in

"Koha pezull", Gani Mehmetaj (Dardania Press, Prishtinë 2024)

“Lumthi i varrosur në sarkofag”

/Entela Tabaku

Letërsia e mbasluftës së Kosovës është këtu. Gati të gjithë librat e botuar vitin e kaluar në Kosovë, trajtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, temën e luftës. Si shkruante në vitin e largët 1944 kritiku amerikan Granville Hicks, në artikullin e njohur “Forma e letërsisë së mbasluftës”, letërsia e mbasluftës vonon, por pikëllimi aty pret. Koha pezull është një roman mbaslufte në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse rrëfen pikërisht periudhën mbas mbarimit të luftës, e cila “nisi ashtu si nuk e priste asnjëri” (fq. 134).

Kjo periudhë rrëfehet nga autori në tri prerje kohore:- Amoku, ose koha e menjëhershme mbas luftës. Hyrja e forcave të Natos shënon çlirimin e Kosovës. Nga banesa ku ka qëndruar i fshehur, del në sipërfaqe Bardhoshi, gazetari. Vuajtjet e kaluara janë të vështira “të thuhen me fjalë, është edhe më e rëndë të rikujtohen”, i thotë kolegut të vet Astritit kur takohen. Të gjithë e dinin të vrarë nga serbët. Entuziazmit të çlirimit ia zë vendin shpejt lufta për mbijetesë. Përshtatja me kushtet e reja të jetës, krijimi i betejave të reja për pushtet, krijon konflikte të dukshme e të padukshme, që sa vijnë e përkeqësohen dhe kulmojnë me vrasjen e lajmëruar që gjatë luftës. Askush nuk i shpëton kosës së vdekjes (nuk mungojnë as referencat e Ingmar Bergman dhe Vulës së tij).

Prita, ose koha menjëherë mbas vrasjes së gazetarit. Prita ka kuptimin e pusisë, meqenëse theksohet vazhdimisht fakti se e vetmja gjë që mësohet nga vrasja është se ishte pritë që i kanë bërë gazetarit pranë shtëpisë. Por sa më shumë shfleton librin, më ngjan edhe pritë si pengesë. Asgjë nuk ec përpara. Ngecja ka përmasa politike, por edhe morale. Kjo pjesë e romanit ndjek nga afër birin dhe gruan e gazetarit të vrarë. Dhimbja dhe frustracioni i tyre ndërthuren me dhimbjen dhe frustracionin e opinionit publik. Në ndryshim nga pjesa e parë dhe e tretë, që kanë një karakter më kronikor, këtu zhvillimi i personazheve nuk është i kushtëzuar vetëm nga konteksti historik i Kosovës, por edhe nga zhvillimi i brendshëm i personazheve.

Vdekja e prijësit, me gjasë viti 2006, sidoqoftë koha para shpalljes së pavarësisë. Të huajt vejnë dhe vijnë, mërgimtarë të llojeve të ndryshme vejnë e vijnë, politikanë vejnë e vijnë: koha e ka humbur fillin e vet. “Kryeqyteti dukej panoramë e ngrirë në kornizë”. Të vetmit që nuk janë ngrirë dhe nuk janë përfshirë në këtë ‘pezullhane’ janë, si duket, “tre burra në një pijetore të veçuar ndanë sheshit”.

Autori e orienton lexuesin në tri prerje kohore, por në të vërtetë drejtimi më i fuqishëm i romanit gjykoj se është përpilimi i një galerie të shumëllojshme personazhesh që popullojnë mbasluftën. Çdo figurë ka vendin e vet në galeri. Realiteti jashtë romanit, ashtu si e percepton autori, përpiqet gjithë kohën të kushtëzojë zhvillimin brenda romanit. Jashta-romani ndikon sidomos në kategorizimin e personazheve që popullojnë romanin-qytet: ata që ikën kur mbaroi lufta, ata që erdhën kur mbaroi lufta dhe autoktonët, ata që ishin aty edhe para luftës.

Ata që ikin janë serbët: paramilitarë, militarë dhe kolonë. Persekutimi serb ndaj shqiptarëve rrëfehet me penelata të gjalla, shpërngulja, dëbimi, frika e përjetuar, njerëzit e humbur pa nam e pa nishan:“Amoku qe futur në trupin e paramilitarëve, policëve dhe rezervistëve shumë kohë më parë. Kolonë të armatosur ia behnin nëpër banesa e shtëpi, i nxirrnin banorët vendas në trotuar, i plaçkitnin dhe i nisnin rrugës së madhe drejt kufirit. Ata që kundërshtonin i pushkatonin pa gjyq, të rinjtë i ndanin nga turma dhe i nisnin në drejtim të panjohur. Amoku i kishte goditur kolonët në tru, u jepte energji që nuk e kishin pasur kurrë më parë, shkumonin si qentë e çartur, kërkonin viktima e gjak.” (fq. 10). Kolonët serbë janë jo vetëm brutalë, por edhe të pamoralshëm, gratë e tyre kanë orgji natën me ushtarët rusë. Ata janë të pabesë e të paburra. Ikja e tyre është një çlirim në të gjitha kuptimet dhe nivelet.Të ardhurit janë të disa kategorive:

– Të huajt: ”Pas ushtrisë aleate, në Dardani u dyndën mijëra administratorë ndërkombëtarë, por edhe aventuristë, spiunë, hajdutë, matrapazë, që jetonin nga veprimtari të dyshimta.” Të huaj të frustruar me punën që bëjnë, gjithmonë në kërkim të argëtimit.

