produkt i establishmentit gjerman, dhe i CDU-së, strategjia e tij ka qenë që ta karakterizoj veten si një karizmatik të jashtëm që flet të vërteta të pakëndshme për udhëheqjen e partisë.
Në një ese të fundit, Merz vlerësoi dorën e qëndrueshme të Merkelit në rrethana të vështira, por sugjeroi që politikat e saj “rritën rrezikun” e shkaktimit të krizave të reja. Të flisje kundër sistemit kishte kuptim dy vjet më parë kur Merkel ishte në shënjestër edhe nga CDU-ja për shkak të menaxhimit të saj së krizës së refugjatëve. Por tani Merkel është politikania më e dashur e Gjermanisë me 70 përqind të votuesve që e miratojnë atë.
Disa në parti kanë frikë se një fitore e Merz do ta linte partinë thellësisht të ndarë midis Merkelitëve të zakonshëm dhe një fraksioni më konservator Merz. Të tjerë shqetësohen se qëndrimet e tij konservatore do të tjetërsojnë votuesit qendrorë që Merkel tërhoqi në parti gjatë viteve të fundit si dhe do të rrezikonte një koalicion me të Gjelbrit – që konsiderohet pothuajse i pashmangshëm nga shumica e vëzhguesve politikë në zgjedhjet e përgjithshme të vjeshtës së ardhshme.
Merz, i cili refuzoi kërkesat për komente, ka ngritur vetullat brenda dhe jashtë partisë për vërejtje të diskutueshme mbi një sërë temash nga homoseksualiteti te COVID-19.
I pyetur në shtator nëse do të kishte ndonjë kundërshtim që një person homoseksual të bëhet kancelar, ai tha jo, duke shtuar: “Orientimi seksual nuk është çështje e publikut. Për sa kohë që është e ligjshme dhe nuk përfshin fëmijë – një limit absolut për mua – nuk është temë për diskutim publik.”
Shumë njerëz, duke përfshirë në CDU, kritikuan Merz për ringjalljen e një trupe rreth homoseksualëve dhe pedofilisë, një akuzë që ai e mohoi. Ashtu si me mosmarrëveshjen mbi kongresin, Merz pretendoi se forca pa emër po bënin komplot kundër tij, duke i shtrembëruar me qëllim fjalët e tij për ta minuar atë.
Ai shënoi një shënim të ngjashëm gjatë një bisede në kohën kryesore në televizionin publik gjerman këtë muaj, ku ai ishte një mysafir së bashku me udhëheqësen e Gjelbër Annalena Baerbock dhe Ministrin e Financave Olaf Scholz, një Social Demokrat. Kur drejtuesi i emisionit pyeti Merz për pikëpamjet e tij mbi përemrat gjinorë, një çështje e shumë popullore në mesin e progresistëve, Merz u duk sikurse nuk mund ta besonte pyetjen.
“Ne kemi nevojë të zgjedhim pak se ku janë prioritetet tona”, tha ai, duke ngritur zërin dhe duke u zgjatur përpara nga ulësja e tij/ “Ne kemi disa probleme të tjera në këtë moment që duhet t’i zgjidhim.”
Në mes të një debati rreth kufizimeve të reja pandemike në fillim të këtij muaji, Merz bëri bujë me një tjetër deklaratë se “nuk është punë e qeverisë” se me kënd ai ose gjermanët e tjerë festojnë Krishtlindjet. Me Gjermaninë që po përballet me infeksione dhe vdekje rekord, kritikët thanë se vërejtjet ishin të papërgjegjshme për një njeri që aspiron të udhëheqë vendin.
A ka Merz përvojën për të udhëhequr vendin më të madh të Evropës? Disa nga ata që kanë punuar me të nga afër kanë dyshimet e tyre, duke e përshkruar atë si të kundërtën e një lojtari ekipor dhe të papërshtatshëm për botën e drejtuar nga konsensusi i një koalicioni qeveritar. “Ai do që të marrë çdo vendim vetë,” tha një ish-nëpunës i Merz-it, duke shtuar se ai kishte tendencë të injoronte këshillat e jashtme.
Sidoqoftë, pas 20 vjetësh të stilit të ngadaltë të Merkelit, që udhëheqte me konsensus, shumë në CDU dëshirojnë qasjen energjike e pa pardon mund-ta-bëjmë të Merzit. Pyetja e vetme është nëse Gjermania është e përgatitur të jetojë me pasojat. POLITICO Europe