in

Kujdes nga arti, është subversiv!

(Peripeci rreth një skenari për film të shkurtër artistik dhe me një aktor të ditur, por me karakter të dobët)

Dush Gashi

Një ditë shkurti të vitit të kaluar, në një kafene të Prishtinës, po bisedoja me një aktor tonin të njohur rreth një skenari për film të shkurtër artistik, të cilin sapo e kisha përfunduar. Më parë ia kisha dërguar me e-mail përshkrimin e shkurtër të skenave dhe, pasi kishte vlerësuar se ka subjekt “shumë interesant”, në ndërkohë ia kisha dërguar edhe skenarin e plotë dhe tash duhej të bisedonim edhe rreth mundësisë së xhirimit, meqë ai ishte edhe producent.

Në bisedë, vetëm pas pak minutash po habitesha me rastësinë fatlume se – siç mendoja në ato çaste – e kisha gjetur mu personin e duhur për temën e skenarit tim – njeriun me mentalitet autoritar, çfarë ishte personazhi im, të cilin më tha se jo vetëm që e njeh, por edhe se edhe vetë kishte shkruar diçka me këtë temë! Takimi dukej edhe më shpresëdhënës në vazhdim, meqë gjatë shqyrtimit bukur të hollësishëm të skenarit, doli se kishte vërejtje vetëm në disa detaje gati të parëndësishme, të cilat me lehtësi do t’i diskutonim bashkërisht në një fazë të mëtejshme. Në fund më premtoi se me këtë skenar do të konkurrojë në konkursin e Qendrës kinematografike të Kosovës, i cili rëndom hapet gjatë verës.

Po ju tregoj sinqerisht, aq u entuziazmova, sa në të kthyer nga ai takim, e imagjinova edhe një plakat të atij filmi dhe me sytë e mendjes e shihja të ngjitur nëpër vitrinat e muret e sheshit!

Verës së kaluar, sa i përket filmit kam qenë aq i qetë me idenë se do të realizohej, sa as që kam shikuar se kur janë hapur as kur janë mbyllur konkurset e Qendrës kinematografike. Por, kur erdhi vjeshta e ky aktori nuk u bë i gjallë, një ditë tetori i shkruaj një mesazh pa ndonjë kërkesë të veçantë, vetëm me pyetje si të thuash “kah je”. Po atë ditë më përgjigjet se ka qenë i zënë me një projekt dhe se do të shihemi “nesër a pasnesër”. Edhe ato dy ditë prita i qetë, por, pasi kaluan jo dy, po edhe shumë të tjera dhe ai u zhduk përsëri, duhej të isha i marrë të mos e kuptoja se ai thjesht po më mashtronte! T’i shkruaja përsëri nuk bëhej fjalë, kështu dinjiteti im vëhej në pyetje, por edhe t’i thoja diçka e ndjeja si detyrim. Pse s’do ta xhirojë filmin mund të ketë pasur arsye objektive a subjektive, këtë e kuptoj, por të mos kishte kurajo as për përgjigje sy më sy në takimin që vetë e kishte caktuar – kjo ishte e patolerueshme.

Prishtina megjithatë është qytet i vogël dhe gjithmonë të jep mundësinë që t’ia thuash dikujt në sy atë që e ke menduar. Një rast i tillë m’u shfaq një ditë të prillit të sivjetshëm. Isha në njërën nga kafenetë përballë radios, kur hyn ai dhe, ndoshta pse edhe isha afër derës dhe duhej të kalonte pranë meje, me afrohet. Pa ia dhënë dorën, i them:

– Kah je ti, mos kishim lënë një takim?

Murmuriti diçka, po pavarësisht kësaj, unë ia thashë fjalinë të cilën pothuaj se e kisha të gatshme shumë kohë më parë:

– Çfarë kulture më bën ti, me këtë karakter që ke?!

– Çfarë karakteri? – më tha.

– Të dobët, ja çfarë!

– E, po unë s’mendoj ashtu për ty!

– Mendo çka të duash!

Më vonë, atë skenar timin duhet ta kenë lexuar edhe ndonjë regjisor, sepse ia pata dhënë edhe një burri tjetër, puna e të cilit po ashtu ka të bëjë me kinematografinë, që t’ia përcjellë ndokujt, si dhe një koleges sime, gazetare e kulturës, por askush nuk më është praqitur për të biseduar apo të më thotë çkado qoftë rreth tij.

Ta kemi të qartë, nuk po mendoj se kam shkruar një skenar, prej të cilit do të mund të bëhej ndonjë kryevepër kinematografike, ishte vetëm një sprovë e imja kjo që të bëj hapin e parë në botën e filmbërësve. Madje as që do ta përmendja, e lëre më të shkruaj këtë që po e shkruaj tash, sikur të mos kisha dëgjuar fjalë të mira nga ai aktor me përvojë prej disa dekadash dhe, sidomos, me njohurinë teorike për subjektin tim!

Po ashtu, nuk jam duke ua bërë portretin kolektiv të gjithë filmbërësve kosovarë nëpërmjet personalitetit të këtij aktori. Megjithatë, ma merr mendja se kjo heshtje e përgjithshme nuk ka të bëjë aq me cilësinë e skenarit tim, sa me konformizmin e krijuesve të kësaj kohe! Mbase edhe nuk kanë faj, për shkak se polarizimet e mëdha mes grupacioneve politike kanë bërë që shoqëria jonë – sado që kjo duket paradoksale – të jetë ndoshta më e dogmatizuar se asnjëherë më parë. Shprehur me një fjali, tash të parafrazuar, shumë të mençur të atij aktorit me karakter të dobët: “Ne vetëm e kemi pjesëtuar vetëdijen totalitare për atë numër partish që kemi”. Në një ambient të tillë, kritika e vërtetë shoqërore, e cila i zhvesh mitet e kohës, has në rezistencë të pathyeshme.

Pastaj, krijimtaria jonë e sotme artistike kryesisht financohet nga mjetet nga arka e  shtetit, ndërsa byrokratët, prej të cilëve varen këto mjete, ndjejnë se arti i vërtetë, siç thoshte Theodor Adorno, është vetvetiu subversiv, prandaj instiktivisht ua kanë dronë veprave të frymëzuara nga realiteti aktual dhe qëndrimit kritik ndaj tij. Krijuesit sigurisht se e kanë parasysh këtë ndjeshmëri të tyre dhe në një klimë të tillë kulturore është e pamundur të krijohen kryevepra, të cilit do qoftë art.

“Që një vend të ketë një shkrimtar të madh është si të kesh një qeveri të dytë. Prandaj asnjë regjim nuk i ka dashur ndonjëherë shkrimtarët e mëdhenj, vetëm ata të vegjël”, ka thënë shkrimtari disident rus, Aleksandër Solzhenicin.

Prandaj, do të duhet kërkuar rrugë e modele tjera të financimit të veprimtarisë artistike, në mënyrë që të dilet nga ky rreth vicioz. Përndryshe, kultura jonë do të shndërrohet në Tik-tok kulturë, siç po e shndërrojnë ditë për ditë televizione tona të panumërta, por dhe krijues gjithfare, edhe me mjete të qeverisë!

Botohet me lejen e autorit.

Lini një Përgjigje

Avokati Stojkoviq: Serbia shkeli marrëveshjet e Brukselit dhe të Kumanovës

Kombi shqiptar po përgatitet për rrëzimin e Ramës