“Bota vuan shumë. Jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë “ (Napoleon Bonaparta)
Shkruan: Don Lush Sopi
Në kohëra me plotë luftëra kudo në botë, me kriza të mëdha ekonomike, politike, morale, fetare dhe shoqërore, me pasiguri të mëdha në çdo segment të jetës, njeriut, për fat të keq, po i ngarkohet pasiguria e madhe edhe në aspektin fetar apo religjioz. Ky realitet është prezent edhe në shoqërinë tonë. Është realitet i përditshmërisë i shprehur në mënyra dhe metoda të ndryshme, i cili çdo ditë e më tepër po shkakton dëme të mëdha në shoqërinë tonë, sepse po e rrezikon unitetin dhe identitetin tonë Kombëtar. Këtë mund ta shoh çdo njeri që mendon, reflekton dhe vlerëson pozitivisht gjendjen aktuale në shoqërinë tonë.
Feja apo besimi është frymëzim i brendshëm i jetës shpirtërore të njeriut, është çështje personale dhe intime e njeriut me Zotin. Është mënyra apo mundësia më e mirë e bashkëpunimit dhe e bashkëveprimit të njeriut me Krijuesin e vet. Feja ka për detyrë primare edukimin dhe formimin e shëndosh të njeriut në aspektin fetar, kombëtar, njerëzor, kulturor, moral dhe human. Feja apo besimi duhet t’i bashkojë njerëzit, e jo t’i ndaj apo përçaj. Mësimet apo ligjëratat të cilat mundohen ta paraqesin Zotin të kufizuar, Zotin për të cilin ka rëndësi vetëm një besim, paraqitjen e një feje të vetme si fe të vërtet, duke mohuar të gjitha besimet tjera, si dhe paraqitjen e Mbretërisë qiellore (Parajsën & Xhenetin) ku kanë vend vetëm besimtarët e një besimi dhe askush tjetër, dëshmojnë çartë se nuk kanë për qëllim ngritjen shpirtërore apo frymëzimin fetar të besimtarëve. Mësimet apo frymëzimet e tilla nuk janë frymëzim shpirtëror, por janë traumatizim shpirtëror, i cili mund të përfundon edhe në traumatizim mendor, me pasoja të mëdha për shoqërinë tonë.
Nga historia mësojmë për fatkeqësitë dhe tragjeditë e mëdha që i kanë ndodhur (e që po i ndodhin edhe sot) njerëzimit nëpërmjet luftërave të tmerrshme, luftërave për interesa politike, etnike, territoriale (gjeografike), ideologjike, ekonomike, si dhe për interesa të ndryshme fetare apo religjioze. Tragjedi të tilla ka përjetuar edhe populli ynë shqiptarë në të kaluarën, nga pushtuesit dhe ideologjitë të ndryshme.Situata e tanishme në Kosovë është sinjal i ndezur dhe shumë i çartë për ne, sinjal i cili nuk guxon assesi të neglizhohet, sepse frymëzimet, indoktrinimet dhe investimet e mëdha që bëhen në emër të fesë, çdo ditë e më tepër po e rrezikojnë të ardhmen apo perspektivën e popullit tonë. Këto veprime, përpos që po i shkaktojnë dëm të madh familjes dhe shoqërisë sonë në përgjithësi, ato kanë filluar t’i ngulfasin edhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Heshtja apo dorëzimi para ngjarjeve apo fakteve të tilla, do ta dëmtojnë dhe pengojnë Kosovën drejtë perspektivës së saj evropiane, siç u dëshmua me mos pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Napoleon Bonaparta thoshte: “Bota vuan shumë. Jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë”.Lufta e vitit 1999 që i solli vendit tonë çlirimin nga shteti serb dhe Pavarësinë e Kosovës, ka qenë luftë për ta shpëtuar kombin tonë shqiptar dhe për t’i realizuar aspiratat tona shekullore, për ta parë dhe përjetuar Kosovën tonë të dashur Shtet të Pavarur dhe Sovran karshi botës së emancipuar euroatlantike. Të gjithë ata që kanë luftuar dhe sakrifikuar jetën e tyre, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në çfarëdo mënyre, nuk kanë pasur qëllim apo ideal tjetër përpos idealit kombëtar dhe dashurisë ndaj Kosovës, Atdheut tonë Iliro-Dardanë. Sa i përket çështjes fetare, në Kosovë nuk do të ndodhte lufta e vitit 1999, sepse nuk ka qenë e rrezikuar feja, por kombi ynë shqiptarë dhe Kosova jonë e dashur.
Është fakt të cilin nuk mund ta mohojë askush. Populli ynë nuk ka luftuar për fe, por për Atdhe. Çdo tendencë për t’i dhënë kuptim apo kahje tjetër luftës së fundit në Kosovë, duke mohuar të vërtetën, faktet, argumentet dhe dëshmitë e përjetuara, nuk kanë destinacion tjetër përpos në “fabrikën” e gënjeshtrave, aty ku historia jonë e lavdishme në të kaluarën ka përjetuar fatkeqësi dhe tragjedi të mëdha.Çdo shtet e ka Kushtetutën e vet e cila është bazë apo themel për ekzistimin dhe funksionimin e Shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Ajo duhet të mbrohet dhe të respektohet nga të gjithë qytetarët e saj, nëse duam që institucionet të funksionojnë mirë, për ta bërë Kosovën Shtet të fuqishëm dhe funksional.Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025.
