Legjenda: Dy monografi: “Katarina Josipi – Kati” dhe “Kati – ikona e teatrit shqiptar”Shtëpia e lindjes së Katarina Josipit, që tashmë është muze në Zym
FRROK KRISTAJ: Në 100-vjetorin e lindjes
Ajo ishte aktorja e parë shqiptare në Teatrin e Kosovës. Për 21 vjet sa luajti në Teatrin Kombëtar, interpretoi mbi 70 e sa role. Ishte anëtare e NDSH-së, e cila edhe me Marije Shllakun, janë femrat e para shqiptare të burgosura nga okupatori serb
Katë Dulaj, apo siç njihet Katarina Josipi, u lind në Zym të Hasit, më 9 nëntor të vitit 1923, pra para plot 100 vjetëve. Ishte e bija e Gjin dhe Gjyste Dulajt. Katarina Josipi shkollimin fillor e nisi në Zym në gjuhën serbe, kurse e kreu në Nish, ku ishte me babain e vet bukëpjekës. Atje e kishte kryer edhe shkollën e natës për rrobaqepëse.
Pas bombardimit të Nishit në Luftën e Dytë Botërore, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse babai i Katit, Gjin Joza, ishte vendosur për pak kohë në Lipjan e pastaj kishte kaluar në Ferizaj.
Katarina Josipi si aktore amatore kishte hapëruar në dërrasat e skenës së Teatrit Amator në Ferizaj, së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaji.
Ishte mbarimi i vitit 1947, kur për herë të parë në Prishtinë po hapej teatri profesional. Ndërkaq, në pranverë të vitit 1948 në këtë teatër u angazhua Katarina Josipi, që njëherësh ishte femra e parë shqiptare në këtë teatër dhe përgjithësisht ishte aktorja e parë shqiptare jashtë Shqipërisë administrative.
Shfaqja e parë në gjuhën shqipe në këtë teatër u realizua më 1 maj 1949, me pjesën “Personi i dyshimtë”, të autorit serb Branislav Nushiq.Katarina Josipi vdiq në Prishtinë, në moshën 46 vjeçare, pra më 29 prill 1969, (që sot i mbush pikërisht 55 vjet që kur kaloi në amshim), kurse u varros në Karashëngjergj, afër Zymit, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj, dhe pranë figurës së madhe poliedrike të kulturës shqiptare – Atë Shtjefën Gjeçovit, si dhe më vonë aty u varros edhe Anton Pashku e shumë figurave të njohura kombëtare.Katarina Josipin e kemi parë në skenën e teatrit, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepëse, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës.21 vjet me radhë, aq sa jetoi në skenën e Teatrit të Prishtinës, Kati ishte kampione dhe bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër botë.
Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasion, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja, karaktere të reja. Po ashtu, për Katin, ishte njësoj kur interpretonte role nga drama origjinale shqipe apo e përkthyer, drama klasike apo bashkëkohëse.Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret.
Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe, ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 73 e sa role, sa i interpretoi gjatë jetës së saj.Gjatë 21 vjetëve, sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës, luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën, Istref Begollin, Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate Ajetin, Leze Spaçin, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Qazim Dushkun, Adem Mikullovcin, Dibran Tahirin, Safete Rogovën e shumë të tjerë.
Në fakt, pasi ishte kthyer familja e Katit nga Nishi, vëllai i saj Lazri, së bashku me Katin ishin angazhuar në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Megjithatë, organet e ndjekjes së pushtetit okupator kah gjysma e dytë e vitit 1945 kishin shtuar aktivitetin e tyre, me ç’rast kishin vrarë 15 dhe kishin plagosur 12 aktivistë të rëndësishëm të grupeve të armatosura të NDSH-së, të cilët bënin rrezistencë kundër okupatorit. Gjatë viteve 1945-1948, gjyqet ushtarake e ato civile të okupatorit serb në Prizren, Prishtinë, Gjilan, Pejë, Tetovë e Shkup, u shndërruan në qendra linçi.Kështu, në Ferizaj më 15 gusht 1946 burgosen tre anëtarë të NDSH-së, si Sefedin Shabani, Rrustem Statovci dhe Lazër Josipi (vëllai i Katit). Ndërkaq, të arrestuarit nga burgu i Gjilanit në mbrëmjen e 22 tetorit të vitit 1946 lidhen dy nga dy dhe dërgohen për hetime në burgun e Ferizajt.Në këtë proces u dënuan 32 persona, prej tyre një u dënua me vdekje, ndërsa 31 të tjerë u dënuan me gjithesej 316 vjet burg të rëndë. Ndër ata ishte edhe vëllai i Katës – Lazëri, që u dënua me 12 vjet burg, kurse pas katër muajve të burgimit, lirohet Katarina Josipi.
Vlen të përmendet se Katarina Josipi kur herëpashere shkonte në Zym ishte takuar, madje edhe ishte shoqëruar me Marije Shllaku, e cila herë-herë strehohej në Zym, ishin dy femrat e para shqiptare që u burgosen për çështje kombëtare nga okupatori serbosllav.
Megjithatë, të gjithë ata që u liruan nga aktgjykimi u cilësuan si “armiq të popullit”.Në anën tjetër, ka mbretëruar mendimi se Kati (Katarina Josipi) nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Ishte martuar me Hil Pjetrin (inxhinier i pylltarisë – kuadër i sjellur në Kosovë nga Ernest Koliqi) e që ishte nga Shkodra.Katarina Josipi ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë (Bernardinën dhe Viktorin), që i vdiqen nga sëmundja, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti serbo-jugosllav ia dëboi nga Kosova dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo gjatë shfaqjes nëpër Shqipëri të një pjese teatrale me Teatrin e Kosovës, e vizitoi ish-bashkëshortin në Shkodër. Me atë rast Kati ia vizitoi edhe familjen e re të ish-bashkëshortit. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit me Hil Pjetrin.
Në fund, të themi se me emrin e Katit, në vitin 1971, është pagëzuar Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, pastaj me emrin e saj është pagëzuar edhe Ansambli Etno-kulturor në Zym, që është themeluar në njëvjetorin e vdekjes së Katit (4 maj 1970). Me emrin e Katit është pagëzuar edhe një rrugë në Prishtinë, si dhe në vendlindjen e saj, në Zym, tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e Katit”. Deri më tash me këtë çmimin janë laureua: Nexhmije Pagarusha, mbretëresha e këngës shqipe, pastaj aktoret: Leze Spaçi-Qena, Safete Rogova, Melihate Qena e Arta Dobroshi, kryetaret e Republikës së Kosovës – Atifete Jahjaga e Vjosa Osmani-Sadriu, Shpresa Gashi e Hermina Delhysa-Lekaj, mezosoprane,
Ermine Lekaj-Përlaska, deputete në Parlamentin e Kroacisë, Lajde Kajtazi-Kolgjeraj, kryetare e Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi”, Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit të Shqipërisë, Shukrije Ramadani, veprimtare dhe bashkëshortja e heroit kombëtar – Agim Ramadanit, Edi Shukriu, arkeologe dhe Nevila Nika, drejtore e AQSH në Tiranë.Katarina Josipi – Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje, që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që ishte sinonim i vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë.Vlen ta përmendim se kryetarja e Kosovës me dekoratën MEDALJA PRESIDENCIALE E MERITAVE – PËR KONTRIBUTIN E DHËNË NË FUSHËN E ARTIT, e dekoroi aktorën Katarina Josipi në 90-vjetorin e lindjes.