in

Në Kosovë islami politik është në ofensivë. Kjo nuk duhet toleruar më

Nga Driton Gashi – Dortmund, Gjermani

U ktheva nga Kosova me shumë impresione të mira, duke parë zhvillim në ekonomi, logjistikë, në shumë fusha tjera. Ndoshta duke i parë këto ndryshime nga distanca, ne mërgimtarët jemi më racionalë dhe mund t’i perceptojmë këto më qartë, besa edhe të mburremi me këto të arritura në vendin tonë. Natyrisht se kishte edhe shumë gjëra jo aq të mira, të cilat nuk dua t’i injoroj, por ma merr mendja se edhe ato do të përmirësohen në vitet që do vijnë.

Çka më bëri të mos ndihem rehat dhe të them të drejtën më nevrikosi disa herë, ishte pushtimi i një hapësire të madhe publike të besimtarëve myslimanë, e kjo vërehej sidomos gjatë muajit Ramazan. Të mos keqkuptohemi: Kosova ka popullatë shumicë myslimane, edhe unë i takoj kësaj feje dhe me principet e saj edhe jam edukuar në familje. Në asnjë mënyrë nuk dua të paragjykoj ata të cilët e praktikojnë fenë tradicionale, ashtu si janë mësuar nga baballarët e gjyshërit e tyre më parë. Çka më ra në sy, ishte një vrull i madh i adoleshentëve, besa edhe i fëmijëve kah islami. Parimisht kjo gjë është pozitive, në këtë moshë secili njeri është në kërkim të identitetit të tij. Por asesi nuk mundem të pajtohem me faktin, se dymbëdhjetvjeçarët duhet të agjërojnë Ramazanin! Bile edhe në një kanal televiziv u paraqit një vajzë nëntëvjeçare nga Vushtrria më duket, e cila e kishte agjëruar krejt muajin e Ramazanit. Nuk e di nëse ky lajm u dha për “nasihat”, ose si shembull i mirë, si propagandë fetare. Nuk jam i sigurtë në këtë, pasi predikuesit fetarë i kishin futur hundët gjthandej nëpër media në Kosovë. Desha të them se nëse një baba ose një nënë lejojnë fëmijët e tyre të agjërojnë në pikë të verës, dmth. të mos hanë e pinë asgjë, kur temperatura arinn gati 40° Celsius, për mua ky ëshë keqpërdorim i këtyre fëmijëve dhe këta prindër duhet të dënohen!

Vërehej edhe një arrogancë e disa besimtarëve radikalë, të cilët shikonin me sy të shtrembër ata që hanin ose pinin publikisht! Poashtu në shumë lokale të Prishtinës nuk shërbehej fare alkoholi, duke thënë se është “respekt” në Ramazan?! E sapo mbaroi filluan birrat eks! Athua ku kemi arritur në Kosovë? Të n’a imponohet se si të jetojmë, çka të hamë, si të vishemi, çka të pimë? A nuk jemi identifikuar deri tani ne shqiptarët si popull tolerant, me diversitet kulturor e fetar? Me kushtetutë, Kosova është vend laik, pra ku politika dhe feja ndahen, nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën. E grupet islamiste në Kosovë janë duke e luftuar këtë parim, bile edhe me dhunë, duke rrahur hoxhallarë liberalë, duke shkarkuar forca progresive nga Bashkësia Islame e Kosovës, duke sulmuar si kafshë tubime publike, të cilët atyre nuk u pëlqejnë, si p.sh. ndodhi dhjetorin e kaluar në sallë të kuqe në Prishtinë, ku promovohej revista Kosovo 2.0.

Edhe nëpër disa xhami kishte hyrë një retorikë e urrejtjes dhe e frikës. Dëgjova se në një xhami të vogël të Prishtinës, gjatë namazit të Fitër-Bajramit, imami kishte thënë se të gjithë ata që nuk kanë agjëruar, do e mbajnë me vete një vulë si kuaj! Më këtë njollë ata do përfundojnë në xhehnem! Me një vokabular të tillë konfrontohen besimtarët në shekullin 21! Kjo i ngjason predikimeve urrejtnxitëse të kishës katolike në mesjetë. Si pasojë e kësaj ishte ikja e një numri të konsiderueshëm katolikësh dhe formimi i Kishës Protestante. Dua të them se në vend se të predikohet paqja, njerëzimi, e mira, se çfarë roli duhet të ketë feja në shoqëri, thuhen gjëra që i ceka më lart. Është detyrë e Qeverisë së Kosovës të kontrollon më mirë Bashkësinë Islame dhe predikuesit e dyshimtë të saj.

Dua një Kosovë bashkëkohore, ku mund të shprehet mendimi i lirë, pa frikë nga dhuna psiqike dhe fizike!

Dua një Kosovë tolerante, ku secili ka të drejtë të jetojë në mënyrën e vet, pa imponime nga të tjerët!

Dua një Kosovë laike, ku feja nuk ka të drejtë të ndërhyn në zhvillimet politike dhe të përçajë njerëzit!

Dua një Kosovë, ku secili ka të drejtë të besojë atë që ai dëshiron, ose ka të drejtë të mos besojë fare!

Dua një Kosovë, ku parime duhet të jenë humaniteti dhe demokracia!

Driton Gashi ka botuar dy libra në gjuhën gjermane “Sapere Aude” dhe “Me shqiponjën dykrenare në Ruhrpott”. Jeton dhe vepron në Gjermani.

Shkrimi është botuar me 2013, por është aktual edhe sot.

Lini një Përgjigje

E filmuan duke marrë zarfin me 150 euro për një notë kaluese, policia ‘heq dorë’ nga kërkimi i rektores së Shkodrës me urdhër të prokurorisë

Në një linjë me Putinin dhe Vuçiqin qëndrojnë: Borrel, Lajçak, Rama, Abazoviqi, Orban etj.