Lusim Zotin për një vit të mbarë dhe të bekuar, për një vit të suksesshëm të të gjithë nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Lusim Zotin për prindërit e nxënësve, studentëve, për angazhimin dhe kujdesin e tyre maksimal, që në bashkëpunim me mësimdhënësit e fëmijëve të jenë të përgjegjshëm në misionin e tyre të shenjtë, për arritje të sukseseve të mëdha në edukim dhe formim, në të mirë të fëmijëve të tyre.Lusim Zotin dhe urojmë që Institucionet tona arsimore të kujdesen për përmirësimin e cilësisë dhe të standardeve në arsim, për edukimin dhe formimin e nxënësve, për përgatitjen dhe ngritjen intelektuale të tyre. Duke vepruar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, do të ngritët niveli arsimor dhe edukativë, që janë bazë dhe bazament për një shoqëri, si dhe do të ruhet dhe mbrohet ky Institucion i shenjtë (MASHT-i), për të cilin është flijuar dhe sakrifiëkuar shumë në të kaluarën.Institucionet fetare në Kosovë i gëzojnë të drejtat dhe privilegjet nga Shteti. Prandaj, këto Institucione (fetare), përpos që duhet të jenë mirënjohëse dhe falënderuese ndaj Shtetit të Kosovës, e kanë obligim moral dhe juridik t’i ruajnë, t’i mbrojnë dhe t’i mbështesin Institucionet Shtetërore dhe Kushtetutën e saj, sepse, duke i mbrojtur ato e mbrojnë dhe e ndihmojnë Institucionin të cilin e përfaqësojnë.
Institucionet fetare duhet të kujdesen për jetën shpirtërore të besimtarëve, për edukimin dhe formimin e tyre në aspektin shpirtëror, por këtë ta bëjnë në Kisha dhe Xhamia. Dhe, kur të gjitha Institucionet funksionojnë me programet e veta dhe në Institucionet e veta, bashkëpunimi do të jetë më i lehtë, më efektivë dhe më produktivë. Në të kundërtën, do të krijohen mospajtime, mosrespektime, keqinterpretime, si dhe ftohje apo prishje të raporteve ndërnjerëzore dhe ndërvëllazërore, siç po ndodhë, mjerisht, kohëve të fundit.Kosova është ende në rrugëtim për t’i arritur dhe realizuar synimet e veta, për të qenë shtet i barabartë, me të drejta të plota që i kanë shtetet tjera civilizuese. Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo veprimtari tonën, sepse mund të bartim pasoja të mëdha dhe të paimagjinueshme në të ardhmen.
Mos të lejojmë për asnjë çmim keqpërdorimin e institucionit edukativo-arsimor, sepse, aty është baza, themeli dhe frymëzimi për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor, aty është shpresa dhe ardhmëria e popullit tonë. Në të kundërtën, do ta përbuzim gjakun e shumë dëshmorëve që u flijuan dhe sakrifikuan për këtë qëllim, do ta përbuzim gjakun e pafajshëm të fëmijëve, të rinjve dhe të mijëra shqiptarëve të masakruar nga forcat serbe, do ta përbuzim këtë tokë të larë me gjak ndër shekuj, do t’i përbuzim apo zhvlerësojmë vuajtjet e familjeve të cilat ende janë me zemër dhe shpirt të plagosur për familjarët ende të pagjetur, do t’i përbuzim vajzat dhe gratë e dhunuara nga forcat serbe, të cilat gjatë gjithë jetës do t’i vuajnë pasojat e mëdha nga aktet e tilla barbare, do t’i përbuzim të gjitha flijimet dhe sakrificat e shumta që janë bërë për këtë ideal.Pasojat për papërgjegjësinë apo mosfunksionimin e Institucioneve në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të mbeten në shpirtin e atyre që kanë përgjegjësi juridike dhe morale për t’i mbrojtur ato, pasi që për këtë janë betuar.
Udhëheqësit e Shtetit, si dhe udhëheqësit e Institucioneve Shtetërore, për asnjë çmim apo interes, qoftë personal apo partiak, nuk kanë të drejtë të veprojnë ndryshe, përpos t’i mbrojnë dhe t’i respektojnë me përpikëri Institucionet të cilat i përfaqësojnë.Të lejohen ritet fetare në Institucionet shtetërore, arsimore, shëndetësore për të arritur apo për të mbetur në pushtet nëpërmjet përkrahjes dhe mbështetjes së “besimtarëve” është e pajustifikueshme dhe shkelje flagrante e Shtetësisë së Kosovës. Veprimet e tilla do të bartin pasoja të mëdha për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Duhet pasur shumë kujdes, sepse, çdo vepër, herëdokur do të dalë në dritë. Këtë e thekson vet Jezusi:“ S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, e as të fshehur që nuk do të merret vesh. Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve” (Luka 12,2-3).
Pra, krejt në fund, si një meshtar shqiptar i Kishës katolike po e përmbyll me një përgjigjje pozitive thënienmonumentale te Napoleon Bonapartës. Neve si njerëz, kjo thënie, na thërret që të jemi të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolin tonë në shoqëri dhe në segmente të tjera (edhe misione fetare..). Në tërë angazhimin tonë, nuk mjafton vetëm të mos jemi të këqij, por e kemi obligim dhe detyrë që të mos heshtim dhe ta ngrisim zërin tonë, të flasim dhe të veprojmë për të vërtetën dhe të mirën. Sepse këtë ua kemi borxh jo vetëm paraardhësve tanë por edhe brezave. Pra edhe heshtja është një fenomen që thjesht mund të jetë një aleate e së keqes, por zëri i së mirës dhe së drejtës njerëzore (pavarësisht rolit të tij) e ka fuqinë për të ndryshuar botën.Zoti e bekoftë këtë vit të ri shkollor.Zoti i bekoftë nxënësit, studentët, mësimdhënësit, prindërit, si dhe të gjithë ata të cilët në çfarëdo mënyre do ta mbështesin dhe përkrahin arsimin në Kosovë.Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur dhe gjithë popullin tonë shqiptarë.