– Shqiptarët që dynden në qytet nga periferitë e nga katundet: ata që kanë nevojë të disiplinohen, “nuk dinë si të sillen në rrethanat kur nuk i tremb armiku”. Po kthehemi në kohën e gurit, qahet personazhi. Këta pushtojnë banesa pa leje, kërcënojnë me përdhunime, vrasin. Janë kolonët e rinj, me një fjalë. Janë shqiptarë, por sillen si kolonë serbë. Një nënë thotë me zë të shuar “Por këta nuk janë nga keqbërësit e vjetër që i kërkoni ju, këta janë të rinj, erdhën me luftën”.

– Mërgimtarë që kthehen. “Shumë gra të bukura e joshëse erdhën nga mërgimi për ndonjë aventurë, takonin burrat në zë, që i kishin parë në televizor dhe u dukej sikur kishin prekur qiellin me dorë. Pastaj trembeshin nga egërsia e tyre dhe ktheheshin të zhgënjyera. Nuk kishin qenë heronjtë e tyre që i fantazonin netëve të vetmuara të mërgimit” (fq.81). Mërgimtarët janë patriotë patetikë, që nuk e kanë kuptuar as realitetin e luftës, as realitetin e mbasluftës. Në vendet ku jetojnë nuk i kanë thirrur as në ushtri e këtu thirren ‘komandant’.- Të ardhurit janë jo vetëm gjeografikë, por edhe moshorë. Për shembull, gazetarët e rinj janë të pazotë dhe të korruptuar.Përballë këtyre figurave të ikanakëve dhe të ardhacakëve qëndrojnë autoktonët, “banorët e lagjeve të vjetra”. Kuptohet qartë se rrëfimi ka këndvështrimin e autoktonëve. Janë ata që kundrojnë me përbuzje e zhgënjim “turma njerëzish që endeshin pa cak, disa të pikëlluar, të tjerë të gëzuar, ndonjëri ecte si somnambul”. Sa kanë ndryshuar njerëzit!, thotë Bardhoshi, kurrë më nuk do të jemi si dikur. Çlirimi nga serbët e ka humbur gati vlerën, “Kur të vret yti, është më e rëndë se kur të vriste armiku”, – thotë një gazetar. Pikëllimi dhe mllefi i autoktonëve e karakterizon të gjithë romanin. Ky pozicionim i jep romanit një karakter konspirator (nuk mund të mos mendosh se lan hesape politike me “partizanët me gjysmë opinga”, ata që nuk e kuptojnë vlerën e makiatos). Karakteri konspirator e bën romanin në një farë mënyre pjesë të asaj dukurie që denoncon: “Qyteti ziente nga thashethemnaja”; “Thashethemnaja do ta pushtojë vendin”; “Kur mungonin faktet niste imagjinata, legjenda dhe thashethemnaja”; “Thashethemnaja e çorodiste qytetin, i çorientonte banorët dhe i hutonte zyrtarët. Lufta e nëndheshme me lajme nga më të ndryshmet e kishte mbërthyer vendin”. Në roman autori ajros dhe lëvron, ma merr mendja, të gjitha thashethemet dhe paragjykimet që kanë zotëruar opinionin publik në Kosovë përsa i përket luftës dhe aktorëve të saj. Siç e përshkruan Xhorxhi, vëzhguesi i huaj, intrigat vendase i ngjanin me intrigat në shtetet latine-amerikane: “Këtu nuk kishte grusht shteti dhe dalje të ushtrisë në rrugë, por e ndiente një luftë të nëndheshme për pushtet dhe kapjen e shtetit” (fq. 190).

Më pëlqen stili i të shkruarit, i thatë e gati si me ngut, athua se autori shënon me shpejtësi dialogjet që ka dëgjuar para se t’i dalin nga mendja. Gjuha është e saktë si bisturi. Karakterizimet e personazheve janë thelbësore, shpesh fizike, pa zhbirime psikologjike, si një reportazh nga vendi i aksidentit. Nervi i brenda-romanit më bind si lexuese, por nuk mund të mos e ndiej se ka një lumth të fshehur që shkon diku poshtë rreshtave, në jashta-roman. Ka mundësi që lexuesi ideal i këtij romani është një lexues që e njeh Kosovën e atyre viteve dhe ua di emrat e vërtetë personazheve, jo unë. Sepse, njohja e personazheve të kohës ndoshta e justifikon këtë kategorizim paragjykues njerëzish, kurse mua vetëm më kujton kategorizimet katërqoshe të vendasve ku jetoj ndaj emigrantëve.

/Entela Tabaku

Policia serbe hyn në fushën e blertë dhe dhunon futbollistët e klubit shqiptar

Delegacioni nga Departamenti Amerikan i shtetit vizitoi komunitetin protestantë