Shkruan: av. Zanfir Kryeziu
Dera e Zezajve mban emrin tipik autokton mesjetar, Zezaj, Kreu i Zezajve – Kryeziu. Një pinjoll i kësaj dere, që në fillim të viteve 1600, u shkëput dhe u vendos në Gjakovë, duke pasur rol parësor në qeverisjen vendore dhe në themel të organizimit politik e shoqëror të zonës, ruajti traditën e trashëguar, që para pushtimit turk.
Një degë tjetër e Kryezezëve në fillim të viteve 1700 u zhvendos nga Puka (fshati Zezaj) në Iballe (rrethi Pukë) dhe lëvizi shumë shpejt në drejtim të fshatit me emrin mesjetar Bardhet (Pukë), fshat të cilit i dha emrin e vet, Kryezi.
Kryezi është fshati më i madh i komunës Qafë Mali në Rrethin e Pukës. Thuhet se emri e ka prejardhjen nga Kreshta e Zezë e Pishave që dominon fshatin përmbi Kodrën e Gegës.
Fiset, derivate të Zezajve, janë: Aliaj, Arifaj, Brahaj, Gegaj, Kovac, Koçupi, Markdodaj, Lulaj, Gojani, Miriaj, Rrapi dhe Vorfi.
Gjatë dy shekujve XVIII-XIX kjo derë kishte atributet institucionale të qeverisjes, sipas traditave kanunore të tri maleve të Pukës (Pukë, Iballe, Malzi). Gjatë këtyre shekujve detyrimet e banorëve ishin vetë ruajtja dhe mirëmbajtja e rrugës Vajdejs-Ura e Vezirit (Kukës). Banorët i njohën dhe i pranuan titullin dhe institucionet e zotërisë sipas traditës paraturke…
Dega Buza-Bussati dhe toponimet Kryebushat (Shkodër) dhe Zezaj-Kryezezët, të trashëguar nga Buzezët. Një degë tjetër nga ky fis i lashtë, është dera zëmadhe Renësi-Buzuku. Ruajtën në mbiemrin e tyre Buz(a)uku për t’u dalluar nga degëzimi tjetër Buza-Bussati, ato mbajtën edhe mbiemrin Renësi, nga emri i fshatit ku e kishin selinë në vendbanimin e tyre të lashtë.[1]
***
Si një pinjoll i Kryezinjve është shkëputur dhe paskësh ardhur në Gjakovë “që në fillim të viteve 1600”. Kjo datë duhet të jetë me karakter hipotetik, edhe pse përafërsisht disa vjet pas, ndoshta edhe përpara kësaj date, kemi beun e parë në familjen e Kryezinjve të Gjakovës
Familje u konvertua në mysliman në fund të shekullin XVI, ose fillimin e shekullit XVII, trashëgoi nofkën apo emrin e babait të vet Gega. Dhe, beu i parë i kësaj familjeje, tashmë të konvertuar në Gjakovë, ishte Hasan Bej–(Gego Zade) (?)[2] (Fjala “zade” në gjuhën persishte ka kuptimin “bir”. Ka shpjegime se kjo fjalë ka edhe kuptimin e fisnikut (djalë i fisnikut ?)[3]. U quajtën “Gego Zade” të gjithë trashëgimtarët e Hasan Beg Gego Zades që renditen më poshtë me funksionet e larta dhe shumë të larta në Perandorin Osmane. Bëri përjashtim njëri ndër pinjollët e parafundit pashallarë të kësaj plejade, Mustafa Pasha, i fundshekullit XVIII, i cili tashmë u quajt Karabash[4] = Kryeziu.
Në literaturën fetare osmane, Tevxhidin e parë e përpiloi Abdurrahman Karabash. (Tevxhid është Librer i udhëzimeve se si duhej lexuar Kurani Leximi i bukur dhe i drejtë i Kuranit). Këtë traditë e kishte edhe Kurt Pasha Kryeziu i viteve tana. Detyra e ti ishte me përcjellë lexuesin e Kuranit në Xhami të Hadumit në Gjakovë, duke e korrigjuar here-
pas here në pikëpamje të leximit të drejtë e të bukur të tij.
Gjeneratat e Kryezinjve të Gjakovës, prej viteve të fundit të shekullit XVIII e në vazhdimësi, janë quajtur Kryezi. Bënin përjashtim të huajt, mes tyre edhe qarqet turke, të cilat i cilësonin Jakova apo Gjakova ose, shkurt, pas emrit të personit shtonin titullin osman –bej ose — beg. Për shembull Riza Begu-ose Riza beg Jakova ose Gjakova
Pse të quhet ky pinjoll i parë i kësaj familjeje në postin e lartë të një sanxhakbeu, bir i Gegës – “Gego Zade”, pasi që këta kishin ardhur në Gjakovë pak vjet më parë dhe quheshin Kryezinj. Ka mundësi që Kryezinjtë të kenë ardhur në Gjakovë dhe pinjolli i tyre i posaardhur të ketë pasur emrin GEGË, gjë që mund të ketë ndodhur para vitit 1600. Diku fill para pushtimeve osmane, Kryeziu mund të jetë larguar nga vendi ku kishin rrënjët, ku do të kenë bërë rezistencë antiosmane, gjë që është shumë afër mendsh duke e ditur natyrën e tyre të kryeneçësisë dhe të rezistencës. Largimi nga trualli i vjetër pas asaj rezistence, Gjakova, mund të ishte vend më i sigurt për familje. Të gjitha këto mundësi janë hipotetike.[5] Mbetet e vërteta se pas konvertimit Kryezinjtë e Gjakovës në nomenklaturën osmane u quajtën GEGO ZADE. Shpjegim tjetër nuk mund të ketë përveç një: në familjen e Kryezinjve kryefamiljari do të ketë pasur emrin Gega, ashtu siç është quajtur familja e tij në fshatin Kryezi, i cili do të jetë konvertuar pasi u pushtua Gjakova nga osmanët. Konvertit i parë i kësaj familje duhet të ishte i biri i Gegës.
Emri GEGË ishte aq i shpeshtë ndër shqiptarët.
Ishte kjo një familje pinjollët e së cilës disa shekuj me radhë zinin pozita të larta në pushtetin osman; ndaj, veprimet e tyre politike të asaj kohe në skenën historike doemos ishin të kushtëzuara nga këta faktorë dominantë: Në radhë të parë, të bindjes pa ekuivoke në sulltanin, të pushtetit absolut të tij në sferën laike, po edhe atë shpirtërore – fetare. Sulltani ishte edhe Kalif (Halife).